Ilia Larti/ Komunikimi etik në administratë

    986
    Shkrimi synon të japë ndihmesë në njohjen e pikëpamjeve të ndryshme për komunikimin etik në administratën publike, duke sjellë në mënyrë të përmbledhur, koncepte, përkufizime, arritjet në këtë fushë, disa vlerësime për zbatimin e tyre në praktikë, si dhe disa rekomandime. Shkrimi bën përpjekje të nënvizojë, funksionimin e strukturave përgjegjëse të drejtpërdrejta, sidomos në veprimtarinë institucionale për menaxhimin e përgjegjësive ligjore dhe vënien në jetë të normave dhe parimeve etike në të gjithë vijën e sjelljes së punonjësve të administratës publike.. 
    Etika në shërbimin publik ka të bëjë me zbatimin praktik të standardeve morale në qeverisje
    Etika (greq. Ηθική, nga fjala ήθος, ithos – ves, dok, zakon) në filozofi është studimi dhe vlerësimi i sjelljes njerëzore në dritën e parimeve morale. Parimet morale mund të shikohen si standarti i sjelljes që njerzit kanë ndërtuar për veten e tyre ose si lënda e shtërngimeve dhe detyrimeve që një shoqëri e caktuar kërkon nga pjestarët e saj. Ajo merret me çështjet se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, si mundemi ne të bëjmë dallimet mes tyre, a është e mira dhe e keqja e njejtë për të gjithë; si mundemi të bëjmë vendime të forta që mund të ndihmojnë apo pezmatojnë të tjerët? Emërtimi përdoret edhe për çdo sistem ose teori të vlerave morale ose parimore.
    Etika lidhet para së gjithash me mënyrën se si individi e ndien si duhet të sillet; ajo bën fjalë për vlerat dhe zbatimin e tyre në një kontekst të dhënë. Dihet se shoqëria qytetare është drejtpërdrejt e lidhur me shërbimin e ofruar nga administrata publike dhe si pasojë ajo e orienton krejt veprimtarinë e saj drejt plotësimit të nevojave dhe interesave të publikut, duke ushtruar funksionet e saj, bazuar në parime të shëndosha etike dhe me respektim ligji. Studimi i performancës së administratës publike bëhet i rëndësishëm, pasi ky sektor publik përfaqëson shtetin dhe mënyrën e qeverisjes në një vend të caktuar dhe se shërbimet publike janë mjaft të rëndësishme për përfituesit; ato janë në fund të fundit jetike dhe të pazëvendësueshme. Duke konsideruar rëndësinë e veçantë që ka performanca organizative, kuptohet se për ta arritur atë është e domosdoshme t’i kushtohet vëmendja e nevojshme si dhe të gjenden instrumentet e përkatës në kohën e duhur për këtë qëllim. Përherë ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis etikës si disiplinë dhe administratës publike e cila buron që nga koha e lindjes së funksioneve administrative në botën e qytetëruar, sikurse dhe kur filozofët përcillen idetë dhe teoritë për etikën, por që në kushtet aktuale lypset të jenë paraprijës dhe të domosdoshëm për një punonjës që kryen shërbime publike. Funksionimi i mirë apo i keq i një strukture shtetërore publike ka si element të domosdoshme edhe etikën. Kjo do kuptuar se kur nëpunësi i shërbimit publik kryen sjellje jo etike gjatë zbatimit të detyrës së tij, atëherë ai ka cenuar besueshmërinë e publikut ndaj vetvetes, ndaj institucionit dhe ndaj vetë shtetit. Pikërisht për këtë arsye në administratën tonë publike ku korrupsioni është i pranishëm si sjellje jo etike, gjithnjë e më shumë kërkohet zbatimi i parimeve etike për mbrojtjen dhe rritjen e integritetit personal dhe institucional. 
    Vlerat etike dhe integriteti janë elementë të rëndësishëm të çdo shoqërie demokratike. 
