Ilirjan GJIKA: Ju tregoj njohjen e çuditshme me humoristin që ka thyer rekordin e spektatorëve para vitit 1990

    541
    Sigal

    Romani “Lejlekët nuk vijnë më” nuk është veçse një libër autobiografik i shkrimtarit Pëllumb Kulla

    Gëzuar! – i thamë njëri-tjetrit dhe trokitëm gotat me verë, aty në hollin e teatrit “Bylis”. Ndërsa të ftuarit e tjerë të mbrëmjes poetike, sodisnin stendat me poezi dhe fotot e Niko Kavadhias, lirikut të detit, ne të dy nisëm bisedën.

    -A e dini Profesor i thashë, se një nga tregimet tuaja është përfshirë në librin e letërsisë shqipe të gjimnazit.

    -Po e di m’u përgjigj shkrimtari. Megjithatë, unë dëshiroj t’jua jap librin, nga i cili është shkëputur ai tregim. Dhe befas më la gotën e tij në dorë dhe u ngjit në studio, nga ku u kthye me librin e tij: “Lejlekët nuk vijnë më”, mbi të cilin shkroi autografin: “Ilirjanit, me konsideratë autori”.

    Mekanikisht i zgjata gotën e tij dhe pasi i trokitëm përsëri, ai e piu me një frymë dhe më zgjati dorën.

    -Tani do të më falësh, por më pret trupa për prova! Lexoje dhe bisedojmë, kumboi zëri i tij, ku ndihej një ndjenjë miqësie.

    Mbeta vetëm, atje në hollin e teatrit “Bylis”. Me një dorë shtrëngoja gotën me verë kurse në tjetrën librin, që më dukej si teza e provimit që duhej të jepja përpara mjeshtrit Kulla.

     2.

    Librin e lexova qysh atë mbrëmje. Por m’u deshën shumë ditë të tjera, për të krijuar një ide të plotë mbi të. Duke “kërkuar’’ në biografinë e Pëllumb Kullës dhe duke biseduar me shumë nga miqtë tanë të përbashkët nxora përfundimet dhe u ula për të shkruar këtë temë.

    Romani “Lejlekët nuk vijnë më” nuk është veçse një libër autobiografik i shkrimtarit Pëllumb Kulla. Pavarësisht se ai nuk e quan atë cikël me tregime, por roman, libri për nga kompozicioni përbëhet nga 30 tregime-pjesëza mozaiku të rrëfimit, që autori me anë të një stili të veçantë të një natyre përshkruese, e përcjell tek lexuesi.

    Duhet theksuar se atë që nuk arriti ta bënte gjatë fazës së parë të veprimtarisë së tij letrare, që përkon me periudhën e realizmit socialist dhe që ishin botime kryesisht për teatrin e komedisë dhe varietesë si: “Lipe Shtogu në listë”, 1980; “Shoku Niqifor”, 1980; “Portrete pa makijazh”, 1984; “Po martojmë Malon”, 1986; “Këshilla për fëmijët nga 5 deri në 55 vjeç”, Kulla e realizoi pas viteve ‘90-të, kur nis faza e dytë e kësaj veprimtarie.

    Të tillë janë librat: “Si qeshnim në diktaturë”, 2002; “Rrëfenja nga Amerika”, 2003; “Teatri kjo lojë magjike”, 2007; “Vdekja e Enver Hoxhës”, etj..

    Pikërisht në këtë kapitull të aktivitetit të tij letrar vendin qendror e zë romani “Lejlekët nuk vijnë më”, botuar në vitin 2005. Autori e ndërton subjektin në mënyrën më tërheqëse duke e vendosur atë kryesisht në Gollokamje, një fshat të Korçës dhe më pas e zhvendos gradualisht dhe në mënyrë të natyrshme në Korçë, Tiranë, Sarandë, Fier dhe Vlorë. Gjithsesi, edhe kur ngjarjet zhvillohen në këto qytete, me anë të një rrëfimi të ‘’rafinuar’’, mjeshtri Kulla, do të nxjerrë përsëri Gollokamjen, herë-herë nëpërmjet dialogëve të personazheve, herë duke përkujtuar një ngjarje të dikurshme që ka ndodhur atje.

    Rrëfimi nis me një epilog, ku vendoset piketa e parë e romanit dhe mbyllet me një prolog që është pika e fundit e tij. Midis tyre autori “heq” një tangente dhe në këtë “segment” ndërton subjektin e tij, ku në nëndarjet e tij, tregim pas tregimi përpiqet që si një mjek i duruar t’i bëjë “skanerin” periudhës së diktaturës komuniste.

