Ing. Kolë Malaj: Skandali, zhduken 40 milionë dollarë të ndërkombëtarëve për pyjet

    723
    Sigal

    Flet  Ing. Kolë Malaj, Kryetar i Shoqatës së Specialistëve të Pyjeve: Mbi 63 % e sipërfaqes pyjore është jashtë kontrollit të shtetit

    Shërbimi Pyjor, me këtë mënyrë organizimi, vazhdon të përkeqësohet. Ai është edhe në letër, edhe realisht inekzistent. As në Statusin zyrtar të Ministrisë së Mjedisit nuk përmenden pyjet. Asnjë nga zv/ministrat, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtori i Drejtorisë së Pyjeve, nuk kanë asnjë lidhje me profesionin e pylltarit

    Zoti Malaj, para pak ditësh u kremtua 91-vjetori i krijimit të Shërbimi Pyjor Shqiptar. Mendoni se, ky Shërbim i ka përmbushur detyrat e tij?

    Unë mendoj se, Shërbimi Pyjor Shqiptar gjithmonë është përpjekur për mbarështimin e pyjeve dhe kullotave tona në përputhje me standardet dhe nevojat e ekonomisë kombëtare. Ky shërbim është i domosdoshëm në një shtet serioz dhe në një shoqëri të civilizuar. Vitet e fundit, përpjekjet janë drejtuar në mbarështrimin e tyre sipas direktivave dhe standardeve të Bashkimit Europian. Jubileu i sivjetmë ishte një rast i mirë për të reflektuar rreth gjendjes aktuale të pyjeve dhe kullotave, përvojës së arritur dhe sidomos për sfidat që kemi përpara në të gjithë nivelet e shërbimit pyjor. Shqipëria konsiderohet si një vend relativisht i pasur me pyje dhe kullota, të cilat mbulojnë rreth 62 % të territorit të vendit. Fatkeqësisht kjo dhuratë e natyrës, për arsye nga më të ndryshmet, jo gjithmonë është konsideruar prioritet qeverisës.

    Mirëpo si shpjegohet që kemi një realitet kaq të trishtuar të pyjeve aktualisht?

    Unë e thashë pak më lart: Fatkeqësisht kjo dhuratë e natyrës, për arsye nga më të ndryshmet, jo gjithmonë është konsideruar prioritet qeverisës. Kjo ka ndodhur në mënyrë të veçantë në dy dekadat e fundit. Pse? Po shpjegohem. Në rrjedhën e këtyre 90 viteve, në periudha të caktuara dhe në funksion të rrethanave konkrete, Shërbimi Pyjor ka pësuar ndryshime, të cilat janë reflektuar në punën dhe rezultatet e tij. Pas një periudhe të gjatë si pjesë e strukturave të Ministrisë së Bujqësisë, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 163, datë 21.04.1989, u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave (DPPK), jashtë Ministrisë së Bujqësisë, si institucion qendror më vete, në vartësi të Ministrit të Bujqësisë, së cilës më vonë iu bashkua edhe shfrytëzimi i pyjeve. Krijimi i tij ishte rezultat i përpjekjeve dhe argumenteve të shumtë, për domosdoshmërinë e administrimit të integruar të këtyre burimeve natyrore, por që për fat të keq nuk arriti të mbushte dy dekada, pasi në fillim të vitit 2006 ai u shpërbë nga qeveria Berisha.

    Tashmë flitet shumë për një degradim të paparë të pyjeve. Si dhe pse ndodhi ky degradim?

    Ky degradim ka ndodhur për shkak të krizave që vendi ka kaluar, si dhe nga keqqeverisja dhe shfrytëzimi pa kriter i tyre, në interes të nevojave të çastit. Popullsia rurale, si të vetmen pasuri natyrore që mund të shfrytëzonte për të mbijetuar apo për të ndërtuar banesat, në shpërnguljet masive drejt zonave fushore, ishin pyjet. Lënda drusore dhe drutë e zjarrit janë bërë sot objekt fitimprurës i kontrabandës, duke mos kursyer edhe komplekset turistike natyrore, parqet kombëtare dhe rivierën tonë bregdetare, pasi shiten në treg në mënyrë të pakontrolluar. Mungesa e politikave të qarta e koherente dhe praktikat abuzive, vitet e fundit kanë çuar në daljen jashtë kontrollit të aktiviteteve, përfshirë dhe gjuetinë, sidomos atë turistike me të huaj.

    Çfarë duhet bërë, sipas jush për ta ndryshuar këtë gjendje?

