Infermierët që i ‘shpëtuan’ testimit në korrik do të hynë në provim në fillim të muajit shtator

    388
    Në testimin e infermierëve të pesë spitaleve universitare kanë marrë pjesë 88% e numrit total. 167 infermierë që i ‘shpëtuan’ testimit në muajin korrik do të hynë në provim në fillim të muajit shtator, së bashku me infermierët e spitaleve rajonale. Kjo deklaratë është bërë nga zv/ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, e cila dha edhe disa detaje të rezultateve të infermierëve. Sipas saj, më mirë kanë dalë buzat e bardha të Sanatoriumit, pra infermierët e spitalit “Shefqet Ndroqi”. Testi kishte në total 35 pyetje, por nga rezultatet paraprake të testimit, infermierët nuk u janë përgjigjur në rregull pyetjeve që kanë të bëjnë me higjienën dhe oksigjenimin, ndërsa më mirë kanë qenë rezultatet e tyre në komunikim dhe etike.

    Testimi&Rezultatet
    Rezultateve paraprake të testimit të infermierëve të dy materniteteve, Sanatoriumit, Spitalit të Traumës dhe Qendrës Spitalore Universitare tregojnë se ata kanë njohuri të pakta në lidhje me higjienën dhe oksigjenimin ndaj pacientit, ndërkohë që rezultojnë më mirë në komunikim dhe etikë. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, theksoi se ky vlerësim është bërë në bazë të një vlere mesatare të përcaktuar, ku infermierët e Sanatoriumit rezultojnë më mirë se pjesa tjetër e infermierëve. “Vetëm 12 infermierë u dhanë përgjigje pozitive të 35 pyetjeve. Vlera më e lartë është për infermierët që punojnë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’. Më pak përgjigje pozitive pati në lidhje me higjienën dhe oksigjenimin e pacientit. Përgjigje të mira kanë marrë pyetjet që lidhen me etikën dhe me komunikimin”, theksoi Ekonomi. Në këtë fazë të parë të testimit për 5 spitalet universitare munguan disa infermierë, të cilët do të testohen bashkë me ata të spitaleve rajonale. Pjesëmarrja në provim e infermierëve ishte në nivelin e 88%. “Kishim parashikuar që të merrnin pjesë 1437 infermierë, por morën pjesë 1270. Pra, pjesëmarrja ishte 88%. Spitali me pjesëmarrjen më të vogël ishte ai maternitetit “Koço Gliozhenit”, me 64%. Ata që nuk hynë në provim ose kanë qenë me pushimet vjetore, ose në proces pune që nuk lëviznin dot kanë një shans të dytë për t’u testuar, pasi do të hynë në provim pas një muaj bashkërisht me infermierët e spitaleve rajonale në shtator”, shpjegoi Ekonomi. Fondi prej 542 pyetjesh i hartuar nga një komision i posaçëm u nda në teza që përmbanin 35 pyetje. Vetëm 12 infermierë u janë përgjigjur pozitivisht të 35 pyetjeve. Të gjitha vlerësimet do u shkojnë drejtuesve të spitaleve për t’i shpërndarë tek infermierët me zarfe. Ndërkohë që do të jetë faza e dytë e testimit, ajo që lidhet me specialitetin ku punojnë, çka do të japë një pasqyrë të plotë lidhur me orientimin ku do të fokusohen programet e trajnimit për infermierët. Testimi për infermierët e spitaleve rajonale dhe qendrave shëndetësore pritet të zhvillohet në javën e parë të shtatorit.
    Sigal