Ilaç gjumi fëmijëve për disa qindarka në ditë

    1145
    Problemi i fëmijëve që janë në rrugë apo që ndodhen në situatë rruge dhe nuk ndodhen të atashuar në institucionet e natyrshme të jetës sociale ku duhet të jenë, të rriten, edukohen, kulturohen dhe zhvillohen janë fëmijë në rrezik apo në gjendje të emergjencës sociale. Në përgjithësi kjo kategori sociale e fëmijëve që janë jashtë kontrollit të familjes, që nuk frekuentojnë shkollën apo e kanë braktisur atë, që përdoren nga familja si faktor ekonomik komplementar apo shfrytëzohen nga “tutorët e rrugës” si karrem duke abuzuar me ta fizikisht, emocionalisht pse jo në shumë raste edhe seksualisht, nuk është e vështirë të konstatohet si “ekzistencë sociale” në rrugët e kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera të vendit tonë. Me dhjetëra fëmijë, të cilët detyrohen nga prindërit, qëndrojnë me orë të tëra duke lypur në rrugët e Tiranës, por gjithashtu ka edhe nga ata të cilët i sheh gjithmonë në gjumë. Këta fëmijë qëndrojnë në zonat më të populluara të kryeqytetit të shtrirë, në kërkim të një lëmoshe. Prindërit e të miturve i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Për të fituar paratë nga mëshira e njerëzve aty që kalojnë pranë, ata i vejnë fëmijët e tyre ne gjumë mirëpo dyshohet se shkak për gjumin qe zgjat pothuajse gjate një gjysme dite, janë drogat e lehta qe ata u japin fëmijëve. Kjo është arsyeja pse vogëlushët, të cilët nuk janë më shumë se 5-6 vjeç, nuk reagojnë për orë të tëra. Nga vëzhgimi në rrugët kryesore të Tiranës rezultati është tronditës. Të gjitha nënat që kishin dalë për të lypur përkrah fëmijëve, përpara ditës së “punës”, dyshohet se i kanë vënë në gjumë duke përdorur lloje të shumta simulantësh. Ky është mendimi qe do ti kalonte ne mendje kujtdo, kur sheh vogëlushë qe më shumë ngjajnë sikur janë të vdekur sesa të gjallë. Teksa një grua më thoshte “të ruajt zoti më fal ndonjë lek për fëmijën e sëmurë” iu afrova dhe e pyeta se pse ishte i sëmurë fëmija i saj. Përgjigja ishte tepër e prerë. “Nuk ka ç’të duhet ty, në qoftë se do më japësh ndonjë lek mi jep, ndryshe mos më pyet për fëmijët e mi”. Ishte ky reagimi tepër nervoz i gruas që mbante fëmijën e saj në krah duke thënë se ai ishte i sëmurë por që nuk pranonte të thoshte se çfarë lloj sëmundjeje kishte. Kjo bëri që dyshimi të shtohej më shumë se kjo nënë e kishte droguar fëmijën e saj për ta vënë në gjumë. Pas disa orësh kalova përsëri në atë zonë dhe gruaja nuk kishte lëvizur që aty. Fëmija sërish flinte gjumë. Pas kërkesë së bërë që ajo ta zgjonte fëmijën ose ta çonin në spital nervozizmi i saj u shtua dhe filloi të bërtasë. Aty u siguruam se ai fëmijë nuk ishte i sëmurë por ishte “sëmurur” nga droga që nëna i jepte për ta vënë në gjumë që të dukej sa më e shtirur në sytë e njerëzve. Një tjetër problem ka të bëjë me faktin se fëmija mund të bëhet pre e sëmundjeve të ndryshme nga drogat e injektuara. Këtu është fjala për humbjen e aftësive të mëparshme psikike në kuptimin e dëmtimit të vëmendjes, të kujtesës, të aftësive për t’u shoqëruar me të tjerët, të aftësisë për pavarësi dhe iniciativë. Një dëmtim i këtij niveli, në disa raste ekstreme çon deri në çrregullime të rënda psikike të fëmijës. Familja e varfër duke jetuar në varfëri e ka të vështirë të kuptojë se duke e vënë fëmijën në punë të papërshtatshme, shkel të drejtat e tij njerëzore dhe fëminore. Në çdo trotuar në zonën e Bllokut dhe në parkun Rinia shikon nëna, me fëmijë në “gjumë”, të cilët në emër të mëshirës lypnin para. Raste të tilla nuk ndeshen vetëm në Tiranë, por në shumë qytete të Shqipërisë. Në emër të nevojës, prindërit kthehen në kriminelë të fëmijëve të tyre, ndërsa qytetarët pa dashur investojnë në këtë biznes të ndyrë. 
    Sigal