    Kjo situatë e rëndë duhet të marrë fund dhe për këtë kërkohet ndërmarrja e reformave të thella. Anëtarësimi “natyror” i Shqipërisë në BE ka standard edhe kontrollin e shtetit ndaj mbrojtjes së natyrës e mjedisit, prandaj rishikimi i programeve dhe strategjive kombëtare afatgjata dhe njëherazi forcimi i legjislacionit pyjor, në përputhje me kërkesat e kohës, është një domosdoshmëri jetike dhe një detyrim kushtetues. Vetë Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 59, sanksionon se: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: “mbrojtjen dhe shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm”, si dhe një “mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotshëm dhe të ardhshëm”. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i shohim pyjet vetëm si burim fitimi, por duhet t’u japim më shumë prioritet edhe funksioneve e shërbimeve të tyre mjedisore e publike.

    Pra, ju mendoni se duhen ndryshuar shumë gjëra në mbarështimin e pyjeve, në legjislacion dhe në programet e kësaj qeverie?

    Po, këtë kisha parasysh. Është i nevojshëm rishikimi kompleks i bazës ligjore për ta përafruar plotësisht atë me legjislacionin Evropian dhe për ta çliruar nga mangësitë që bëhen burim fitimi për abuzuesit e tij. Lufta kundër korrupsionit duhet shoqëruar me ndërhyrje efektive për mbrojtjen e pyjeve e kullotave si dhe me shtimin e masave për mbrojtjen e tokës nga erozioni. Me zgjidhjen përfundimtare dhe të qëndrueshme të çështjes së pronësisë edhe mbi pyjet, politikat e reja qeverisëse duhet të rishikojnë marrëdhëniet me Njësitë e Qeverisjes Vendore, që kanë marrë në pronësi 50 % të fondit pyjor, për të luftuar abuzimet e dyanshme. Decentralizimi i plotë i administratës pyjore, përveç riorganizimit rajonal (sipas qarqeve), kërkon delegimin e kompetencave dhe përgjegjësive tek Drejtoritë Rajonale dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore, për pyjet e kullotat komunale, rritjen e transparencës dhe aftësive menaxhuese. Aktualisht sektori i pyjeve dhe kullotave është i çorganizuar. Që nga viti 2005, organizimi i tij është i paligjshëm.

    Mund të flasim konkretisht, pra me fakte për këtë që ju sapo e pohuat dhe për pasojat e këtij neglizhimi?

    Në këtë aspekt jo vetëm nuk është zbatuar ligji, pasi Drejtoritë Rajonale nuk janë ngritur deri më tani, por nga 32 Drejtori të Shërbimit Pyjor, vetëm në 4 prej tyre drejtojnë inxhinierë pyjesh. Drejtoritë e tjera drejtohen që nga drejtorë me shkollë të mesme ndërtimi e deri tek mësues të ciklit të ulët, apo inxhinierë gjeologë e minierash. Edhe drejtorë agronomë ka pak. Pa përmendur policët pyjorë, të cilët janë kthyer në “ushtarë të liruar”, të mbledhur në qendrat e qyteteve, pa uniformë, pa armatim, pa mjete lëvizëse, pa radiondërlidhje, pra pa asnjë gjë nga infrastruktura e plotë e ngritur më parë dhe për më tepër me paga minimale. Statusi i “pylltarit” është cenuar më shumë se kurrë. Numri i inxhiniereve dhe teknikeve të pyjeve është në minimumin historik të tyre, në 50 vjetët e fundit. Që nga viti 2005 e në vijim, Shërbimi Pyjor u politizua në ekstrem, nga ata që e kanë drejtuar dhe po e drejtojnë aktualisht. Gjatë këtyre viteve pyjet u dogjën dhe po priten barbarisht. Pylltarët u nxorën nga pyjet.

    Po Ministria aktuale e Mjedisit, në varësinë e të cilës është aktualisht shërbimi pyjor, si po vepron për të rikuperuar gabimet e së shkuarës?

