Ilir Daja: Ky trofe, synim i Skënderbeut

619
Agron KAJA
KUPA E SHQIPËRISË/ Luhet Turi i 1/8 të finaleve, “favoritët” në përballje transfertash, Tirana në “darën” e Kukësit
Dy ditë më parë, në skuadrën e Skënderbeut është “atashuar” një tjetër tiranas. Pas trajnerit Ilir Daja, i cili në datën 4 janar 2017 bëri prezantimin e tij zyrtar në bankinën e Skënderbeut, dy ditë më parë është “ankoruar” Gjergji Muzaka, futbollisti që u ‘divorcua’ këtë muaj me Tiranën, madje edhe me vendim gjyqësor. Ardhja e mesfushorit nga Tirana e shton konkurrencën në mesfushën e skuadrës korçare, e për këtë trajneri Ilir Daja deklaron, se mesfushorin e kanë ndjekur shumë dëmtimet, që sipas tij, ka qenë i pafat. “Mendoj se gjatë këtij sezoni, Gjergji nuk ka pasur fatin me vete, në kuptimin e gjendjes së tij fizike. Duke qenë se kaloi një dëmtim, ka luajtur pak minuta te Tirana, por kur ka qenë në formën e duhur, ai ka qenë i preferuar në formacionin e asaj skuadre”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, i cili për formën e Muzakës dhe për Kupën e Shqipërisë ka optimizëm. “Mendoj se stërvitshmëria do ta sjellë në formën sa më të mirë Gjergjin, sepse është një futbollist me një karrierë të shkëlqyer në futbollin shqiptar, madje ka qenë pjesë edhe e Kombëtares. Ne presim shumë prej tij, duke e konsideruar një përforcim që do ti vlejë për mirë Skënderbeut në vazhdimësinë e këtij sezoni”. Ndërsa për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, ku sot korçarët do të luajë në Laç, trajneri Daja kërkon që skuadra e tij të luajë për ta fituar këtë ndeshje. Ai kërkon që kualifikimi të sigurohet që në këtë ndeshje të parë. “Kupa e Shqipërisë është një nga synimet tona të këtij sezoni, dhe ndeshjet në vazhdimësi i mendojmë të gjitha të vështira. Edhe për ndeshjen e sotme në Laç, e dimë që është një transfertë e vështirë, aq më shumë që edhe formula e Kupës në këtë tur të 1/8 me dy ndeshje vajtje-ardhje, e vështirëson si ndeshje”. Por, edhe historinë e Laçit si dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë, dhe Skënderbeu vetëm tre herë finalist, trajneri i Skënderbeut nuk e përjashton nga vlerësimi në kompleks skuadrën e Laçit. “Duke qenë një skuadër që në Kupën e Shqipërisë ka bërë të veçantë, madje edhe dy herë fitues, këto vlera shtojnë edhe më shumë forcat tona për ta përballuar me sukses ndeshjen. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur për të realizuar synimin tonë. Skuadra e Laçit është përforcuar në këtë merkato me futbollistë cilësorë, por edhe skuadra jonë me të ardhurit e rinj, si edhe me skuadrën që e mbylli gjysmën e parë të këtij sezoni, është e kompletuar për të përballuar çdo sfidë në favorin e saj. Synimet dhe objektivat e Skënderbeut me këtë përbërje do të jenë shumë më pranë. Që nuk e ka fituar asnjëherë Kupën e Shqipërisë, kjo është vetëm një statistikë për ne, e cila nuk ndikon në psikologjinë tonë për të arritur synimin”, mbylli deklarimin e tij për gazetën “Telegraf”, trajneri i Skënderbeut Ilir Daja. Në bankinën e skuadrës korçare, Daja ka luajtur zyrtarisht vetëm ndeshjen e javës së 19-të, duke fituar 1-0 me Flamurtarin, ndërkohë që kjo është ndeshja e dytë zyrtare në futbollin shqiptar. Ndërsa historia e 64 Kupave të zhvilluara, nuk flet pozitivisht për skuadrën e Skënderbeut, e cila ka dalë vetëm tre herë në finale, konkretisht në vitin 1965 Vllaznia-Skënderbeu 1-0, në vitin 1976, 17 Nëntori-Skënderbeu 3-1 dhe 1-0, në vitin 2012, Tirana-Skënderbeu 1-0. Ndeshjet e turit të 1/8 të finaleve të Kupës së 65-të të Shqipërisë do të luhen në datat 1 dhe 15 shkurt 2017.
