Ilir Meta në takimin me strukturat e LSI-së në Njësinë 5-Tiranë: LSI forcë që punon për integrimin e vendit

484
Vizioni ynë është zgjidhja institucionale dhe jo retorika klonfliktuale politike, punojmë për forcimin e shtetit ligjor 
– Përshëndes qëndrimin mjaft pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve, Mattis për Kosovën
– Konfirmoi, se stabiliteti e siguria e Kosovës është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për administratën e re të SHBA-ve 
– Kjo është tepër pozitive duke pasur në konsideratë tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kohët e fundit 
– Njëkohësisht shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit tonë në këto kohë ndryshimesh, por edhe pasigurish
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në takimin me strukturat e Njësisë 5 në Tiranë, që u zhvillua në kuadër të Konventës Zgjedhore të Tiranës. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet, z. Meta vlerësoi procesin e rinovimit të gjithë strukturave drejtuese të kësaj njësie, që ka luajtur një rol të rëndësishëm që nga themelimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të cilës i mbetet një rol akoma më i rëndësishëm për të ardhmen. Duke u ndalur te zhvillimet në rajon, Kryetari i LSI-së përshëndeti qëndrimin pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve për Kosovën, i cili konfirmoi se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet i rëndësishëm për administratën e re të SHBA-ve. “Përshëndes një qëndrim mjaft pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve, Mattis për Kosovën, që konfirmoi përkundër çdo lloj shqetësimi dhe paragjykimi më parë se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për administratën e re të SHBA-ve dhe kjo është tepër pozitive duke pasur në konsideratë tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kohët e fundit. Dhe njëkohësisht shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit tonë në këto kohë ndryshimesh, por edhe pasigurish”,-deklaroi z. Meta. Gjithashtu, z. Ilir Meta theksoi se vizioni i LSI-së është zgjidhja institucionale dhe jo retorika klonfliktuale politike, teksa premtoi angazhimin e kësaj force politike për forcimin e shtetit ligjor. “Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorika konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme. Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, – deklaroi Kryetari i LSI-së. Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Endrit Braimllari theksoi në fjalën e tij, se kolegjialiteti në vendimmarrje është garanci për realizimin e reformave. “Njerëzit besojnë te LSI-ja, besojnë të puna e përditshme e çdo anëtari të forcës sonë politike. Ky kolegjialitet i brendshëm që ka LSI dhe ky kolegjialitet në vendimmarrje është garanci për funksionimin e qeverisjes, por është garanci nesër për realizimin dhe zbatimin e reformave. Vendimet nuk mund të merren vetëm, vendimet e mëdha merren në bashkëpunim të plotë. Vendi nuk ka nevojë për arrogancë, por ka nevojë për më shumë punë, ka nevojë për shërbim dhe ne jemi të bindur se mund ta bëjmë këtë gjë”, – tha z. Braimllari. Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, znj. Klajda Gjosha në fjalën e saj përshëndetëse tha, se i gjithë procesi zgjedhor është bërë në bazë të konkurrencës dhe të transparencës. “I gjithë procesi zgjedhor në Njësinë 5, por edhe në të gjithë të Tiranës është bërë në bazë të konkurrencës dhe të transparencës që janë dy cilësi shumë të rëndësishme, pjesë e LSI-së. Jam e bindur që i gjithë mesazhi politik që do të përcillni, jo vetëm në këtë sallë, por edhe jashtë kësaj salle, do të jetë pikërisht fryma konstruktive që LSI përcjell, fryma e ndihmës që ne i japin qytetarëve shqiptar, i qëndrimit pranë të problemeve që ata kanë dhe ky është mesazhi dhe thelbi me të cilën u krijua LSI-ja”, – u shpreh znj. Gjosha.
Sigal