Ilirian Demiri: Sindikatat e mësuesve, çerdhe mashtruesish dhe hajdutësh

    703
    Tashmë asgjë nuk dihet për pronën e madhe që trashëgoi kjo lëvizje nga Bashkimet Profesionale. Ku shkoi gjithë ajo pasuri? Kush e grabiti ndër vite? Pse në Shqipëri, kur varfëria është në zgrip, askujt nuk i shkon mendja për një protestë?
    Në Shqipëri nga dita në ditë po bëhet më e qartë se gjithçka noton në një lumë të ndotur, aq sa shumica e shqiptarëve e kanë të vështirë të jetojnë. Kjo po i bën ata që të mos rreshtin përpjekjet për t’u larguar nga vatra stërgjyshore. Çdo qelizë e jetës në Shqipëri “është pushtuar” nga një çerdhe mashtruesish e hajdutësh. Aq sa nuk ka ditë që të mos mësosh për bëmat e reja të klasës së mashtruesve. Mashtrimet e pafund janë krejt të lexueshme, veçanërisht në sektorin e arsimit, ku të gjithë ia kanë marrë anën vetëm të vjedhin, të vjedhin mësuesit që tashmë edhe vetë e dinë se janë thjesht skllevër. Ja bie fjala, ç’u duhen mësuesve sindikatat në gjendjen që janë sot? Ato janë kthyer në një monstër të ndyrë që lozin valle në kurriz të mësuesit. E mashtrojnë atë, aq sa pa e pyetur farë ia marrin në pagë të ashtuquajturën kuotizacion të sindikatës. Shumë lexuesve kur u thua se në pagë çdo muaj u ndalet për sindikatën 100 lekë çuditen. Kështu ka qenë deri sot. Tani kur kësaj ndyrësire i “ka dalë era në shesh”, edhe sindikata ka ndryshuar. U ka kërkuar mësuesve të nënshkruajnë një kërkesë si pjesëmarrës së sindikatës. 

    Dhe aty kanë vënë në dukje se, mësuesit janë dakord që në pagë t’u mbahet kuotizacioni. Mirë këta lloj maskarenjsh arrijnë t’i mashtrojnë mësuesit, po institucionet shtetërore pse heshtin dhe lejojnë lëvizjen e lirë të mashtruesve në dokumentet shtetërore? Aq sa mësuesit t’i ndalohet në pagë një sasi lekësh pa ia bërë të ditur. Kjo është një poshtërsi ekstreme! Mirë këta lloj sindikalistësh ia kanë gjetur anën të mashtrojnë këdo, po si nuk u shkon mendja një herë të ndihmojnë mësuesit? Sepse të dy sindikatat e kanë pasur të shënuar të zezën mbi të bardhë se, “punëdhënësi pranon kërkesën e sindikatave që rritja vjetore e pagës për punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar në çdo rast të mos jetë më e ulët se përqindja zyrtare e inflacionit në vend”. Këta lloj mashtruesish sindikalistë mund të na tregojnë se cilit mësues i është rritur paga qoftë edhe një lekë gjatë këtyre 3 viteve të fundit? Sipas mashtruesve sindikalistë, largimi nga puna i mësuesve bëhet pasi janë marrë një varg masash disiplinore duke nisur nga këshillimi e vërejtja. Po deri tani, largimi nga puna është kryer vetëm mbi baza politike, sipas partisë që ka ardhur në fuqi pas zgjedhjeve. 

    Kryetarët e sindikatave, si “gjeneralët e ushtrisë së vdekur”
    Atëherë për çfarë duhet sindikata? Këto janë vetëm dy shembuj që tregojnë llumin ku është zhytur lëvizja sindikaliste. Asnjë protestë, asnjë ndihmë ndaj të punësuarve. Vetëm mashtrime pafund të tyre. Poshtërsitë janë nga më të ndryshmet. Ndonjë sindikatë edhe dekoron drejtues partie për të vetmen meritë se ia ka arritur të tallet me sindikalistët. Këto ditë dy sindikatat po kërkojnë firmën e mësuesve. Jo vetë, por me të deleguar. U kërkojnë firmën duke u premtuar çfarë u kanë premtuar që në fillimet e demokracisë. Të jesh anëtar i të tilla sindikatave është më shumë se turp. Sepse këto sindikata drejtohen nga mbretër hajdutë që nuk e lëshojnë vendin edhe pas vdekjes. Ja, p.sh, drejtuesi i njërës prej sindikatave të arsimit është mbi 85 vjeç. Dhe ai ka bërë be: Edhe pas vdekjes unë do të jem president i sindikatës. Vendin nuk e lëshoj edhe kur të shkoj në botën tjetër. Nuk është “kandidati” i Ben Blushit, po drejtuesi i një sindikate në Shqipëri, i një sindikate që nuk ka bërë zgjedhje që nga viti 1991. Këto ditë në një mënyrë a tjetër sindikatat u janë afruar mësuesve. Por nuk u shkon ndërmend t’i kërkojnë falje mësuesit. Sepse tashmë edhe vetë sindikalistët thonë: mësuesit janë mësuar të mashtrohen. Madje po të mos i mashtrosh u duket çudi dhe pyesin njëri – tjetrin: çfarë ka ndodhur? Pse kanë mbaruar mashtrimet? Sepse mësuesit nuk mund të jetojmë pa u gënjyer. Po duket se tashmë sindikatave u ka mbaruar fryma e mashtrimeve të pafund.

    Sepse këtë radhë nuk janë të paktë edhe mësuesit që nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontratën e afruar nga mashtruesit. “Më mirë të na gënjejnë punonjësit e shtetit se monstra të tilla pseudo-sindikaliste”, thonë disa mësues që nuk pranuan të nënshkruajnë kontratën e afruar nga krerët sindikalistë. Një pamje tragjike e sindikalizmit në sektorin e arsimit. Po e tillë është situata edhe në sektorët e tjerë. Sindikalizmi prej vitesh ka vdekur. Ndoshta duhet nisur nga e para për gjithçka. Duke luftuar korrupsionin, që po i zë frymën edhe lëvizjes sindikaliste. Sepse tashmë asgjë nuk dihet për pronën e madhe që trashëgoi kjo lëvizje nga Bashkimet Profesionale. Ku shkoi gjithë ajo pasuri? Kush e grabiti ndër vite? Pse në Shqipëri, kur varfëria është në zgrip, askujt nuk i shkon mendja për një protestë? Të paktën për t’iu treguar gjithë të korruptuarve të këtij pushteti familjar se nuk mund të durojnë sa t’u dalë fryma nën këtë mjerim, që ka mbërthyer Shqipërinë. Për t’ia dalë me sukses, kërkohet në radhë të parë zhdukja e sindikatave të tanishme, zhdukja e kësaj çerdheje mashtruesish e hajdutësh të pafre.
    Sigal