India, Papës: Nënë Tereza të shpallet shenjtore në Kalkuta

402
Konferenca episkopale indiane i ka kërkuar zyrtarisht Papa Françeskut të zhvillojë ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës në Kalkuta. Peshkopët indianë dhe popullsia katolike e këtij vendi dëshirojnë që Papa Françesku të celebrojë personalisht Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës pikërisht në vendin ku ajo jetoi e zhvilloi aktivitetin e saj më të madh të bamirësisë e ndihmës ndaj personave të sëmurë e të varfër. Kujtimi i Nënë Terezës është shumë i pranishëm në banorët e Kalkutës e të gjithë Indisë. Mediat indiane informojnë se një kërkesë e tillë do të mbërrijë në Vatikan edhe nga qeveria indiane, ndërsa brenda muajit janar të 2016-s, Papa Françesku duhet të konfirmojë pranimin ose jo të kësaj kërkese. Shenjtërimi i Nënë Terezës është eventi kryesor i Vitit të Mëshirës nisur më 8 dhjetor të vitit 2015 e që do të vazhdojë përgjatë gjithë 2016-s.
Në Indi ka një optimizëm të madh për një vizitë të mundshme të Papa Françeskut në Kalkuta pasi nuk është hera e parë që Ati i Shenjtë celebron një meshë shenjtërimi larg Selisë së Shenjtë në Vatikan, siç ndodhi në janar të 2015-s në shenjtërimin e San Giuseppe Vaz në Sri Lanka, e në shtator në Uashington për San Junipero Serra. Presidenti i Konferencës Episkopale indiane, Sunil Lucas, ka deklaruar se Nënë Tereza nuk është një shenjtëri që i përket së shkuarës e nëse Papa Françesku pranon kërkesën e tyre do të jetë një kontribut i përshtatshëm për të e për Kalkutën, duke i dhënë mundësi këtij qyteti e banorëve të tij të jenë protagonistë në shpalljen Shenjtëri të bamirësisë së tyre. Nëse Papa Françesku do të mbërrijë në Kalkuta, kjo do të jetë hera e parë për Indinë të asistojë në një shenjtërim.
Sigal