    Sipas tij, Gollokamja, nuk është vetëm një fshat i Korçës, por është Shqipëria në miniaturë, tek e cila gjen personazhe nga më tipikët si: komunistë fanatikë të tipit Rako Baruti, kulakë si Maqo Bezhani, policë si Sulçe Bërzima dhe Ligor Mihali, ish- sigurimsa si Nexhati, mësues si Selam Fiçorri, kooperativistë si plaku nga Shkoza e Vlorës, shoferë si Vahiti, apo idiotë si Bobo Rredhi.

    Vëzhgimet e drejtpërdrejta, mbresat e gjalla nga ajo periudhë, njohja e mirë e psikologjisë së njerëzve, e ndihmojnë mjeshtrin Kulla të krijojë figura të spikatura, që nxisin kureshtjen dhe fantazinë e lexuesit.

    Librin e shoqëron një paralelizëm i çuditshëm ku pleksen me njëri-tjetrin realja dhe irealja, e zakonshmja dhe absurdi.

    Me një përgjegjësi qytetare dhe qëndrim aktiv ndaj dukurive, Kulla shfaqet si një vëzhgues i mprehtë dhe i vëmendshëm ndaj realitetit, i etshëm për ti paraqitur ato ‘’bruto’’ ashtu si kanë ndodhur në realitet. Të tilla skena i gjejmë në faqet e këtij libri, ku mësuesi i burgosur pasi rrihej nga policët paradite, u mësonte atyre shkrim e këndim pasdite, të rinjtë që shkëmbenin puthje pasionante kur vagoni i trenit futej në tunel, patrulla e kufirit që vriste ata që tentonin arratisjen, kooperativistët që nuk plotësonin dot normat, arrestimet që bëheshin natën, apo metodat e rekrutimit që përdorte sigurimi I shtetit, etj.

    E veçanta e librit është se ngjarjet tregohen nga autori, i cili sipas mënyrës së tij, pasi “ndërton” pikënisjen e subjektin nis rrëfimin e mirëfilltë, nëpërmjet personazhit kryesor të tij Melis Fiçorrit.

    Melisi në vetvete nuk është veçse një njeri i thjeshtë, i cili pasi largohet nga fshati i tij Gollokamje vendoset në Tiranë. Aty shkollohet dhe nis punë në Kinostudio, por papritur nisin edhe andrallat e jetës së tij.

    Të këqijat i vijnë krejt rastësisht kur shefi i personelit zbuloi se ai vinte nga një familje me biografi jo të mirë, pikërisht nga Gollokamja, “fshati që nuk kishte nxjerrë asnjë partizan dhe që nuk kishte dhënë asnjë dëshmor’’.

    Ndërkohë kjo rastësi do ta vështirësonte jetën, ku pas një aksidenti me makinën e ndërmarrjes, do ta transferonin si ekonomist në pularinë e një qyteti të vogël. Këtu gjërat do të zhvillohen ndryshe sepse Melisi do të jetojë në dukje mirë, kryesisht në saj të aftësive të tij profesionale, por jeta e tij kurrë nuk do të jetë e lirë. Në çdo moment ai do të jetë nën kontrollin e shtetit–burg, njëlloj si në Gollokamjen e tij.

    Bashkë me letrat anonime, kontrollin, shpifjet, intrigat, dëgjimin fshehurazi të radiove të huaja, dhunimin e të drejtave të njeriut, é deri në vdekjen e diktatorit do të vazhdojë jeta e tij, derisa një ditë do të vdesë nga zemra, atje në stacionin e fundit të tij, në qytetin që festonte si ditë çlirimi 18 Tetorin (Fierin).

    Pra, romani i cili në dukje tregon, jetën e një ekonomisti që pat punuar në kinostudio në çështjet e financës, (fq.7) e më pas e patën dërguar në pularinë e një qyteti të vogël, larg Tiranës, është në vija të përgjithshme rrëfimi autobiografik i jetës së autorit. Janë të shumtë elementët e librit që na e dëshmojnë këtë gjë, për të cilin lexuesit të zakonshëm as që i vete ndërmend një fakt I tillë. Ndoshta pikërisht për ta fshehur këtë gjë autori e ka ‘’copëzuar’’ në tregime romanin në fjalë.

