Ilaçet e skaduara po mbulojnë Shqipërinë

    510
    Sigal

    Skandali/  Krimi ekonomik, laboratorët dhe ministria e Shëndetësisë ti thonë “ndal”, kontrabandës në mjekësi

    Vitet e fundit kanë filluar aktivitetet e tyre në vendin tonë biznese të ardhur nga shtetet fqinjë dhe sidomos nga Italia dhe Greqia. Sigurisht që gjithkush ka të drejtën të ushtrojë aktivitetin e tij në çfarëdolloj fushe dhe se qëllimi final i tyre është fitimi si dhe krijimi i shërbimeve të një niveli sa më të mirë. Hapja e vendit dhe fillimi i tregtisë me vendet e lindjes, pasi aty ishin edhe çmimet më të lirë bën që në Shqipëri të hynin ushqime si qumësht pluhur nga i cili bëheshin edhe nënproduktet si gjalpi, djathi, gjiza etj. Por më vonë pas analizave në vendet e origjinës së mallit apo nga investigimet e mediave në këto vende dilte që një pjesë e këtyre produkteve ishin me radioaktivitet dhe se pasojat e tyre po i vuajnë sot gjithë shqiptarët. Probleme me mishin, me vajin e  makinave, vaj plepi e shumë e shumë të tjera. Ndaj dhe sëmundjet kanceroze po bëjnë sot kërdinë. Një problem i madh ka qenë edhe  importi i ilaçeve të cilat jo vetëm janë marrë jashtë kushteve, por edhe baza e medikamentit ka qenë në gramaturë të ulët ose nuk kishte fare lëndë të parë, sikurse shkruhej në etiketë. Shteti i djeshëm ka heshtur, strukturat përgjegjëse po ashtu, laboratorët dhe ish-drejtuesit e  doganave, të shëndetësisë, institutit të ushqimit dhe veterinarisë kanë mbyllur gojën, pasi pas tyre fshiheshin pushtetarët e PD-së. Kohët e fundit po bëhet një zhurmë e madhe në lidhje me efektet e ilaçit Kuban Vidatox. Kjo për vetë faktin se ai është një ilaç që ka dhënë efekte të jashtëzakonshme, sidomos kur merret direkt nga vendi i origjinës (Kuba) dhe është brenda afateve të skadencës. Flitet se para  më shumë se 2 vjetësh, një kontenier me ilaçe ka ardhur nga jashtë dhe pas lejimit të futjes në Shqipëri është bërë transit drejt Italisë. Në  Itali, konkretisht në TRIESTE, kontenieri u hap për verifikim dhe rezultoi bosh. Kjo do të thotë se malli është shitur kontrabandë në Shqipëri dhe një pjesë e ilaçit  ka dalë me çanta në doza të vogla drejt shtetit italian. I gjithë ky marifet bëhet, pasi vetë vendet europiane nuk kanë marrëveshje të tillë me Kubën dhe se kjo e fundit  nuk u jep të drejtën e ekskluzivitetit. Të tillë ekskluzivitet  ka Shqipëria me “Klinikën Kubane” dhe Bullgaria, por me emërtim tjetër (Vidatox plus). Por në Shqipëri këtë medikament e gjen edhe tek një firmë italiane, Farma Matrix sh.pk. e cila  është regjistruar në shkurt të vitit 2011 në vendin tonë. Sipas burimeve, thuhet se importin e parë dhe të vetëm e  ka  bërë në 04.05.2011 me nr. R 8538 dhe se importi ka qenë afërsisht rreth 5 000 flakone. Pas kësaj, i takon shtetit shqiptar, organeve përgjegjëse dhe vetë kompanisë të zbardhin disa enigma në lidhje me ecurinë e mëvonshme të këtij medikamenti që qarkullon nga kompania në fjalë. Konkretisht, kërkohet të sqarohet se: A e ka importuar pas ngarkesës së mësipërme ilaçin kuban Vidatoks? Me çfarë kontrate tregtare, dhe a e disponon pas kësaj përfaqësimin e firmës  kubane Labiaolfam S.A.? Të saktësohet dhe sqarohet nëse është e vërtetë që skadenca e produkteve natyrale që ka importuar në këtë faturë ka qenë 6 muaj, ndërsa e produktit Vidatox ka qenë 2 vjet, të cilët kanë përfunduar në tetor të vitit 2013? A e disponon firma  produktin  sipas skadencave dhe nga është origjina e tij? A  ka të dhëna firma për flakonat që blihen në Itali  me etiketa jeshile që përdoren vetëm brenda shtetit të Kubës?  A ka ndonjë lidhje mes F. Canzonieri, R. Lopez-it  dhe  F. Matteuçi-it të Pharna-Matrix sh.p.k.?  Nga ana tjetër, shteti shqiptar duhet të verifikojë kush  dhe si i  fusin në Shqipëri ilaçet  kontrabandë, duke u ndërruar etiketat nga jeshile në kafe, që është tipi që tregtohet jashtë Kubës, duke i vënë dhe datën e skadencës të re dhe të manipuluar. Përveç kësaj, tregtohen po në mënyrë klandestine dhe suplemente të tjera pa asnjë faturë të tipit “glnd“ të gjitha në të zezë. Pra, aktualisht në territorin shqiptar futen, dalin dhe ushtrojnë aktivitetin individët dhe “firmat “ që nuk kanë asnjë produkt në dispozicion të rregullt,  duke tregtuar  produkte të manipuluara në treg të zi. Ka të dhëna të sigurta që subjekte nga shteti italian që ushtrojnë aktivitetin në mes të Tiranës, janë nën hetim dhe me procese gjyqësore të hapura  për kontrabandë ilaçesh dhe lëndësh të para. Gjithashtu kanë  proces të hapur me shtetet e origjinës si  Kuba ,Serbi ,Bullgari  madje edhe për marrje ilaçesh në mirëbesim dhe moslikujdim të këtyre ilaçeve. Ndaj ka ardhur koha dhe momenti që t’i thuhet “ndal” kontrabandistëve të të gjitha llojeve dhe sidomos atyre që  vijnë nga jashtë dhe merren me punë të pista. Policia Kriminale, Krimi Ekonomik dhe Laboratorët e saj, qendrat e licencimit të Ministrisë së Shëndetësisë, asaj të kontrollit  si dhe strukturat e specializuara t’i thonë ndal sa nuk është vonë këtyre ordinerëve që po na shesin medikamente të skaduara dhe jashtë cilësisë. Nesër do jetë vonë dhe sëmundjet do bëjnë kërdinë. Ne do ndjekim hap pas hapi të gjithë aktivitetin, personat që blejnë, recetat që lëshohen, nga hyjnë, a janë të regjistruara. Gjithashtu, mirëpresim çdo sugjerim dhe mendim të personave, individëve dhe përfaqësuesve shtetëror.

