Ing. Qerim Ismeni/ Ligji i ri i pensioneve, i destinuar të dështojë

    439
    Sigal

    Ligji i Veliaj “ndëshkon” me vdekje pa pension 400 mijë shqiptarë. Pensioni social shtyn marrjen e ndihmës ekonomike në 70 vjeç

    Më dt.31.07.2014 në seancë plenare, mes një atmosfere të nxehtë diskutimesh për Reformën Territoriale, sepse aty janë interesat politike, u përdor intermexo si një kafe çlodhjeje Ligji për Pensionet. Çfarë ndodhi?! Brenda pak minutash, pas diskutimit më tepër përshëndetës për Qeverinë nga përfaqësuesit e dy grupeve parlamentare PS dhe LSI, nën falenderimet maksimale të ministrit të Mirëqenies “të të pasurve” zotit Erion Veliaj me 88 vota pro, pa asnjë kundra, pa asnjë abstenim, u miratua Ligji i ri i Pensioneve?!

    Me këtë ligj bëhet hapur vjedhja e kontributeve për pension të shumicës së punëmarrësve nga ana e qeverisë, ku një pjesë ia shpërndan atyre punonjësve me paga të larta që të mos bëjnë zhurmë.

    Pse u miratua ky ligj kaq pa zhurmë?

    1. Qeveria dhe kryesia e Parlamentit programuan miratimin e këtij ligji njëherësh me Reformën Territoriale, reformë që prekte interesa direkte të “feudalëve të shekullit të 21-të” dhe të partive politike që mbështesin fitoret e tyre.

    2. Diskutimet në komisione u zhvilluan njëkohësisht me Kampionatin Botëror të Futbollit.

    3. Miratimi i këtij P/Ligji u caktua në ditën e fundit të punimeve të Parlamentit, më 31.07.2014.

    4. Me këtë Ligj joshet një pjesë e mirë e Administratës së Shtetit si dhe njerëzit e parasë; mediat, bizneset që mund të bënin zhurmë.

    5. Punëmarrësit në Shqipëri janë 100 % të tradhtuar.

    6. Nuk u analizuan defektet në zbatim të Ligjit ekzistues nr. 7703 dt. 11.05.1993, të ndryshuar.

    7. Nuk doli përgjegjësia për asnjë nga shkeljet dhe abuzimet në zbatim të ligjit ekzistues.

    8. PS dhe LSI nuk kanë asgjë të përbashkët me fjalën SOCIALE dhe u treguan më të djathta se vetë të djathtët në këtë rast.

    9. As edhe një nga 88 deputetët nuk e quajti veten deputet i popullit, por dëshmuan se janë të punësuarit e Kryetarit të Partisë dhe biznesit, që i ka financuar për të mashtruar popullin.

    10. Opozita fërkoi duart – SHYQYR që nuk ishim në Parlament dhe këtë ligj e bënë ata -Socialistët. Për çudi, edhe në vitin 2002, kur u miratua rritja e dytë e moshës së pensionit (Ligji nr. 8889 dt. 25.04.2002 ) opozita e sotme, edhe atëherë në opozitë, nuk mori pjesë në votim dhe se më interesante është deklarata e Kryetarit të Opozitës se nuk do ta njohim këtë ligj. Me siguri, njësoj me PS-në opozitë: “Nuk do të njohim privatizimin e 4 HEC-ve –Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 & 2 dhe se me ardhjen në pushtet do t’ia kthejmë popullit (do t’i shtetëzojmë), prandaj na jepni votat”. Tani që janë në pushtet, kontratat e lidhura nga qeveria e mëparshme, edhe kur janë kontrata koncensionare skllavëruese (vepër kriminale – Privatizimi i 4 HEC-eve, sipas Ministrit të Energjetikës dt. 29.09.2014, ne nuk mund t’i anulojmë). Nuk di ndonjë vend të botës që qeveritë, përfaqësuesit e popullit të jenë kaq indiferentë e të papërgjegjshëm (ato që e dinë dhe e kuptojnë se çfarë i bënë shumicës me këtë Reformë e të tjera në vijim.

