Ilirian Demiri: Kur vendos PS se cili mësues është i dalluar

    373
    Sapo kaloi Viti i Ri, “Rilindja” nuk mënoi t’u hedhë një kockë ndër këmbë mësuesve. Vetëm se çudia është se kjo “Rilindje” edhe kur të hedh kockën ndër këmbë më shumë kujdes tregon për nivelin e fyerjes se të ndihmës që të jep. Ndaj mësuesit të lodhur me mashtrimet dhe fyerjet vetëm mallkuan: “U zëntë tartakuti”. Por “Rilindasit” për kaq mallkim nuk duan t’ia dinë, sepse janë mësuar. Ndërsa mësuesit e shkretë as të mallkojnë nuk dinë mirë. Edhe pse lënë të çuditur gjithë komunitetin. Sepse sa filloi viti tjetër, mësuesve iu dhanë shpërblimet. Ato shpërblime që premtoi Edi Rama që mashtrimet i ka si trupi, të gjata 2 metroshe. Kur u drejtuan të tërhiqnin shpërblimin, mësuesit u habitën: thuajse asnjë prej tyre nuk kishte shpërblim, asnjë prej mësuesve të dalluar që i njeh i gjithë komuniteti nuk ishte në listë. Nisën të interesohen se kush i kishte hartuar listat e mësuesve të dalluar ku binin në sy mësues të rinj që kishin nisur punë në muajin shtator apo të tjerë socialistë e kushërinj, farë e fis të mashtruesve socialistë që kanë zënë tashmë gjithë kryet e vendit. Dhe pastaj thonë sepse po ikin shqiptarët? 
    Mashtrimet e “Rilindjes”
    Po a mund të qëndrosh në një stan me të tillë hajdutë e mashtrues? Kështu dalëngadalë çudia u shpërnda në mbarë vendin. Vetëm “rilindësve” nuk u bëri asnjë lloj përshtypjeje sepse ata e dinin të vërtetën: mashtrimi ishte krejt i dukshëm, sa nuk lanë për të tjerët asnjë qindarkë. I mbajtën të gjitha për vete. Dalëngadalë, të nervozuar, vetë drejtuesit e shkollave e të drejtorive arsimore “ia nxorën petët lakrorit”. “Ne nuk na ka pyetur njeri për mësuesit e dalluar. Është poshtërsi të shënosh në listat e mësuesve të dalluar për një shpërblim mësues që sapo kanë nisur punën”, thanë të nervozuar disa drejtues shkollash. “Gjithçka ka shkuar rrokopujë. Po ua tregojmë, po mos na nxirrni ne. Emrat e mësuesve të dalluar i kanë përcaktuar kryesitë e partive. Deri në këtë shkallë ka arritur poshtërsia e me nder njerëzve që po na drejtojnë”, thonë me neveri disa drejtorë arsimi. Tashmë për mësuesit dhe komunitetin janë zbardhur me gjithsej të gjitha petët e lakrorit të qelbur që “ka pushtuar” gjithë sektorin e arsimit, ku me gjoja “reformën” po mbulohen shumë poshtërsi. Sepse shpërblimi i fundvitit është vetëm një poshtërsi e veçantë që mbulon edhe shumë të tjera, për të cilat vazhdon të heshtet edhe pse njihen me gjithsej.
    Blerja e krediteve
    Deri pak kohë më parë ndër çuditë më të mëdha të sektorit të arsimit ishte edhe tregu i krediteve. Çdo mësuesi i ishte imponuar blerja në vit e 6 krediteve me 1000-2000 lekë për një kredit. Pas shumë ankesash në media, Ministria ndryshoi mendje. Uli numrin e krediteve në 3 që mund të fitoheshin përmes pjesëmarrjes në veprimtari profesionale. Madje mësuesit u kërcënuan se do të largoheshin nga puna nëse do të blenin kredite. Vetë drejtuesit e dikasterit e kanë pranuar se, “është abuzuar”. “Është turp të blesh një kredit”, thanë ata kur iu zbuluan petët lakrorit të qelbur. Më pas u hesht. Edhe pse tregu i krediteve, për një kohë ka qenë epiqendra e veprimtarisë së mafies në sektorin e arsimit, ku fitimi me shpenzime minimale ishte kolosal. Edhe pse deri tani nuk është zhvilluar kund ndonjë kurs trajnimi. Mësuesit vetëm frikësohen me testime që duhet të kryejnë nga muaji në muaj dhe nga viti në vit. 
