Ing. Osman Terziu/ Pensionistët, martirë të mjerimit dhe varfërisë së sistemeve

    353
    Sigal

    Ndërtuesit e HEC-eve të vendit paguajnë energjinë çdo vit e më shtrenjtë

    Qeveria nuk po heq fashën 300 kw për energjinë, por fashat e lëkurës së shqiptarëve

    Mosha e tretë është jashtë vëmendjes së shtetit, por dhe mbarë shoqërisë shqiptare. Është për të ardhur keq për trajtimin social-ekonomik, por dhe psikologjik që i bëhet kësaj shtrese martire të mjerimit e varfërisë së sistemeve. Është kjo pjesë e shoqërisë, e cila punoi për 40-45 vjet radhazi në sistemin komunist në veprat më të vështira e në zonat më të thella të vendit, duke mos kursyer as ditën e diel si ditë aksionesh, ndërsa vlerësimi i tërë kësaj pune heroike është minimal, pasi shteti i asaj kohe përdorte sistemin e akumulimit.

    Mosha e tretë ngriti dhe vepra me karakter ndërkombëtar siç ishin: HEC-et e Kaskadës së Drinit dhe energjia elektrike e prodhuar prej tyre, akoma edhe sot, është e vetmja e ardhur nga sfera e prodhimit vendas. Kostoja e prodhimit të kësaj energjie është 0.6-1.3 lekë, ndërsa sot ndërtuesit e kësaj vepre madhore, paguajnë energjinë me çmime të rritura çdo vit e më shumë nga kompanitë e energjisë elektrike, të cilët po rrjepin e heqin fashat e lëkurës së mbarë shqiptarëve dhe, si për ironi të fatit, të vetë ndërtuesve, hartuesve e prodhuesve të kësaj energjie. Por, më e keqja është që vetë shteti i mbështet sa herë kompanitë kërkojnë rritje të çmimit të energjisë, në kurriz të popullit.

    Qeveria bashkëpronar me këto kompani, në kurriz të popullit

    Kemi 25 vjet që populli në tërësi dhe pensionistët në veçanti, kanë paguar energjinë elektrike (me çmim në rritje të përvitshme) pa u bërë asnjë lloj investimi në sistemin energjetik. Pra, si qeveritë dhe kompanitë e privilegjuara, ose bashkëpunuese me qeveritë, për këto 25 vjet vetëm kanë vjelë këto shtresa, duke i varfëruar çdo ditë e më shumë…

    Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ne kemi jetuar me kohë të shkurtër në shtetet europiane dhe atje kemi paguar shërbimet kundrejt faturave. Por, është çmenduri kur sheh se në vendet ku nuk prodhohet energji, por importohet, çmimet janë shumë më të lira se ç’kushton energjia në Shqipëri. Në mjaft raste pushtetarët përdorin termin se “do të shkojmë në Europë”, por në Europë nuk mund të shkojmë me këtë lloj korrupsioni, pasi asnjëherë në asnjë rast pushtetarët tanë nuk përmendin nivelet e jetesës së këtyre vendeve, por vetëm çmimet.

    Mosha e tretë, (e tradhtuar prej kohësh nga qeveritë, ndonëse kjo moshë është ndër më kontribuueset), sot ndihet e braktisur nga shteti i vet, që i hedh ndonjë kafshatë sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Varfëria sot është bashkudhëtare e moshës së tretë. Ato vitet e fundit të jetës së tyre, në vend që t’i kalojnë në vende turistike e të kenë një jetesë në nivele të kënaqshme, ata numërojnë qindarkat që u mbeten për ndonjë çaj për ditën e nesërme. Të mjerët këta që i zuri kjo ditë. Fatkeqësisht kanë ngelur në dorë të trajtimit të qeverive të pashpirta, të mjerët, të varfrit, tërë jetën martirë të sistemeve…

    Kryetar i Shoqatës për Integrimin e Pensionistëve të Shqipërisë

    box

    Z. Kryeministër, edhe pensionistët kanë të drejtë të festojnë Vitin e Ri!

    Jemi në prag të Krishtlindjeve dhe pensionistëve të Shqipërisë as që iu shkon ndër mend për një Vit të Ri. Ata mjaftohen duke e ndjekur në televizor, pasi nuk kanë se me çfarë të festojnë. Prandaj, në emër të gjithë kësaj shtrese të përvuajtur, ne i kemi propozuar zotit Kryeministër që të mendojë për festat e fundvitit për pensionistët e Shqipërisë me një ndihmë modeste financiare. Janë ata, pa jeni Ju z. Kryeministër! Pasuroni tavolinën e prindërve tuaj, që edhe ata të festojnë bashkë me ju! Edhe ata kanë të drejtë të festojnë!