Somario
Kupa e Shqipërisë është një nga synimet tona të këtij sezoni, dhe ndeshjet në vazhdimësi i mendojmë të gjitha të vështira. Edhe për ndeshjen e sotme në Laç, e dimë që është një transfertë e vështirë, aq më shumë që edhe formula e Kupës në këtë tur të 1/8 me dy ndeshje vajtje-ardhje, e vështirëson si ndeshje
TURI 1/8-NDESHJET E PARA
Datë 1 shkurt 2017
Flamurtari-Besëlidhja Ora 14:00
Laçi-Skënderbeu Ora 14:00
Vllaznia-Teuta Ora 17:00
Tirana-Kukësi Ora 17:00
TURI 1/8-NDESHJET E DYTA
Datë 15 shkurt 2017
Besëlidhja-Flamurtari
Skënderbeu-Laçi
Teuta-Vllaznia
Kukësi-Tirana
HISTORIA E KUPAVE
Tirana dhe Partizani, në krye të fituesve
Kupa e Shqipërisë (më parë është quajtur Kupa e Republikës), ka nisur të luhet që në vitin 1939 dhe fituese e parë është Tirana që ka mundur në finale Vllazninë, ndërkohë që fituesi i fundit është Kukësi, i cili në finale ka mundur Laçin me penallti. Në harkun e këtyre viteve, deri në vitin 2016, janë luajtur 64 finale të Kupës së Shqipërisë, dhe në 7 sezone ajo nuk është zhvilluar, të cilat i takojnë periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare dhe të ish-diktaturës në Shqipëri, 1944-1990. Mos zhvillimi i fundit ka qenë në vitin 1969, ndërkohë që finalja e fundit është luajtur në vitin 2016, Kukësi-Laçi 1-1 dhe me penallti kanë dalë fitues kuksianët. Në 13 finale, fituesi është përcaktuar nga gjuajtjet e penalltive, ndërsa në 51 të tjerat, fituesi është përcaktuar nga rezultati i lojës. Më shumë herë finalistë janë Tirana e Partizani me nga 23 herë, dhe të dy e kanë fituar Kupën nga 15 herë, ndërsa Dinamo është 19 herë finalist, duke e fituar këtë trofe 13 herë. Finalistë në 64 Kupat e zhvilluara kanë qenë 17 skuadra, ndërkohë që 11 skuadra e kanë fituar atë. Kjo është Kupa e 65-të e Shqipërisë, dhe sot luhet turi i 1/8 e finaleve
FITUESIT KUPAT
Tirana 15 herë
Partizani 15 herë
Dinamo 13 herë
Vllaznia 6 herë
Flamurtari 4 herë
Teuta 3 herë
Elbasani 2 herë
Besa 2 herë
Laçi 2 herë
Apolonia 1 herë
Kukësi 1 herë
Çështja “Salihi”, Shkodrani mbetet në Korçë
Te skuadra korçare, dhe te trajneri Ilir Daja, ditët e fundit të merkatos së janarit kanë qenë me fat. Sepse sulmuesi kryesor i Skënderbeut, Hamdi Salihi, kishte disa oferta largimi, madje deri në Australi, por para ndeshjes së 1/8 të finaleve në Laç, shkodrani bëri të ditur, se nuk do të lëvizë nga kjo skuadër. Edhe pse në këtë ndeshje të Kupës ai nuk mendohet të aktivizohet nga trajneri Daja, në fundjavë në ndeshjen e javës së 20-të të Kategorisë Superiore kundër Korabit, e cila luhet ditën e hënë, datë 6 shkurt 2017, ora 14:00. Por, gjatë këtij sezoni, duket se “nuhatja” e golit është larguar nga bomber shkodran, përderisa në 19 javë ka shënuar vetëm 6 gola, duke qenë larg kryesimit si golashënues në Kategorinë Superiore.
Sigal