    Dua t’u sjell në kujtesë zotërinjve deputetë se para disa vitesh, kur Presidenti francez Sarkozi kërkoi të rriste moshën e pensionit për makinistët mbi 55 vjeç, desh u dogj Parisi.

    Edhe në Shqipëri – për çështje shumë më me pak vlerë është protestuar. Para disa muajve, kemi parë disa ambientalistë të protestojnë në mbrojtje të qenve të rrugës. Mirë kanë bërë, kemi parë edhe një (ndoshta më shumë) emision televiziv disa orë për këtë temë, bile e kanë turpëruar Kryetarin e Bashkisë së B.Currit se kishte firmosur një tender për t’i vrarë qentë e rrugës. Çudi e madhe!!! Të ulet norma e kthimit të kontributeve për më shumë se 400 mijë persona në masën afër 50 %, e të mos lëvizë askush?!

    Pse ky P/ligj nuk duhej miratuar? Pse Presidenti duhej të mos e dekretonte? Pse Presidenti refuzoi dekretimin e Ligjit për Reformën Teritoriale e të tjerë ligje që prishnin interesa klanesh të caktuar, ndërsa Ligjin e Pensioneve nuk e përmendi? Pse Partia Demokratike ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ligjet e tjera dhe atë të Reformës së Pensioneve nuk e zuri me gojë?! Ministri Veliaj, në vend që të analizonte të kaluarën për të nxjerrë mësim për të ardhmen, mendoj, se do të bëjë emër në qeverisjen e shtetit shqiptar. Jo, zoti Veliaj, emër të mirë me këtë ligj nuk leni dot! Për më tepër, nëse ky popull nuk do të gjejë forcë, megjithëse me vonesë për ta shfuqizuar këtë ligj, ju do të mbani vulën e nismëtarit të shkatërrimit të sistemit të pensioneve (nocionit pension) në Shqipëri.

    PSE?

    1. Z. Ministër! Ju rrisni moshën e pensionit, respektivisht për burrat nga 65 vjeç në 67 vjeç dhe për gratë nga 60 në 67 – de fakto ju ulët kohën e përfitimit të pensionit me 33 % (burrat dhe gratë), në një kohë që popullsia në moshë mbi 65 vjeç në Shqipëri akoma është midis 9 – 12 %, kur në vendet e BE-së është 16.5 %, si dhe jetëgjatësia mesatare te ne është 73 vjeç burrat e 77 vjeç gratë.

    2. Ngritja e viteve të kontributit nga 35 në 40 vjet, d.m.th rrisni kontributet për 15 %. Ju rikujtoj këtu se papunësia reale në Shqipëri është afër 37 % dhe se në raport me ligjin ekzistues vetëm me këto dy elementë, ju përkeqësoni përfitimet nga pensioni me 15 + 33 = 48 %.

    3. Si element të tretë përkeqësues, ju z. Veliaj, përdorni ndryshimin e formulës përllogaritëse të pensionit, duke përdorur termin “pension social”, i cili është në masën 6600 lekë në moshën 70 vjeç për ato individë që nuk kanë punuar kurrë. Këtu ju spekuloni dukshëm për faktin se nuk ka njeri që pret nën urë deri në moshën 70 vjeç për ta ushqyer ju, me pensionin social në vlerë 6600 lek/muaj, që është më pak se 1/2 e minimumit jetik dhe se ky pension social s’ka pse përzihet me pensionin me skemë kontributive. Ky pension social, ndryshe asistencë, i takon çdo shtetasi, jo në moshën 70 vjeç, por në çdo kohë në mungesë të mjeteve të jetesës, jo në këtë vlerë, por në minimumin jetik, sipas Kartës Universale mbi të Drejtat e Njeriut si dhe të Kartës Sociale Europiane si dhe Nenit 52/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe se këtë të drejtë (privilegj) po e fitojnë gjithë shqiptarët e moshuar që me bashkim familjar janë bërë shtetas italian, gjerman, amerikan… etj..

