ILDKP: Zyrtarët në Durrës kanë fshehur pasuritë!

    448
    Sigal

    DURRËS- Zyrtarët në Durrës, duke nisur nga kryetarë komunash, bashkish, drejtorë ndërmarrjesh, hetues, prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të policie, SHISH dhe doganierë, janë verifikuar nga ILDKP-ja si shkelës të ligjit dhe fshehës të pasurive të tyre. Bëhet fjalë për fshehjen e apartamenteve, vilave, lokaleve, trojeve, bizneseve, që ata kanë de facto nën emra të rremë, por që de jure, figurojnë si pronë e tyre. Burime nga kjo strukturë e shtetit thanë për “Telegraf” se, “janë dhjetëra e dhjetëra zyrtarë që edhe pse kanë dorëzuar deklaratën e tyre të pasurive, janë të verifikuar se disponojnë prona të tjera shtesë, por që edhe pse në kërkesën e datës 12 dhjetor 2013, u është kërkuar rideklarimi i pasurive shtesë, ata deri sot mbeten të vonuar, ç’ka tregon mungesë serioziteti, ndaj zbatimit të ligjit dhe tendencën për t’i fshehur të vërtetat e pamohueshme”. ILDKP disponon fakte të pamohueshme që lidhen me fshehjen e pasurive të zyrtareve vendorë në Durrës. Sipas tyre, ka gjyqtarë, kryetarë komunash, prokurorë, kryetarë bashkish dhe drejtorë institucionesh, doganierë dekanë e pedagogë, që kanë vila në bregdet, biznese ndërtimi, madje edhe agjenci transporti, prej të cilave veç konfliktit të interesave, nxjerrin edhe fitime të paligjshme. Aktualisht, informacioni ndodhet edhe në zyrën e Kryeministrit Rama,  nga i cili ILDKP kërkon marrjen e masave administrative në rast refuzimi nga zyrtarët. Në asnjë prej deklaratave të dorëzuara nga zyrtarët e verifikuar, nuk përmenden makinat luksoze me vlerë 50 mijë euro, vilat dhe apartamentet e marra nën pronësi të tyre, apo aktivitetet e tjera prodhuese, por përmendet  turpshëm “apartament 55 metra katrore, dhe 1 milion lekë të reja në depozita bankare”. Asnjeri në Durrës nuk do ta besonte se, një gjyqtar, prokuror, drejtor apo kryetar komune e bashkie, apo doganier do të kishte nën pronësi gjëra të tilla, kur dihet se ata mjafton pushimet i kryejnë jo në plazhet tona, por në ato të Turqisë, Spanjës apo Egjiptit. Por sipas ILDKP-së, shkelje të tilla të ligjit, nuk janë verifikuar vetëm nga zyrtarë në Durrës, por gjeografia shtrihet edhe në disa qytete të tjera të vendit. Afati i fundit i rideklarimit të pasurive të fshehura, para se ato të bëhen publike ka kaluar, por duket se fshehësit e pasurive janë të vendosur në atë çfarë kanë deklaruar më parë. Edhe nga burime të ZRPP, mësohet se pronat e shumë zyrtarëve, kanë një shtrirje të gjerë gjeografike, pasi në regjistra figurojnë të tjera objekte nën pronësi të tyre nga ajo ç’ ka kanë deklaruar. Ka prej tyre që kanë shitur prej vitesh apartamentet e “Enverit” dhe sot banojnë në apartamente 220 metra katrore me vlerë 120 mijë euro, që kanë shitur “Fiatin” dhe disponojnë “Benz”-in e 2013-s. Apo ka prej tyre që kanë nisur ndërtimin e pallatit. Ky realitet duhet denoncuar dhe e vetmja mënyrë mbetet denoncimi publik dhe jo vetëm në media. Si është e mundur që një kryetar komune e bashkie, ikën nga detyra dhe qysh muajt e parë të dorëzimit të mandatit nis bizneset, ble shtëpi luksi, automjet të shtrenjtë, apo dërgon fëmijët për studime në universitetet më të shtrenjta të kryeqyteteve të Europës? Padyshim mungesa e vullnetit të mirë për zbatimin e ligjit, ka sjellë akumulimin e shkeljeve të tilla nga zyrtarët që përfitojnë nga mandate dhe posti që marrin pas fitores së forcave të tyre politike, sidomos pas ardhjes së rilindësve.