Imigrantët për Italinë japin 4 miliardë euro dhuratë në vit

    409
    Japin më shumë nga ç’marrin e ndërkaq paguajnë pensionet e 620 mijë të moshuarve italianë. Raporti i pestë mbi ekonominë e imigracionit të fondacionit “Moressa”
    – Shumë italianëve, imigracioni nuk u pëlqen. Është e vështirë të urdhërohet zemra, por kur vihet në punë koka, është padyshim akoma më e vështirë të mohohet fakti që imigracioni i leverdis dhe shumë, Italisë.
    Kush ka ndonjë dyshim mund të lexojë Raportin e Pestë mbi ekonominë e imigracionit të paraqitur më 22 tetor në Romë nga Fondacioni “Moressa”
    Imigracioni leverdis, në radhë të parë, nga ana demografike. Mes 5 milionë të huajve që jetojnë në Itali, rreth 8,2% e popullsisë, 1 ndër 100 është mbi 75 vjeç (më saktë vetëm 0,9%). Mes italianëve ky raport është mbi 1 me 10 (e thënë ndryshe, 11,9% e popullsisë italiane është mbi 75 vjeç). Pra imigrantët janë krahë pune të rinj në ndihmë të një vendi viktimë e plakjes. Imigrantët janë persona që japin e do të japin akoma për një kohë të gjatë në favor të atyre që kanë paguar në të shkuarën e që tani veç marrin. Studiuesit kanë nga njëra anë e peshores çka imigrantët i paguajnë shtetit në formë taksash dhe kontributesh sociale: 16,5 miliardë euro në vit. Nga ana tjetër sa i kushtojnë ata shtetit për shëndetësi, shkolla, pritjen e parë dhe shërbime të tjera: 12,6 miliardë.

     Llogaria është e thjeshtë: Italia “u ka borxh” 3,9 miliardë në vit. Janë shifra që hedhin poshtë përrallën bajate të imigrantit parazit. Në vitin 2014, për shembull, kontribuuesit e huaj kanë deklaruar të ardhura për 45,6 miliardë euro e kanë derdhur 6,8 miliardë euro si IRPEF (tatimi mbi fitimin) neto. Po të shihet prodhimtaria e 2,3 milionë të punësuarve të huaj, del se gjatë vitit 2014 “PBB i imigracionit” arriti në 125 miliardë euro që përbënte 8,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto kombëtar italian.“Të huajt në Itali, aktorë zhvillimi” është slogani i raportit. E mes atyre aktorëve duhen futur edhe pjesa dërrmuese e 631.141 sipërmarrësit të lindur jashtë Italisë, që janë imigrantë. Nga viti 2009 deri në 2014-ën, në kulmin e krizës, janë shtuar me 21,3%, ndërkohë që numri i sipërmarrësve të lindur në Itali zvogëlohej me 6,9%. Ndërmarrjet e drejtuara nga persona që nuk kanë lindur në Itali janë 524.674 (8,7% e të gjithave) dhe prodhojnë 94,8 miliardë euro Vlerë të Shtuar. Italianëve nuk u pëlqen shprehja “Imigrantët ju paguajnë pensionet”.

     Duhet të dorëzohen e ta lexojnë prapë: “Në vitin 2013 – kujton Fondacioni “Leone Moressa” – kontributet sociale kanë arritur kuotën 10,3 miliardë. Duke e pjesëtuar me pensionin e sotëm mesatar, mund të pohohet që punonjësit e huaj u paguajnë pensionet 620 mijë të moshuarve italianë”. Imigrantët në Itali “ndihmojnë italianët në shtëpinë e vet” (të jenë të vetmit që vënë në jetë “mësimet” e Legës?). Nga ana tjetër shifrat e raportit duhet t’u interesojnë pikërisht atyre që nuk lodhen së përsërituri “t’i ndihmojmë në shtëpi të tyre”. Tani për tani imigrantët ndihmojnë më shumë se Italia edhe “shtëpitë e tyre”: Italia investon as 3 miliardë në vit (ose 0,16% të PBB-së) në ndihmë për zhvillimin, ndërsa imigrantët çojnë 4,9 miliardë euro (0,31 të PBB-së) në atdhe në formë remitancash, të cilave u duhen shtuar edhe shkëmbimet tregtare dhe projektet e kooperimit që lindin pikërisht nga komunitetet e imigrantëve. “Nga të dhënat del në dritë një panoramë imigracioni që nuk ka vetëm zbarkime e emergjencë refugjatësh por, mbi të gjitha, përbëhet nga punonjës të integruar në strukturën italiane. Kontributi i imigracionit – përfundojnë studiuesit – në këtë moment është thelbësor për Italinë”.
    Sigal