    4 . Ju, nëpërmjet formulës, favorizoni më pak se 10 % të të punësuarve me paga të larta, duke diskriminuar ato me paga më pak se 45 000 lekë.

     Për të kuptuar efektet e Ligjit (Reformes) të Pensioneve, po japim tabelën më poshtë:

                       
    Sipas ligjit ekzistues Sipas ligjit të ri Diferenca e pensionit sot me nesër
    Nr. i viteve të punës Paga kundrejt së cilës mbahet kontribut Vlera e pensionit sipas L. 7703, të ndryshuar Raport përfitim/kontribut për jetëgjatësinë mesatare, në % Nr. i viteve të punës Vlera e pensionit Raport përfitim/kontribut për jetëgjatësinë mesatare, në %
    Burra Gra Burra Gra
    35  20,000  15,000 62 148 40 14600 44 74 -400
    35  25,000  18,750 62 148 40 16600 40 67 -2150
    35  30,000  22,500 62 148 40 18600 37 63 -3900
    35  35,000  25,000 62 148 40 20600     -4400
    35  40,000  25,000 62 148 40 22600     -2400
    35  50,000  25,000 62 148 40 26600     +1600

    Siç duket nga tabela, kemi një ulje drastike të normës së kthimit të kontributeve nëpërmjet përfitimit të pensionit – për burrat nga 62 % në 44 % dhe për gratë nga 148 % në 74 %. Në të njëjtën kohë, pavarësisht nga artificat në mënyrën e llogaritjes, kemi ulje direkte të vlerës së pensionit për pagat nën 40 000 lekë në muaj, gjithnjë duke iu referuar jetëgjatësisë mesatare. Në fakt, jo gjithë burrat dhe gratë jetojnë respektivisht 73 e 77 vjet.

    Në këtë kontekst, ata, që jetojnë nën mesatare, përfitojnë me pak se 44 % (burrat) dhe më pak se 74 % gratë, që do të thotë se më mirë ruani paratë “nën jastëk” sesa i derdhni ato në arkën (jo të shpuar), por pafund të ISSH-së sipas Ligjit të Erionit.

    Së fundi, nëpërmjet heqjes së tavanit, duke mos marrë ne konsideratë jetëgjatësinë, ju jo se hiqni atë minisolidaritet të pretenduar, por bëni një pazar matrapazësh. Pse? Ju, me siguri, nga kultura që keni, e dini se Jetëgjatësia është Funksion i Mirëqenies. Njerëzit që jetojnë në mirëqenie të vazhduar, kapin ekstremin e sipërm të jetëgjatësisë, pra, ata shijojnë pensionin me shumë se 13 vjet, ndërsa ata që janë me pagën lëmoshë të fasonit apo…, ushqehen e mjekohen keq, e, për pasojë, jetojnë më pak se jetëgjatësia mesatare që është: gratë – 77 vjeç; burrat 73 vjeç (BB, 12.12.2013). Pra, gëzojnë pensionin mesatarisht 3 – 4 vjet. Jo, zoti ministër, për 3 – 4 vjet pension, qytetarët shqiptarë do t’i ruajnë paratë e pleqërisë nën jastëk e nuk do t’ia japin shtetit që mendoni të konsolidoni, ju, në këtë mënyrë. Juve ju janë errur sytë nga privilegjet në dëm të popullit (ligjin për moshën e pensionit 55 vjeç për deputetë e të tjerë barazvlerë me ta, pse nuk e shfuqizuat)? Vetëm me paratë e humbura nga vjedhjet në Bankën e Shtetit Shqiptar, në Tatimet nga rimbursimi fals i TVSh-së, nga shkeljet e disiplinës financiare në administratën e shtetit, pa llogaritur humbjet nga koncensionet skllavëruese, apo privatizimet kriminale, garantohej shuma e parave që keni llogaritur të kurseni me këtë Ligj.

