Ilir Yzeiri:Qeverisja e deritanishme dhe zhgënjimi që ka sjellë

    391
    Sigal

    INTERVISTA/  Flet pedagogu dhe gazetari Ilir Yzeiri

    Në këtë intervistë pedagogu dhe gazetari Iliri Yzeiri analizon çështjet më të fundit socio-politike nga plani i analistit dhe apolitizuarit. “Marrëveshja LSI-PS largoi nga opozita e bashkuar frymën opozitare. Fryma opozitare e përkthyer në vota do të thotë të pavendosurit. Sot të pavendosurit nuk do të votojnë. Mirëpo pjesëmarrja e ulët favorizon gjithmonë qeverinë”, kushtu u shpreh z. Yzeiri koalicionin parazgjedhor PS-LSI.

      -Si do ta komentonit temperaturën politike tani para zgjedhjeve të 23 qershorit? 

    Nuk shoh ndonjë temperaturë të ndryshme nga ajo që kemi parë e provuar në gjithë këta vjet. Është rritur pak tensioni dhe është shtuar më shumë pjesëmarrja e publikut në debatin politik. Pas afrimit të LSI-së me PS-në ka shpërthyer një prirje për të shfaqur secili nga ata që bëhet pjesë e këtij debati, profilin e tij moral përballë politikës shqiptare që, në të vërtetë ka qenë gjithmonë jo vetëm e pamoralshme, por edhe kundërpopullore dhe, në të shumtën e rasteve, klienteliste.

     – A ka qenë në këto 8-vjet opozita në një pozicion të fuqishëm për të rrëzuar dy qeveritë Berisha, me një barrë gabimesh si ajo e Gërdecit dhe 21 Janarit? 

    Këtë nuk mund ta them, sepse, personalisht jam kundër zgjidhjeve revolucionare të rrëzimit apo të marrjes së pushtetit me protesta. Opozita, në këta tetë vjet, sipas mendimit tim, ka qenë një forcë e madhe kundërshtuese dhe kritike e ashpër e të gjitha veprimeve të gabuara të qeverisë. Gërdecin opozita nuk e ka miratuar kurrë, madje ka protestuar ashpër kundër aferave korruptive e familjare të kryeministrit Berisha. Opozita ka frymëzuar në gjithë këta vjet një frymë optimizmi dhe rilindjeje gjithashtu, sepse ajo ka qenë gjithmonë në krah edhe të opinionit publik, i cili në Shqipëri është mjaft i kultivuar dhe nuk manipulohet lehtë. Të mos harrojmë se në krah të opozitës, madje para saj, disa herë ka qenë media opozitare dhe një radhë gazetarësh e analistësh aktivë që nuk kanë bërë kauzë me pushtetin dhe nuk janë joshur prej tij. Këto tetë vjet kanë qenë edhe rilindje e shtypit dhe e medias së vërtetë opozitare nga njëra anë dhe konsolidimi i medies së kalbur e në shërbim të qeverisë nga ana tjetër.

     -Ku ka gabuar opozita në këto 8 vjet qeverisjeje  të PD-së? 

    Ka gabuar vetëm natën që i dha konsensusin Berishës për ndryshimet kushtetuese. Atë natë Edi Rama i dha Berishës me dorën e tij çelësin për të kontrolluar të gjitha pushtetet në Shqipëri. Pra vetëm atë natë.

     – A është Rama një udhëheqës që i përket një të majte të mirëfilltë dhe që mund të qeverisë me kompetencë? 

    Në demokraci nuk ka udhëheqës të kompletuar, sepse drejtimi i qeverisë është vetëm një anë, ndërsa mbarëvajtja e vendit varet nga shumë e shumë faktorë. Në demokraci një kryeministër kurrë nuk mund të çmohet ashtu si duhet sepse në themel të këtij sistemi është dyshimi dhe kritika. Gjithmonë do të ketë një palë që do ta çmojnë punën e tij dhe gjithmonë do të ketë një palë që do ta kundërshtojnë e nuk do ta miratojnë. Në këtë fazë që jemi ne, e rëndësishme është që kryeministri i ardhshëm të mos i ngjyejë duart me gjak shqiptari, siç bëri ky i sotmi, të mos firmosë VKM për grabitjen e pasurisë publike dhe të mos ta kthejë Shqipërinë në një çiflig të familjes. Edi Rama e ka treguar veten se është një sipërmarrës i suksesshëm. Duam apo nuk duam ne, Tirana e sotme, një nga kryeqytetet më të bukur e më vitalë të Ballkanit, është vepër e Edi Ramës. Në këtë pikë unë jam i sigurt se ai do të lërë gjurmë edhe në transformimin e Shqipërisë nga një vend gjysmë oriental me rrugë të nisura e të pambaruara, me qendra të rregulluara e periferi të shkatërruar, në një vend europian e normal. Edi Rama ka një të kaluar më të mirë se të gjithë kryeministrat e mëparshëm. Sot po e deklaroj për herë të parë në këtë intervistë se kryeministri apo shtetari që është sjellë më mirë me këtë vend është Fatos Nano. Ne nuk jemi sjellë ashtu siç duhet me të dhe e kemi anatemuar më shumë se ç’duhet. Sot ai është tërhequr nga politika dhe sillet si një qytetar normal. I kishte të gjitha mundësitë që të na pengonte sepse në vitin 2005 ishte njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë. Mirëpo u largua. Sot ne kemi një kryeministër që siç duken bathët nuk do të largohet as me votë. Edi Rama vjen nga tradita e politikës së Nanos dhe është shumë herë më i pranueshëm se ky i sotmi.

