Ilir Meta takohet me fermerët e Divjakës: Investime të reja në buqësi

    382
    Sigal

    Shqipëri- Izrael, marrëveshje në bujqësi. Panariti: Ky është modeli që duam të provojmë

    Izraeli dhe Shqipëria do të forcojnë bashkëpunimin me nisma dhe projekte konkrete në fushën e Bujqësisë. Ky ka qenë rezultati i takimit që ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka pasur me ministrin e Agrikulturës dhe Zhvillimit Rural të Izraelit Yair Shamir. Në këtë takim u diskutua për mbështetjen që Izraeli do të japë për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri. Mbështetja izraelite do të konsistojë në dy shtylla kryesore: 1-investimet dhe 2- kërkim, trajnim dhe bashkëpunim në fushën  akademike. Izraeli do të mbështesë Shqipërinë për të investuar në sektorin e qumështit, sera për prodhime dhe fidanë, për prodhimin e farërave akua-kulturë në sektorin e shpendarisë, si dhe në inovacion teknologjik. Nga ana e tij Ministri Panariti shprehu vullnetin e plotë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të mirëpritur investimet dhe asistencën izraelite në këtë sektor. Ministri Shamir duke vlerësuar potencialet e Shqipërisë në sektorin e bujqësisë theksoi se ekziston një interes i veçantë nga biznesi izraelit për të investuar në këtë sektor në Shqipëri.

    Ilir Meta, takohet me fermerët në zonën e Divjakës, njihet me investimet në këtë zonë

    Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi një takim dje me fermerët në zonën e Divjakës për t’u njohur me investimet e kryera në sektorin e bujqësisë. Gjatë vizitës, Meta u ndal në një nga fermat në zonën e Divjakës, “Agro-Liço”, një investim modern në fushën e bujqësisë që ka si aktivitet prodhimin e fidanëve, shitjen e plehrave dhe eksportimin e produkteve bujqësore. Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Ministri i Agrikulturës dhe Zhvillimit Rural të Izraelit, Yair Shamir dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave,  Edmond Panariti. Meta u njoh me investimin e kryer dhe për aplikimin e teknologjisë moderne. Investitori Fatos Liço u shpreh se, firma e tij eksporton jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe në Europën Perëndimore, ndërsa falënderoi Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, për mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e bujqësisë. “Biznesi im është i ndërtuar që krahas këtij sektorit këtu dhe sektorit të plehrave, ne kemi dhe pesticide me origjinë norvegjeze, gjermane dhe izraelite. Sektori tjetër është eksporti. Kemi filluar të eksportojmë më shumë në perëndim si, në Itali, Kroaci, Bullgari, Hungari. Më pas kemi dhe vendet si Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi. Qeveria shqiptare po na mbështet, sidomos Kryetari i Kuvendit”,- theksoi Liço. Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit garantoi për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për sektorin e bujqësisë. Ndërkohë, Izraeli do t’i ofrojë mbështetje Shqipërisë, duke sjellë në vendin tonë specialistë për teknologjinë e re që pritet të ndihmojë fermerët shqiptarë.

     Yair Shamir: Jemi gati të ndajmë teknologjinë më Shqipërinë

     Gjatë aktivitetit ministrit të Agrikulturës dhe Zhvillimit Rural të Izraelit, Yair Shamir u shpreh se, nuk është hera e parë që takohej me ministrin Panariti, duke shprehur kënaqësinë për më tej marrëdhënieve midis dy vendeve. “Kjo na motivon më tej për të bashkëpunuar. Ne jemi dy vende të vogla që kemi një histori të gjatë mbijetese dhe ne e vlerësojmë shumë miqësinë midis dy popujve tanë. Ne nuk e harrojmë kurrë ndihmesën që shqiptarët kanë dhënë ndaj hebrenjve. Ne jemi këtu për të nxitur bashkëpunimin në fushën e bujqësisë. Mendoj se ekziston një potencial i madh midis Shqipërisë dhe Izraelit për të bashkëpunuar së bashku, aq më tepër kur Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.  Sektori privat në Izrael është i interesuar të bashkëpunojë dhe të njohë sa më mirë potencialet që ka Shqipëria në fushën e bujqësisë. Ne kemi identifikuar shumë fusha që mund të bashkëpunojmë së bashku dhe për këtë unë jam optimist. Nga të dy palët ekziston dëshira dhe motivimi për të thelluar më tej bashkëpunimin në këtë drejtim. Ky është edhe çelësi i suksesit”,-tha ai, duke shtuar se, kur të vij herën tjetër në Shqipëri do të pi qumësht dhe të shijoj perimet e freskëta shqiptare. I pyetur nga gazetarë për interesin që ka në vendin tonë, z. Shamir u shpreh se: “Ne kemi shumë teknologji të avancuara që mund t’i vëmë në përdorim dhe mund të sigurojmë të ardhura të shumta përmes tyre. Ne eksportojmë lëngje frutash të freskëta në supermarketet e Kilit. Kjo është teknologjia izraelite në sektorin e bujqësisë dhe ne jemi gati ta ndajmë atë me Shqipërinë për t’i dhënë një shtyje përpara ekonomisë”.

     Edmond Panariti: Ky është modeli që duam të provojmë

    “Sot ka qenë një ditë e veçantë pas takimeve që patëm me mikun, me ministrin e Bujqësisë z. Shamir. Jemi këtu në një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit izraelito-shqiptar të kësaj ferme”,- ushtë shprehur, Ministri Panariti gjatë vizitës së tij në Divjakë, për të parë nga afër investimet e bëra atje ai tha se, ky është model që ne duam të promovojmë, model, i cili bën të mundur që malli që prodhohet të ketë standardet më të larta sepse përgatitet me fidanë dhe fara të përzgjedhura sipas teknologjisë më të lartë. Nga ana tjetër, garantohet edhe dorëzimi i prodhimeve dhe grumbullimi i tyre nga fermerët në këtë magazinë frigoriferike. “Natyrisht ambiciet janë për t’u zgjeruar dhe unë jam i bindur që sipërfaqja do të zgjerohet në të ardhmen, po kështu edhe kapacitetet ruajtëse dhe shpërndarëse të mallit. Ky është një ndër shumë investimet e përbashkëta izraelito- shqiptare dhe një shenjë e mirë sesi të dy vendet janë të vendosura për të bashkëpunuar dhe për të bërë të mundur zbatimin e teknologjive më të përparuara”,- ka thënë ndër të tjera z. Panariti.