    Duhet thënë se ka shumë gjëra që afrojnë Melisin tek Pëllumb Kulla. Në libër del qartë se Melisi është nga një fshat i Korçës, nga Gollokamja, që në këtë rast është një emër i sajuar nga autori. Por edhe Pëllumb Kulla, duhet ti kujtojmë lexuesit se është me origjinë po nga një fshat i Korçës, nga Zëmblaku. Ashtu si Melisi edhe ai u diplomua në Tiranë dhe po kështu njëlloj si ai u dërgua për arsye biografie duke u vendosur diku në një qytet të vogël. Është Fieri qyteti në fjalë, ku Melisi-Pëllumb mbijetoi për 18 vjet në saj të talentit dhe aftësive të tij të tij të jashtëzakonshme intelektuale.

    Pikërisht këtu mjeshtri Kulla na jep disa nga elementët tipikë të toponimisë të këtij qyteti si: Hotel “Vjosa”, Shkolla “18 Tetori” (sot gjimnazi “Janaq Kilica”), Rafineria e naftës (ku gjithsej në Shqipëri janë tre, Cërrik, Fier, Ballsh), Lagja “15 Tetori”, etj..

    Por autori kur ta lexojë ose lexues me të drejtë do të pyesë…

    Ku e shihni ju të përbashkëtën midis personazhit Melis dhe autorit Pëllumb?

    Në këtë rast përgjigja do të ishte se ai vet e pohon këtë gjë. Mjafton të lexoni në faqen 9 të librit, ku rrëfyesi (autori), pasi gjen në shtëpinë që i bleu Melisit, dorëshkrimet, vendos t’i botojë duke deklaruar se: “Stili i tyre i duket si i imi, përmbajtja jo, ama shpesh vuajtjet e tij më duken si të miat”. Në përgatitjen e librit, tregimet tona, pastaj u përzjenë dhe tani duken ngasja dhe dallimi, por ec e të gjesh kush është i tij dhe kush është i imi’’…..

    3

    Bisedën për librin ne nuk mundëm ta zhvillonim më pas. Të tillë na u paraqitën koha dhe rrethanat.

    Me mjeshtrin u takuam vetëm një javë më pas. Ai sapo ishte kthyer nga Tirana, ku me trupën e Fierit kishte shfaqur komedinë e tij të fundit të titulluar: “Milioneri”. Kafen e pimë shpejt e shpejt dhe biseda jonë u “copëtua” shpesh nga thirrjet e celularit të tij.

    -Pas dy ditësh largohem drejt Amerikës, më tha dhe ne do të komunikojmë veçse nëpërmjet e-mail-it.

    -Dakort Profesor, i thashë. Ndërsa “provimin” po u a nis me postë. Kështu u ndamë. Ai si gjithmonë më përshëndeti me buzëqeshje dhe u nis drejt teatrit, kurse unë mbeta përsëri vetëm, duke mbajtur në dorë fletët e “provimit” të cilat shiu i atij dhjetori nisi ti lagë ngadalë.