     – Si do ta komentonit qeverisjen e Berishës në këto 8 vjet? 

    Një zhgënjim të thellë. Nuk e mendoja kurrë se mund të transformohej kështu një politikan i atij niveli. Qeverisja e tij është një mishmash i të gjitha paudhësive. Por mbi të gjitha nuk e kisha menduar kurrë se ky njeri do ta bënte kauzë kryesore të qeverisë vjedhjen dhe nuk e kisha menduar kurrë se artin e mashtrimit e të gënjeshtrës do ta shfaqte si stil të jetës. E kam gjithashtu të pamundur ta shpjegoj se si ka mundësi që ky njeri të jetë aleat i mafies serbe, si ka mundësi që mban për mik dhe aleat në biznesin familjar një njeri me emrin Damir Fazlliç. Ndërsa gërmadhat që ai po lë pas duken tashmë ngado. Rrugë të papërfunduara në të katër anët e vendit, Tiranë e shkatërruar me varrin e madh të Piramidës në qendër dhe një klimë të rëndë ndarjeje dhe urrejtjeje.

     -Koalicioni Rama-Meta e gjeti të papërgatitur klasën politike shqiptare sidomos, vetë Berishën. Mendimi juaj për këtë koalicion? 

    E kam thënë edhe në disa komente që kam shkruar. Barazi me të keqen ose një pragmatizëm vulgar që është gatuar nga sponsorë tregtarë, të cilët mendojnë se kështu e majta ka më shumë shanse të fitojë. Unë tani jam skeptik. E majta ka shumë shanse për të fituar, por edhe PD-ja dhe zgjedhësit e qeverisë janë të vendosur që të bashkojnë votat. Nuk jam i sigurt se çfarë thonë sondazhet dhe nuk e kuptoj Ramën pse nuk e vlerëson Aleancën Kuqezi. Loja do të jetë interesante. Vetëm se marrëveshja LSI-PS largoi nga opozita e bashkuar frymën opozitare. Fryma opozitare e përkthyer në vota do të thotë të pavendosurit. Sot të pavendosurit nuk do të votojnë. Mirëpo pjesëmarrja e ulët favorizon gjithmonë qeverinë.

     -Si i mendoni zgjedhjet e 23 qershorit? 

    Uroj dhe dëshiroj shumë që të ketë qetësi, por nuk jam i sigurt nëse do të kemi zgjedhje të drejta apo zgjidhje të dhunshme. Jam skeptik.

     -Dikur një mik i Berishës, pas shumë kritikave reale në shtyp ndaj tij, a je takuar me të këto 8 vjet qeverisje? 

    Jo nuk jam takuar. Me atë njeri i kam ndërprerë marrëdhëniet pas një telefonate jo korrekte që ai më bëri kur isha anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së. Që nga ai moment nuk i shkela kurrë në zyrë dhe as ai nuk më kërkoi kurrë. Që nga ai moment kuptova se kisha humbur dhjetë vjet të jetës sime duke besuar te një i papërgjegjshëm, te një njeri i pabesë dhe i panderë. Zgjodha t’i kthehem profesionit tim. U ktheva pedagog në Universitetin “A. Xhuvani” dhe nga të gjitha anët e quaj veten të rilindur. Kurrë nuk më kanë interesuar paratë që fitohen me thasë. Sot jetoj në mënyrën më të thjeshtë, por kam me dhjetëra shanse dhe oferta nga të katër anët e botës. Jam me të vërtetë me fat që arrita të shkëputem nga ajo ëndërr e pështirë.