    Fondi Monetar Ndërkombëtarë, i përfaqësuar nga eksperti Nadeem Ilahii atë detyrë ka, të të kërkojë numrat (paratë), rregullimin e një mosbarazimi matematikor, por qytetarët shqiptarë kanë votuar PS-në për ta qeverisur e jo FMN-në.

    Reforma juaj thellon diskriminimin ndaj grupeve shoqërore me të ardhura te ulëta në favor të atyre me të ardhura të larta.

    Ligji i Pensioneve për minatorët dhe diskriminimi i profesioneve të tjera

    Ju, i nderuar z. Ministër po paraqiteni sikur keni zbuluar Amerikën, lidhur me uljen e moshës së pensionit për minatorët. Mirë që e miratuat, por ju po ngatërroni, ose nuk i keni të qarta punët me burim rreziku të shtuar nga agjentë ambientalë me efekt akumulues që japin pasojë – uljen e jetëgjatësisë me ato me rrisk të lartë rreziku për aksident. Uroj, që tashmë që ulët moshën e pensionit nga 60 vjeç në 55 vjeç, të mos ketë aksidente më, pavarësisht, se në rastin konkret pesha e faktorit moshë është shumë më e ulët në raport me faktorë të tjerë që sjellin aksidentin. Minatorët hyjnë në ato profesione me rrisk të lartë për aksident në kushtet e privatizimit të minierave, mbështetur në teorinë e nënkontraktimeve dhe SME-ve, miniera me më pak se 10 të punësuar vetëm në Shqipëri ka, por jo me ulje të theksuar jetëgjatësie. Shpimi i lagur në miniera është vendosur që në vitet ‘70 dhe se minatorët nuk kanë jetëgjatësinë 57 vjet sa thoni ju. I vetmi studim, i bërë në Shqipëri, është ai i vitit 1988 (tepër sekret), të cilin ia kam dërguar Ministrisë që drejtoni ju, vite me parë. Sipas këtij studimi, nëpërmjet kartelave të mbyllura të pensionit, jetëgjatësia e minatorëve në studim për një rreth të caktuar rezulton 60 vjeç e një muaj, ndërsa e metalurgëve 59 vjeç e dy muaj. Ju bëj me dije, se në përllogaritjen e jetëgjatësisë për efekt të kohës së përfitimit (gëzimit) të pensionit nuk përfshihen në vdekjet e menjëhershme aksidentale, por ato vdekje që vijnë si rezultat i amortizimit fizik të ish punonjësve të një dege të caktuar nga sëmundja që ka lidhje me punën, profesionin (sëmundje profesionale). Pra, nëse flisni për profesione të vështira, duhen përfshirë gjithë sektorët dhe jo në mënyrë selektive. Diskriminimi është i papranueshëm edhe për individin, jo më për grupe (profesione) të caktuara sipas Kartës të të Drejtave të Njeriut si dhe Nenit 18 te Kushtetutës së Shqipërisë.

    Sipas logjikës tuaj, duhen pensionuar në moshën 55 vjeç drejtuesit e automjeteve rrugore, sepse vdekjet në rrugë janë më të larta se në miniera.

    Mënyra se si është hartuar Ligji bazë i Pensioneve në Shqipëri, si dhe Ligji për Minatorët të jep të kuptosh se barrën e krizës ia përcollët shumicës në favor të pakicës dhe se pikërisht për këtë ju do të mbani kosto. Shpresoj që politikëbërja e Partisë Socialiste të mos shkojë me këtë logjikë, lidhur me çmimin e energjisë elektrike, sepse mekanizmat e kompensimit të reklamuar deri tani duken jo profesionalë. Sa më sipër, shpresoj që jo gjithmonë “zullumet e priftit” do t’i paguajë fshati. Shpresoj, se brenda këtij populli ka njerëz që do të dinë të pengojnë këtë qeveri të nëpërkëmbë dinjitetin e njerëzve që paguajnë energjinë elektrike, në favor të atyre që e vjedhin apo grabisin, apo kanë nënshkruar kontrata koncensionare skllavëruese në dëm të popullit shqiptar.