Iljas Lumani/ Dy fjalë për Janullatusin dhe atdhetarët e shquar përmetarë

    411
    Sigal

    Jam një qytetar mbi 90 vjeçar që kam ndjekur me vëmendje dhe shqetësim atë ç’ka ndodhi para pak ditëve për Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri” midis Bashkisë dhe Kishës Ortodokse Shqiptare. Unë që po shkruaj këto radhë kam lindur dhe jam rritur në një fshat pranë kufirit grek. Në gjirin e njerëzve të mrekullueshëm, fisnikë, bujarë, mikpritës e atdhetarë të shquar. Ju zoti Janullatos erdhët në Shqipëri me miratimin e qeverisë dhe të Kishës Ortodokse Shqiptare, si një njeri i shenjtë për të ndihmuar në ringritjen e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe jo për të mashtruar besimtarët. Unë e kuptoj se zoti Janullatos është lindur, rritur dhe edukuar, në një familje greke dhe është edukuar me dashurinë për atdheun dhe popullin e vet, por me sa tregojnë bathët, i ka munguar edukimi për një fqinjësi të mirë. Duket qartë se konceptet e tij janë në kundërshtim me pikëpamjet tona për fqinjësinë e mbarë e të qëndrueshme. Ne mendjen dhe shpirtin e Janullatosit ekziston një “megalidhe” e theksuar për helenizimin e jugut të vendit tonë. Veprimet e tij tregojnë se nuk është i dërguari i zotit, por i Patrikanës Greke, si përkrahës i veprimeve çnjerëzore të andartëve grekë nga popullsisë myslimane të Shqipërisë së Jugut, si përfaqësues i Kotokës dhe i Zervës, të cilët masakruan dhe dëbuan çamët, apo i ideve të provokacioneve të gushtit, me shpifjet dhe dërgimin e bandave për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Me sa duket është edhe një neonazist i zellshëm e përkrahës i “Agimit të Artë” dhe krijimit të organizmave të tilla në Sarande, Gjirokastër, Përmet e Korçë, si me thënë shikon ëndrra ditën me diell që nuk do t’i realizosh dot kurrë. Zoti Janullatos dëshiroj t’u them edhe diçka tjetër, nëse nuk ju kujtohen masakrat e andartëve grekë të viteve 1913-1914, në zonën e Kolonjës, Leskovikut dhe Përmetit, të cilat kanë qenë nga më çnjerëzoret, përfshi djegiet, shkatërrimet, vrasjet e masakrimet me të gjitha mjete që kishin në dispozicion. Juve zoti Janullatos gjatë gjithë kohës që jeni në Shqipëri nuk u kam dëgjuar që të thoni qoftë edhe një fjale të vetme, në media apo në konferenca shtypi për vendin dhe kishën që është ngritur në qendër të Tiranës. Kur juve hirësi, e quani veten si të dërguarin e zotit e njeri shpirtmirë, se luftoni për përparimin dhe forcimin e kulturave fetare dhe bashkëpunimin vëllazëror, pse merreni me mashtrime për kishën e Përmetit? Kur jini kaq zemërgjerë pse nuk ndërtoni një kishë për Shën Mërinë në Përmet, por doni medoemos të zhdukni Shtëpinë e Kulturës, e cila mban edhe një emër të madh siç është ai i Naim Frashërit. Po ua them ballazi dhe qartë se, veprimet tuaja janë me djallëzi e mashtrime kundër shqiptarëve. Unë si qytetar dhe si veteran i Luftës së Dytë Botërore po deklaroj se, ka ardhur koha që të shkoni me nder në vendin tuaj, sa të jetë e mundur më parë, sepse më vonë nuk dihet se si do të largoheni. Gjithashtu dëshiroj t’u jap edhe porosinë e fundit: Lëreni rehat dhe të lirë, dhe në punën e vet, Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, siç ka qenë gjithmonë. Jam mjaft i indinjuar nga disa qytetarë e priftërinj të gënjyer e të mashtruar kolonjarë e gjirokastritë që erdhën në Përmet dhe bënë një veprim që do të mbet vetëm në turpin e tyre. Mos lejoni që Janullatosi, me një grup priftërinjsh të mashtruar dhe me priftin jezit dhe rrufjan Thomollari pa dinjitet, t’iu bëjë vegël të qarqeve ekstremiste greke.

    *Veteran i LANÇ