Infermierët, provimi i shtetit në fillim të nëntorit

    431
    Sigal

    Këshilli i Urdhrit të Infermierit analizon punën e deritanishme

    Të sapodiplomuarit në Infermieri do të kryejnë testimin e praktikës profesionale në fund të muajit Tetor dhe ata që do ta kalojnë atë do të regjistrohen për të dhënë Provimin e Shtetit, që do të jetë në ditët e para të nëntorit.

    Cilësia e infermierëve në Provimin e Shtetit

    Gjatë analizës së punës që bëri Këshilli i Urdhrit të Infermierit u vu re se cilësia e studentëve është rritur nga viti në vit, megjithatë përsëri lë për të dëshiruar. “Sa u përket rezultateve të Provimit të Shtetit, duhet thënë se ato kanë ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit. Kujtojmë se deri tani janë dhënë tre herë Provime Shteti, ku në të parin, profesionistët kanë dalë shumë dobët, në nivelin e kalueshmërisë 23%; në provimin e dytë 47% dhe në të tretin vetëm 54%. Kjo tregon që kemi një rritje edhe pse akoma niveli i tyre lë për të dëshiruar”, vlerëson Presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi.

    170 shkelje të Kodit Etik-Deontologjik

    Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Infermierit paraqiti raportin e inspektimit. Për më shumë se 170 raste, grupet e inspektimit kanë gjetur në shkelje të Kodit Etik-Deontologjik, që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit, me uniformën, me komunikimin dhe me qëndrimin në vendin e punës. Të gjitha kanë kaluar për gjykim profesional, vërejtja është regjistruar në kartelën përkatëse për secilin, ka patur paralajmërime dhe gjoba.

    Ankesa për kujdeset infermierore

    “Ndërsa gjatë vitit të kaluar ne kemi patur edhe katër raste të ankimimit të pacientëve apo familjarëve lidhur me kujdeset infermierore dhe shërbimin që u bëhet atyre nga ana e profesionistëve të kujdesit. Dhe këto katër këto raste janë vlerësuar seriozisht, është mbajtur qëndrim, është bërë analiza e rastit, janë thirrur familjarët dhe pacientët, janë dëgjuar nga komisioni i gjykimit profesional e janë marrë edhe masat përkatëse, të cilat kanë qenë që nga gjobat, vërejtjet, dhe deri në heqjen e të drejtës së profesionit për tre muaj”, tha Skënderaj.

    Objektivat e Urdhrit të Infermierit

    Siç bëjnë me dije drejtues të këtij institucioni, dy objekte mbeten kryesoret dhe më shqetësueset: Ai i përmirësimit të sjelljeve etiko-profesionale të profesionistëve të kujdesit infermieror, siç janë infermierët, mamitë, fizio-terapistët, teknikët e laboratorit dhe imazherisë. E në të njëjtën kohë, edhe ngritja e nivelit të tyre profesional në nivelin që kërkon koha, në një nivel evropian. Për këtë, UISH në vazhdimësi do të vijojë të punojë përmes këtij edukimi të vazhdueshëm për përmirësimin e kujdeseve infermierore dhe ka hartuar një plan të posaçëm për këtë edukim. Ku në të gjithë vendin, gjatë vitit në vazhdim, në të gjitha rrethet, do të zhvillohen seminare përkatës me tema dhe sipas nevojave e kërkesave të hartuara në bazë. Pra, do të zhvillohen në të 36 rrethet do të ketë seminare dhe konferenca, për përmirësimin e kujdesit shëndetësor.