Ing. Isuf BODO*/ Ndërkombëtarët dhe politika shqiptare janë shkaku i anarkisë së pronave

    194
    Opinionet e ndërkombëtarëve në 2014 për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe Progres Raporti i KE-së 2014 për Shqipërinë kërkon që qeveria shqiptare të rishikojë dhe përmirësojë strategjinë e reformës së pronës, duke u konsultuar me grupet e interesit dhe vendimet e GJEDNJ. Ashtu si drejtori i FMN-së në Tiranë, zoti Nadeem Lahi, filloi të reflektojë për pronat, presim që dhe ambasadorë të tjerë të shprehen. Zgjidhja e drejtë juridike dhe pa kosto realizohet nëse ndërkombëtarët vendosin mbi tryezë për diskutim platformën dhe projektligjin që kanë propozuar shoqatat “Pronësi me drejtësi”, “Bregdeti” dhe “Krahina Jonë”. Por po mbushen 25 vjet që loja me pronat kalon nga mashtrimi në mashtrim. Fillimisht, nisi me një ligj të gabuar, ku shteti me Ligjin 7501, specifikisht me nenin 8 të tij, pengoi kthimin e pronës së grabitur tek i zoti, por shpalli veten “ZOT’’dhe pronar të saj. Kjo është mbijetesa e diktaturës në kushtet e pluralizmit me frazeologji demokratike. Pjesa antikushtetuese e këtij ligji djallëzor shënoi fillimin e korrupsionit dhe të kriminalizimit të shtetit. Sot pasojat janë të qarta dhe i pranon publikisht dhe përfaqësuesi i FMN-së, sepse e drejta e pronësisë, ka bërë hapa prapa në këto 25 vjet të shpalljes zyrtare të vdekjes se diktaturës. Pasojat janë se shqiptarët po vriten me njëri-tjetrin, konfliktet për pronën kanë ndarë vëllezërit, kanë futur sherrin brenda familjeve, ndërmjet familjeve, në fis e në fshat, duke shkaktuar deri tani mbi 8000 të vrarë dhe këto janë të deklaruara nga vetë deputetët.
    Politikanët e tranzicionit, kanë përgjegjësinë pasi ata e ngatërruan lëmshin e pronave duke nxjerrë dhe shumë ligje të tjera, në mbështetje të nenit 8 të Ligjit 7501, duke e pleksur edhe me keq problemin. Ndërkombëtarët kanë përgjegjësinë e tyre se në vend që ta shkulnin kancerin, të vendosnin si parakusht pronën, konform Kushtetutës dhe të caktonin afate kohore, ata bënë të kundërtën. Ata i pudrosën dhe i ushqyen metastazat e korrupsionit dhe të komunizmit. Sot politikanët përpiqen të duken nxënës të mirë, sikur po kryejnë detyrat e shtëpisë për t`u bërë të pranueshëm në Bashkimin Europian. Qeveritaret pretendojnë të bindin Europën se do t’i sheshojnë mosmarrëveshjet me pronarët nëpërmjet kompensimit dhe sikur ky problem ka hyrë në rrugën e zgjidhjes. Këtë farsë që e kanë miratuar FMN dhe BB, në fakt e ka rrëzuar Strasburgu që sugjeron domosdoshmërinë e respektimit të të drejtës së pronësisë dhe kompensimi të jepet vetëm për prona që duhet të mbeten ekskluzivisht në pronësi të shtetit dhe për prona që janë tjetërsuar për nevoja publike, por jo për prona të transferuara në interes të politikanëve me ligje që bien ndesh me parimet dhe me detyrimet kushtetuese. Problemi i pronave është themeli i ekonomisë dhe problemi më madhor i shtetit. Kompensimi që serviret si zgjidhje është platformë dështimi financiar dhe social, sepse zgjidhja e qëndrueshme dhe e pranueshme është kthimi fizik dhe secili në pronën e të parëve të tij, konform Kushtetutës.
    AKKP refuzon t’i japë pronarëve draftin e projektligjit të ri
    Me 24 Tetor 2014, në Ministrinë e Drejtësisë u mbajt një tavolinë e rrumbullakët me pjesëmarrjen e grupeve të interesit. Aty u ra dakord që drafti i projektligjit të ri për pronat, të bëhej me grup pune me pjesëmarrës të grupeve të interesit. Deri tani përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve në këtë grup pune nuk janë thirrur, madje as për formë të jashtme. AKKP-ja e ka përfunduar draftin, por refuzohet t`u jepen kopje grupeve të interesit, me pretendimin se pritet që më parë këtë draft ta shikojnë përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Bashkimit Europian. Kujt i shërben kjo logjikë?! 
