Ilir  ÇUMANI/ Jetimët, këta viktima të pedofilisë politike

    410
    Sigal

    Të politizosh ngjarje dhe çështje të tilla është pedofili politike, ndoshta dhe  më shumë se kaq

    *Drejtor i Përgjithshëm i  Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

    Nuk po ndalem për të shpjeguar në termat shkencor dhe profesional se ç’është pedofilia dhe si klasifikohet ajo nga Organizata Botërore e Shëndetit. Kjo patologji psikiatrike ka të bëjë me shqetësime që sjellin tërheqje për anomali të objekteve të animuara që në rastin konkret janë edhe fëmijët. Individët që e manifestojnë këtë sjellje nuk konsiderohen si njerëz me çrregullime mendore, ngase natyra e tyre nuk ka lidhje me genet, as me kromozomet dhe hormonet. Ndaj për këtë arsye, individët që manifestojnë sjellje të pedofilisë, janë dhe duhet të jenë objekt i ndëshkimeve penale. Ngjarja e ndodhur  ditët e fundit në qytetin e Sarandës mbi skandalin e një videoje  në fokus të së cilës ka qenë tentativa e abuzimit seksual mbi një të mitur jetime 14 -vjeçare, nga një maniak pedofil 63- vjeçar, veç përmasave tronditëse e rrëqethëse që u përcollën në mënyrë profesionale përmes mediave vizive dhe shtypit të shkruar, u shoqërua edhe përmes një fjalori patetik nga foltoret e zëdhënësve politik (që në fakt është një debat pa vend), i shndërruar si zakonisht si një debat i nxehtë përtej mungesës totale të etikës, komunikimit dhe dialogut konstruktiv, në një betejë të shfrenuar akuzash dhe kundërakuzash mes pozitës dhe opozitës. Nga ana tjetër, e përfshirë si palë e tretë në këtë debat publik, është edhe reagimi qytetar përmes rrjetit social “Facebook” e “Twitter”, nga i cili nuk mund të mos binte në sy revolta e një zemërimi legjitim mbarëpopullor. Zhurma dhe përpjekja për të politizuar sjellje të tilla perverse, mendoj se largon nga vëmendja e të gjitha institucioneve, medias dhe aktorëve të shoqërisë thelbin dhe rëndësinë e problemit. Në fakt, ngjarje të tilla, pikësëpari kërkojnë një analizë serioze dhe të thellë nga ekspertë të sociologjisë dhe psikologjisë, specialistë e profesionistë multidisiplinarë të fushave të ndryshme në veçanti, pse jo dhe nga politologë e akademikë, për të kërkuar dhe gjetur shkaqet e vërteta të këtij fenomeni që për fat të keq sot, nuk është një rast i izoluar, por një dukuri permanente e dukshme dhe e padukshme, shumë serioze dhe kërcënuese në kontekstin shqiptar, e shtrirë në formë kapilare, që cenon  rëndë mjedisin tonë shoqëror dhe që në fakt, lëkund në mënyrë të frikshme ekuilibrat psiko – social në mjedisin, ku jetojmë. Por le të kthehemi tek ngjarja. Media e bëri punën e saj, e investigoi dhe e publikoi me vërtetësi dhe profesionalizëm të lartë si asnjëherë tjetër të gjithë këtë ngjarje të shëmtuar, duke sfiduar edhe organet që e kanë për detyrë të zbulojnë ngjarje të tilla. Mjafton vetëm kaq. Tani e ka radhën drejtësia që të flasë. Mirëpo ç’ndodh!? E gjithë kjo ngjarje u përpi si magnet dhe është përfshirë në megalaboratorin e propagandës zhurmuese të politikës konfliktuale të ditës, duke e instrumentalizuar dhe manipuluar në mënyrë të shëmtuar jo për sensibilitetin e lartë dhe rëndësinë që ka në vetvete, por vetëm e vetëm për interesa meskine dhe të ngushta politike. Nisur nga fakti se maniaku pedofil 63 -vjeçar qëlloi dhe u zbulua nga zyra e një deputeti socialist, duhej me çdo kusht që për këtë arsye, ky krim të mos i faturohet i gjithi autorit që e ka kryer, por forcës politike të cilës i shërben ky pervers. Pra, kjo do të thotë se duhet  të demaskohet dhe të kryqëzohet pushteti që nuk drejtohet sot nga opozita. Të politizosh ngjarje dhe çështje të tilla kaq vulgare, kaq ordinere dhe kriminale siç është edhe ngjarja e fundit e pedofilisë në Sarandë, që në fund të fundit ka përgjegjës, një dhe vetëm një individ me emër, me zë dhe me figurë, të parë dhe dëgjuar botërisht nga të gjithë, më duket përveçse një papërgjegjshmëri dhe infantilitet politik, nga ana tjetër edhe një pedofili