    Në periudhën e tranzicionit, nevoja për “Kodin e Etikës”, në institucionet e administratës publike, erdhi gjithnjë në rritje. Në përmbushje të kësaj nevoje Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për rregullat e etikës në administratën publike”, i cili shtron para të gjithë punonjësve të administratës jo vetëm detyrimin ligjor për ta zbatuar, por edhe detyrimin moral për ta pasur si udhërrëfyes gjatë gjithë veprimtarisë së tij. Pas këtij ligji, institucione të ndryshme të administratës publike hartuan “Kodet Etike”, të tyre të cilët funksionojnë dhe shërbejnë si “Etikë Institucionale”, që normojnë marrëdhëniet dhe sjelljet mes punonjësve në këndvështrimin etik. Këto “Kode Etike”, sipas institucioneve përcaktojnë rregullat e sjelljes në punë për veshjen, komunikimin, marrjen e vendimeve me qëllim e vetëm që të sigurohet respektimi i parimeve të ligjshmërisë, integritetit profesional dhe besnikërisë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. “Kodi Etik”, udhëzon dhe drejton veprimtarinë publike të punonjësve të administratës, përcakton rolin dhe përgjegjësitë që punonjësi duhet të ketë me vetveten, kolegët, partnerët dhe institucionin ku punon; shërben si shtysë për rritjen e përgjegjshmërisë, ndihmon në rritjen e respektit ndaj të tjerëve dhe është i papajtueshëm me padrejtësitë dhe pandershmëritë. Njëkohësisht ai inkurajon dialogun, diskutimet e hapura dhe pa paragjykime mes kolegëve, vartësve dhe eprorëve. Sjellja etike nuk është një proces pasiv, përkundrazi kërkon që anëtarët e administratës publike të bëjnë zgjedhje të ndërgjegjshme dhe të kenë gjykim të shëndoshë në përputhje me vlerat etike. Secila qenie njerëzore përmban në vetvete mendimin dhe gjykimin, pra është e pajisur edhe me përgjegjësi. Vetë njeriu është i ndërgjegjshëm dhe i formuar ndaj duke qenë i plotë në veten e tij, arsyeja dhe zhvillimi i tij janë gjithnjë pjesë e pandashme, ndaj edhe përmban vlerë në vetvete. 
    Vlera njerëzore është të qenurit njeri, të punuarit në dobi të qenies njerëzore dhe të shoqërisë
    Një shembull i parimeve etike në administratën publike qëndron në “Shtatë parimet e jetës publike” nga Komiteti Nolan i Mbretërisë së Bashkuar. Sipas këtij dokumenti ato janë:
    1. altruizmi, 
    2. integriteti, 
    3. objektiviteti, 
    4. përgjegjësia, 
    5. sinqeriteti, 
    6. ndershmëria, 
    7. drejtimi. 
    Në të gjitha institucionet publike, zbatimi i “Kodit Etik”, është i rëndësishëm si për punonjësit e thjeshtë të administratës ashtu edhe nga drejtuesit e tyre. Kështu, administratorët publikë zhvillojnë alternativa dhe programe të veçanta për të zbatuar politikën publike të cilën e ka miratuar qeveria. Për këtë arsye, siç vërejnë David H. dhe Rosnebloom dhe Robert S. Kravçuk “administratorët publikë duhet të sillen me plot përgjegjësi sepse puna e tyre ka shumë aspekte që mund të çojnë te keqkuptimi i interesit publik, pra edhe te korrupsioni”. Etika nuk është vlera që arrihet dhe mbaron, përkundrazi ajo zotërohet dhe zhvillohet gjithnjë sepse interesi publik është ai që duhet të mbizotërojë në sjelljen etike. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet vazhdimësia e funksionit efektiv, efikas, të përgjegjshëm dhe transparent e administratës publike shqiptare. Kjo është një detyrë jo e lehtë për tu kryer nga punonjësit e administratës publike, e cila ndodhet vazhdimisht dhe potencialisht nën presionin e vazhdueshëm politik, sidomos nga struktura politike ose jopolitike opozitare. Aristoteli në veprën e vet “Politika” e shpjegon shtetin si një përbërje, ku pjesë e rëndësishme e saj janë qytetarët. Pra këta autorë dhe shumë të tjerë janë sjellë për të shpjeguar se në funksionimin e institucioneve një vend të veçantë i kushtohet rolit të qytetarëve në këto organizime. 
    Sigal