    Ne jemi pronarët që kërkojmë pronat dhe a duhet që shteti të zbatojë parimet kushtetuese, apo janë europianët që kanë interes të zgjasin jetën e anarkisë së pronës?! Pse duhet të pyeten ata para nesh, pse nuk merret në konsideratë dhe të diskutohet zgjidhja e ofruar nga pronarët? Ku qëndron hilja dhe pse duhet t’i pyesim europianët për dakordësinë për të zbatuar Nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës tonë për pronat?! Kush përfiton nga kjo ortakëri për të justifikuar mashtrimin e radhës? Mos, vallë, dashur padashur, të huajt peshkohen dhe bëhen bashkëfajtorë për shkeljen e të drejtës së pronës dhe mashtrimin e popullit? Kur Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut jep vendime ne favor të pronarëve, paratë nuk i paguajnë fajtorët, d.m.th. pushtetarët dhe ekspertët e huaj që janë paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Pse u dashka medoemos të mbahet i pandryshuar neni 8 i Ligjit 7501, duke shkelur nenet dhe frymën e Kushtetutës dhe të shpenzohen paratë e popullit shqiptar për kompensim financiar, kur zgjidhja konform Kushtetutës nuk ka kosto financiare? Apo mos vallë ka nga ata të huaj, që shndërrohen në sekserë që pranojnë të përdoren për të na bindur ne që të falim pronat tona duke na kompensuar “për një copë bukë“? Qeveritë e derisotme me pronarët kanë pasur më kollaj dredhinë se detyrimet kushtetuese e drejtësinë dhe heshtja e BB-së dhe FMN-së i ka lejuar të bëjnë si të duan. Por edhe sa kohë do vazhdojë kjo tallje? Kush po humbet dhe kush po përfiton nga kjo rrugë e padrejtë që kërkon ta bëjë pronën “fakt të kryer”?
    Politika të shkurtojë dorën që ka zgjatur te pronat e shqiptarëve 
    Zotëri deputetë dhe qeveritarë, në fakt, ju po i shërbeni vetes dhe klanit që ju mbështet, por po shkatërroni popullin dhe Shqipërinë. Ju nuk keni asnjë të drejtë t’i jepni vetes të drejtën e “Zotit’’, sepse Kushtetuta komuniste e vitit 1976 është shfuqizuar që në vitin 1991, bashkë me ndryshimin e sistemit. Ju keni detyrim që të zbatoni parimet e të drejtave të njeriut, ju nuk keni menduar ndonjëherë se nesër do ju gjykojnë se: keni shkelur betimin që keni bërë se do ti shërbeni popullit dhe do zbatoni Kushtetutën. Populli pyetet për shumë gjëra publike e jo të mos pyetet për pronat e tij. Qeveria duhet ta shkurtojë dorën, kur atë e ka zgjatur mbi pronat që i përkasin qytetarit dhe për pronat që akoma edhe pas 24 vjetësh nuk i janë kthyer pronarit. Ligji për transparencën dhe deklarimin e pasurive të politikanëve, që me shumë të drejtë e ka theksuar edhe ambasadori i ShBA-së, zoti Donald Lu, mendoj se duhet të fillojë me vetë shtetin, që duhet të deklarojë se cilat janë pasuritë e tij mbi tokat shqiptare. Gjykata e Strasburgut ka dhënë disa vendime që tregojnë se ju nuk keni dashur të keni as sy dhe as veshë. Si kudo, edhe në Shqipëri prona e trashëguar, është e shenjtë dhe mbrohet me ligj, njëlloj si Atdheu. Reflektoni në qëndrimet dhe vendimet tuaja dhe do kuptoni se ju dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare jeni shkaku për gjakun e 8000 viktimave për shkak të pronës, pa folur për ndëshkimet që janë dhënë e sa të tjera do jepen nga Strasburgu.
    * * *
    Ashtu si dheu e mban pemën të shëndetshme, prona e trashëguar është ajo që e mban njeriun të lidhur me atdheun dhe ju nuk do mund të na bëni njerëz pa atdhe. Është prona ajo që na jep lavdi kombëtare. Është prona ajo që të na ka çuar dhe në çdo moshë na bën përsëri ushtarë në kufi. Në qoftë se qeveria do vazhdojë t’i shmangë pronarët nga të drejtat e tyre për pronën e trashëguar, ajo realizon një platformë që ne pronarët dhe shqiptarët autoktonë të ngelemi pa pronën e të parëve. Kështu, pa pronë të trashëguar dhe me konflikte, shumica do të ndihen më mirë në një vend tjetër, ku të drejtat themelore, Kushtetuta e vendit dhe ligjet zbatohen. Në fakt, ajo strategji që është zbatuar deri sot po pret rrënjët e Lisit të Kombit.
    Me këtë mundësi që më jep shtypi dhe e drejta morale qytetare, apeloj për Kryeministrin e vendit, zotin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës zotin Lulzim Basha të reflektojnë në patriotizmin e tyre personal, ne detyrimin për të ndrequr gabimet dhe pasojat e 25 vjetëve, anarki me pronat tona, që t’i thuhet jo spekulimeve të derisotme të politikanëve të “çorbës” së Katovicës që përgatiti Ramiz Alia. Demokracia fillon kur shteti zbaton Kushtetutën dhe jo kur klanet bëjnë lojëra me pronat tona me llogaritë e ping-pong votimesh. Ne duam që edhe ju të pohoni se duam të vemi në Europë si pronarë dhe jo si lypsa e hajdutë. Ne pronarët origjinalë mirëpresim reagimin tuaj publik.
    *Pronar autokton nga fshati Dukati i Vlorës