politike, ndoshta dhe  më  shumë se kaq. Kudo në botë, perversët, maniakët, pedofilët, e ku ta di unë se çfarë, janë individë të ndryshëm nga shumica normale e shoqërisë njerëzore. Në dukje, ata janë njerëz normal me sjellje normale, dhe pikërisht këtu qëndron vështirësia për t’i indetifikuar, distancuar dhe izoluar ata. Njerëz të tillë, nuk përfaqësojnë asgjë veç vetvetes, nuk kanë dallim partiak, nuk kanë as dallim besimi, kulture dhe formimi e prejardhjeje shoqërore, sepse ata i gjen kudo, në jetën komunitare, në familje, në çdo parti, në çdo shoqatë, në kumunitete fetare, në çdo institucion publik dhe jo publik, në çdo administratë, deri në hierarkitë më të larta të shtetit dhe pushtetit, kudo në mbarë botën. Është e njohur  dhe tepër tronditëse deklarata e Papa Françeskut në një intervistë dhënë “La Republica”, në të cilën pohon se: “Ashtu si Jezui, unë do të përdor një shkop kundër priftërinjve pedofilë”, duke patur parasysh 8.000 priftërinj katolikë të përfshirë në aktet e pedofilisë, ose 2 % të të gjithë priftërinjve nga 414.000 priftërinj katolikë që ndodhen në të gjithë globin. Në mesin e 8 mijë priftërinjve pedofilë që ka cituar Papa, përfshihen priftërinj, peshkopë dhe kardinalë. Sipas Papës, abuzimi me fëmijët është kthyer në një “lebër” që po infekton Kishën, duke u zotuar të përballet me ashpërsinë që meriton rasti në fjalë. Po ti referohemi një rasti të ngjashëm si kjo e ditëve të fundit, e ndodhur  në vitin 2006 me shtetasin e huaj anglez David Brown, i cili ushtronte veprimtarinë e tij “bamirëse” në qendrën “Fëmijët e tij” në Tiranë, ku rriteshin dhe trajtoheshin afro15 fëmijë jetimë, do të kuptojmë se përmasat e abuzimit seksual me këta fëmijë nga ky pedofil ishin shumë herë edhe më të mëdha. Të gjithë fëmijët ishin të abuzuar. Sigurisht, ngjarja pati një sensibilitet dhe jehonë të lartë në shtypin e shkruar dhe në median vizive. Nuk mungoi edhe reagimi i shoqërisë civile me protesta të shumta për të ndërgjegjësuar institucionet dhe drejtësinë. Rezultati ishte frytdhënës. Gjykata foli qartë dhe pa asnjë ekuivok. Pedofili David Brown u gjykua dhe u dënua me 20 vjet heqje lire nga drejtësia shqiptare. Në atë kohë, të vetmit që u treguan indiferentë, të painteresuar, aspak të ndjeshëm për këtë çështje që përbënte megaskandalin më të madh të abuzimit seksual me të miturit e pambrojtur jetimë në vendin tonë, ishte politika. Pikërisht ajo politikë që sot po na shurdhon dhe po na çorodit në këto ditë të nxehta të verës me fjalimet patetike, akuzave dhe kundërakuza përmes foltoreve dhe ekraneve televizive duke e larguar gjithmonë edhe më shumë vëmendjen e opinionit publik nga thelbi dhe rëndësia që ka ngjarja. Në rastin e pedofilit anglez David Brown, politikës së sotme dhe asaj të djeshme nuk i interesonte ky skandal, ngase skandali i orgjisë nuk doli nga zyrat e ndonjë force kundërshtare politike edhe pse përmasat e dramës njerëzore që shkaktoi kjo ngjarje ishin aq të mëdha, sa që edhe sot e kësaj dite kanë lënë pasoja të parikuperueshme tek ata ish-fëmijë jetimë, viktima të pedofilisë dhe të mungesës së vëmendjes nga strukturat shtetërore përgjegjëse. Pra nuk pati asnjë konflikt politik. Mos duhet vallë që pedofilët të jenë të huaj dhe jo nga radhët e partive politike që të mos kemi sherre mes partive..!?.Të rrezikuar gjithmonë kanë qenë, janë dhe do të jenë fëmijët jetimë, siç kemi edhe rastin në hetim të pedofilit 53- vjeçar i identifikuar me inicialet M.L, kryetar i një “pseudo-shoqate” fantazmë për jetimët, duke rrezikuar dhe viktimizuar një adoleshent jetim, i cili në këmbim të një ndihme për shkollimin e tij, i kërkonte favore seksuale. Skandali i pedofilisë në qytetin e Sarandës tashmë  është kthyer në një “mollë” sherri politik, si një ogur i keq për viktimën e radhës…Kjo ka gjasa të ndodh sërish, për sa kohë do të vazhdohet me retorikë boshe e kështu fëmijët nuk do të jenë thjesht gjahu i pedofilëve ordinerë, por viktima të  përhershëm të antikapatëve pedofilë – politikë.