    Hajdutët e sindikatave
    Mashtruesit ia kanë gjetur anën duke bashkëpunuar edhe me drejtuesit sindikalistë. Këta mashtrues ia marrin në pagë paranë mësuesit si pagesë të anëtarësisë. Siç nuk ka ndodhur asnjëherë. Këto sindikata drejtohen nga hajdutë që nuk e lëshojnë vendin edhe pas vdekjes. Fjala vjen një drejtues i njërës prej sindikatave të arsimit është 85 vjeç. Dhe ai ka bërë be: “Edhe pas vdekjes unë do të jem president i sindikatës”. Kështu mësuesit vazhdojnë të mashtrohen. Vetë mësuesit janë të trembur aq sa duket sikur ‘u ka hyrë lepuri në bark’. Tremben dhe nuk flasin. Edhe pse e shohin se po mashtrohen nga të gjithë. Këtë e di edhe vargu i mashtruesve. Ndaj as nuk u shkon ndërmend t’i kërkojnë falje mësuesit, kur të gjithë e shohin si janë gënjyer mësuesit e shkretë. Sepse ata janë mësuar të mashtrohen. Madje po të mos i mashtrosh u duket çudi dhe pyesin njëri tjetrin: çfarë ka ndodhur? Pse kanë mbaruar mashtrimet? Sepse nuk mund të jetojmë pa to. Ndërsa heshtin vazhdojnë edhe të tregojnë ndonjë ngjarje të radhës. Nga thesi i tyre. Ja një që po zë shumë vend këto ditë në shkolla. Një drejtor shkolle mblodhi një ditë fund dhjetori mësuesit dhe u tha: do të nxjerrim një mësues të dalluar për t’u shpërblyer me 40 mijë lekë. Siç tha ai kryeministri i gjatë që ne kemi. Secili mësues e dinte se ishte ai më i dalluari. Kur drejtori e pa se asnjë nuk po fliste iu drejtua mësuesve sërish: Dëgjoni, në shkollën ku isha më parë e vendosnim kështu: Shënonim emrin e një mësuesi të tërhiqte shpërblimin, pastaj e ndanim njëlloj për të gjithë mësuesit. Sepse të gjithë kanë zhvilluar orën e mësimit. Ndaj është e kotë të kërkojmë se cili është më i dalluari se tjetri. Kështu mbetën të gjithë të kënaqur. Madje thanë: si nuk na shkopi mendja për këtë zgjidhje të drejtë? Po gëzimi i tyre zgjatë pak ditë. Shpërblimin e mori një mësuese e re që sapo kishte nisur punën në shtator. Mësuesit i thanë drejtorit: Si mund të jetë e dalluar një mësuese që sapo ka nisur punën? Se kush është i dalluar e vendos PS. “Po kështu është maskarallëk”,- thanë nën zë mësuesit. “Kush flet më shumë largohet nga puna. Ky është urdhër i partisë,- iu drejtua atyre drejtori. Mësuesve askush nuk u kërkoi falje për këto lloj mashtrimesh idiote, por vetëm u kërcënuan të mbyllin gojën për vargun e gjatë të mashtrimeve. Edhe pse mësuesit blenin kreditet siç do bënin për domate apo kastraveca. Paradokset në arsim janë të pafundme. Ato vetëm po zgjerohen. Ndërsa Ministrja e “UFO”-s na thotë pa iu dridhur qerpiku se “po vazhdojmë reformat”.

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 14.01.2016
    Sigal