     Rishfaqet gripi i derrit. Pipero: Pacienti në rrezik për jetën

    Rishfaqet gripi i derrit në Shqipëri. Doktori i infektivit në QSUT, Pëllumb Pipero konfirmoi për gazetën “Telegraf” se, janë dy raste të pacientëve të infektuar me virusin “AH1N1”. “Njëri nga pacientët, që është një profesor doktor i nderuar, ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e infektivit në QSUT, ndërsa pacienti tjetër pas mjekimit gëzon shëndet të plotë”, thotë Pipero. Pipero shprehet se, pacienti nga Tirana është nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve u cili ndodhet në gjendje serioze për jetën pasi vuan edhe nga sëmundje të tjera. Sipas tij, “virusi AH1N1 ka gjetur terren tek ai, pasi ai vuan dhe nga sëmundje kronike siç është diabeti apo sëmundjet koronare”. Gjithashtu, sipas Piperos, edhe konsumi i duhanit nga pacienti e ka përkeqësuar gjendjen. Mjeku i Infektivit thotë se jemi në prag të një epidemie të gripit sezonal. Sipas tij, në vendin tonë po qarkullojnë 4 tipe gripash: viruset e grupit A; AH1N1 dhe AH3N2; si dhe dy viruse të grupit B. “Rastet me virusin AH1N1 janë izoluar tek ne dhe janë të përafërt me të ashtuquajturin “gripi i derrit”, i cili e mori këtë emër për shkak se ishte një virus pandemik, i cili ishte hasur vetëm te derrat dhe nuk kishte prekur njerëzit. Tashmë ky grip është një nga viruset që qarkullojnë çdo vit në të gjithë botën”, sqaron Pipero.

    Masat dhe kurimi

    Pipero sqaron se, mjekimi për virusin AH1N1 është Tamiflu, e cila është dhe shumë efikase. “Është një bar që nuk ka munguar deri më tani në spital dhe trajtimi i të prekurve nga gripi stinor bëhet me Tamiflu”, shprehet Pipero. Po duke qenë se jemi në sezonin e gripi stinor, Pipero vë theksin te kujdesi që duhet treguar nga institucionet shtetërore për marrjen a masave nëpër spitale si përsa i përket mjekimit, por edhe përballimit të një fluksi të mundshëm të pacientëve të prekur nga gripi stinor. Ai gjithashtu i bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë shenjat e gripit që të shkojnë te mjeku i familjes, veçanërisht të sëmurët kronikë, në mënyrë që të merren masat për komplikacione të mëtejshme. “Duhet të marrin masa të menjëhershme, sepse gripi në vetvete nuk është gjë, por komplikacionet e tij mund të rrezikojnë dhe jetën, sidomos të atyre që vuajnë nga sëmundje kronike”, thotë Pipero.

    Gripi i derrit

    Që prej vitit 2009, kur u shfaq për herë të parë gripi i derrit qarkullon në vendin tonë. Por ai jep pasoja të rënda për jetën, në rastet kur gjen terren të përshtatshëm në organizma me imunitet të dobët ose që vuajnë nga një serë sëmundjesh të tjera. Në urgjencën e infektivit në një ditë paraqiten 50 raste me grip, ndërsa në total në të gjithë vendin në një javë shënohen 16 mijë persona të prekur nga gripi.

     ISHP

    Specialistët e ISHP-së ndodhen në spitalin e infektivit për të bërë ekzaminimet e duhura. Mjekët thonë se ndodhemi në një  epidemi gripi me rreth 16 mijë raste në javë që shkojnë për t’u ekzaminuar. Çdo ditë 45 pacientëve të prekur nga gripi u çohen mostrat në laborator për të parë se, cili është virusi i prekur.