     Pëllumb Kulla-Jetëshkrimi

    Pëllumb Kulla lindi në 10 janar të vitit 1940 në Zëmblak të Korçës. Diku në fillim të viteve ‘50-të vendoset në Tiranë, ku nis studimet e mesme në Politeknikum.  Në kryeqytet kreu shkollën e mesme dhe përfundoi Fakultetin e Artit Dramatik në vitin 1964. Emërohet në Vlorë, ku punon më shumë se dy vjet. Për motive të njohura politike e dënuan me pune korrektuese për pesë në guroren e Kaninës dhe në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Pas shumë peripecish në vitin 1972 vendoset ne Fier, ku sapo ishte krijuar Teatri profesionist. Shfaqja e tij e parë ku mori pjesë si aktor ishte premiera e Estradës në Pranverën e vitit 1972, e titulluar ‘’Revistë’’. Këtu punoi për 18 vjet, ku më pas si autor krijoi profilin e tij krijues në fushën e dramës, humorit dhe letërsisë. Në repertorin e teatrit “Bylis” dhe të TVSH-së, u shfaqën një sërë dramash, komedish dhe skeçesh, një krijimtari artistike që i dha emër në të gjithë Shqipërinë. Nga botimet e tij mund të përmendim atë të vitit 1979, siç ishte përmbledhja me skeçe, monologë dhe pjesë me një akt ‘’Lipe Shtogu në Listë’’. Një vit më pas u botua komedia ‘’Shoku Niqifor’’, e cila shënoi suksesin e dytë në historinë e Teatrit Bylis. Ndërkohë që në vitin 1984 do të botohet përmbledhja e dytë me monologë, dialogë, skeçe dhe komedi me një akt “Do martojmë Malon”. E veçanta e vëllimit ishte se ai ishte i ilustruar me skica nga karikaturisti i njohur Bujar Kapexhiu. Në vitin 1986, Kulla boton përmbledhjen e tretë me skeçe, monologë, dialogë dhe komedi me një akt “Portrete pa makijazh”. Dy vjet më vonë në vitin 1988, shtëpia botuese ‘’Naim Frashëri’’ botoi një tjetër vëllim pjesësh për estradën. Kësaj radhe ishte vëllimi me skica dhe tregime “ Këshilla për fëmijët nga 5 deri në 55 vjeç’’. Ndërkohë, Pëllumb Kulla shkroi dhe vuri në skenë edhe shumë drama dhe komedi të tjera, të cilat nuk u botuan në atë periudhë por që patën mundësinë të ‘’shihnin dritën’’ e botimit tek kolana prej katër vëllimesh e krijimtarisë skenike të tij, e titulluar ‘’ Teatri, kjo lojë magjepsëse’’ në vitet 2007-2011. Të tilla ishin ‘’Kryevepra’’ ‘’Dy krisma në Paris’’, shkruar në bashkëpunim me Sheri Mitën në vitin 1980, vepër me të cilën teatri “Bylis” arriti suksesin e tij më të madh; drama ‘’Flokë dëbore në prill’’, shkruar bashkë me Enver Isufin në vitin 1984 dhe venë në skenë nga teatri “Skampa” në Elbasan;  “Kërcuri’’ një tjetër dramë-komedi e shkruar sipas një legjende të vjetër myzeqare, në vitin 1988, por që u vu në skenë plot pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Një tjetër dramë e suksesshme ishte edhe ‘’E bukur shtëpi e vjetër’’, shkruar dhe shfaqur në skenë nga teatri “Bylis” në vitin 1989, për të vijuar me komedinë historike ‘’Sa shumë gjethe të thata ranë atë vjeshtë’’, shkruar po në vitin 1989, etj..

    Në vitin 1990-1992, Pëllumb Kulla punon si pedagog dhe më pas dekan i Fakultetit të Artit Dramatik. Ndërsa në vitin 1993 i kushtohet diplomacisë fillimisht në Bon të Gjermanisë dhe më pas si ambasador i Shqipërisë në Nju Jork. Që nga viti 1993 jeton në SHBA, ku pas vitit 1997 i kushtohet përsëri letërsisë. Kështu boton librat “Si qeshnim në diktaturë”, botuar në Tiranë në vitin 2002 nga Shtëpia Botuese Arbri; ‘’Rrëfenja nga Amerika’’, botuar nga shtëpia botuese “Arbëria” në vitin 2003 në Tiranë; ‘’Lejlekët nuk vijnë më’’, po nga Arbëria në vitin 2005’’; ‘’Teatri kjo Lojë Magjepsëse’’, në tre vëllime , botuar po në Tiranë nga botimet “Ideart” në vitin 2007; ‘’Vdekja e Enver Hoxhës’’, botuar një vit më vonë në 2008 nga Arbëria; dhe vëllimi i katërt, në kolanën “’Teatri kjo Lojë Magjepsëse’’, botuar në Tiranë në vitin 2011, nga shtëpia botuese “Albin”. Në vitin 2003, Pëllumb Kulla ‘’rikthehet’’ përsëri tek teatri dhe vendos  në skenën e Fierit  dramën ‘’Kërcuri’’. Kështu, në vitin 2009 teatri “Bylis” vë në skenë varietenë humoristike ‘’Kolltuku Amerikan’’. Ndërsa në rolin e autorit-regjisor, komedia e tij ‘’Milioneri’’ e shfaqur në nëntor të vitit 2010, fitoi në janar 2011, në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan Çmimin e Komedisë më të Mirë.

    Një vit më vonë ai vuri në skenë një tjetër komedi të titulluar ‘’Dikush duhet të vdesë’’, ndërsa në vitin 2012, teatri “Bylis” vuri në skenë dramën e fundit të tij ‘’Shshsh…ule zërin’’.