    Ky është një problem jo i vogël. Vetë Ministria e Mjedisit vazhdon të funksionojë në konflikt të hapur interesi, në veprimtarinë e saj në pyje dhe kullota. Asnjë Ministri Mjedisi nuk kryen aktivitete menaxhuese e aq më pak tregtare. Ato janë Ministri rregullatore, monitoruese dhe kontrolluese për zbatimin e legjislacionit, strategjive dhe politikave. Askush s’mund të thotë se çfarë strategjie zbatohet sot në pyje dhe kullota, kur që nga viti 2004 ekziston e miratuar nga Këshilli i Ministrave, Strategjia për zhvillimin e këtij sektori. Sot Ministria e Mjedisit vazhdon të japë leje për eksportin e druve te zjarrit dhe qymyrit të drurit. Që nga viti 2006 u hoq certifikata e origjinës për të gjitha produktet pyjore, u nxorën urdhra dhe urdhëresa për shfrytëzimin e pyjeve, që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm shkatërrojnë sipërfaqe të tëra pyjesh. Nga rreth 100.000 mst dru zjarri që nxjerr në ankand Ministria e Mjedisit, në pyje priten faktikisht mbi 2.500.000 mst, pothuajse pjesa më e madhe e tyre e destinuar për eksport. Në gjithë këtë treg të kriminalizuar, 100.000 mst dru zjarri janë të planifikuara për nevojat e popullatës në ato zona ku ky burim energjie nuk është zëvendësuar ende me burime të tjera. E njëjta situatë është edhe me gjuetinë. Asnjë nga nenet e ligjeve për gjuetinë dhe për mbrojtjen e faunës së egër, nuk zbatohet nga Ministria e Mjedisit. Zjarret kanë bërë kërdinë në pyje e kullota, gjatë 10-vjeçarit të fundit, duke përshkuar dhe djegur deri në rreth 45.000 ha në vit. Çfarë është më e keqja sipërfaqet e raportuara zyrtarisht, kanë qenë dhjetëra herë më të vogla nga ato realet dhe pa deklaruar vlerën reale të dëmit të shkaktuar. Kanë munguar tërësisht fondet për parandalimin e zjarreve, duke eliminuar sistemin e vrojtim-sinjalizimit dhe ato për rehabilitimin e sipërfaqeve të djegura. Nga rreth 16 %  e sipërfaqes së pyjeve, të shpallura zona të mbrojtura, ato vazhdojnë të  ekzistojnë vetëm në letër. Asnjë masë nuk është marrë për menaxhimin e tyre. E thënë shkurt, veprimtaritë e paligjshme, në mbi 63 % të sipërfaqes së Shqipërisë, janë jashtë kontrollit të shtetit.

    Ministria e Mjedisit, masakër me specialistët e pyjeve

    Shërbimi Pyjor, me këtë mënyrë organizimi, vazhdon të përkeqësohet. Ai është edhe në letër edhe realisht inekzistent. As në Statusin zyrtar të Ministrisë së Mjedisit nuk përmenden pyjet. Asnjë nga zv/ministrat, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtori i Drejtorisë së Pyjeve, nuk kanë asnjë lidhje me profesionin e pylltarit. Vazhdon në mënyrë masive largimi i specialistëve të pyjeve nga puna. Nga të gjithë drejtorët e pyjeve në rrethe, të emëruar gjatë periudhës së fundit, në mbi 90 % të rasteve janë jashtë profesionit, nga të cilët ka edhe të pa arsimuar, mjek, mësues muzike, etj.. Ajo që është më tragji-komike është shpallja e vendeve të lira të punës nga Ministria e Mjedisit, nëpërmjet DAP-it. Në kriteret e shpallura është përjashtuar specialisti i pyjeve dhe konkretisht vendi i përgjegjësit të mbarështimit të pyjeve ka si kriter vetëm “të ketë mbaruar arsimin e lartë” apo ai i inspektorit të policisë pyjore, “të ketë mbaruar ekonomikun”, që me ligjin e pyjeve, këta duhet të jenë domosdoshmërisht inxhinier pyjesh. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me specialistët e pyjeve në rrethe. Atje nuk kërkohet as arsim dhe asnjë kriter. Fakulteti i Shkencave Pyjore dhe Shkolla e Mesme Pyjore në Shkodër, duhet të mbyllin dyert, me këtë politikë që po ndiqet, pavarësisht se ato diplomojnë rreth 100 specialistë të lartë pyjesh dhe po aq të mesëm, në vit. Mospërfshirja e Strategjisë së Zhvillimit të Pyjeve, në Strategjinë e Përgjithshme të Zhvillimit Rural, kërkesë kjo e BE-së, bën që ky sektor të mos ketë asnjë perspektivë, ndërkohë që duhet të ishte sektori prioritar për zhvillimin rural. Për të gjitha këto, ne specialistët e Shërbimit Pyjor i kemi paraqitur kërkesa të detajuar qeverisë për ndryshimin e gjendjes. Një gjendje që duhet të ndryshojë urgjentisht. Për të mos thënë një ditë se edhe ne dikur kishim pyje…

    Abuzime me fondet e BB dhe BE-së

    Investimet për pyjet e kullotat, që nga viti 2006, kanë munguar pothuajse totalisht. Projekti i Zhvillimit të Burimeve Natyrore, është shembulli më negativ i shpërdorimit të fondeve të Bankës Botërore (20 milion dollarë). Nga rreth 3.000 ha pyllëzime të kryera, në kuadrin e këtij Projekti, tani nuk ekziston asnjë ha. Fondi i BE-së (20 milion euro) për zhvillimin e rajoneve, i përdorur për mbjelljen e arrorëve, është shpërdoruar në mënyrë kriminale, duke raportuar fiktivisht mijëra ha, kur në fakt nuk është pyllëzuar asnjë ha.