Ikën Cristiano Ronaldo, nis revolucioni te Reali i Madridit. Emrat që përfliten

690
Sigal

Pas triumfit të tretë radhazi në Champions, Reali i Madridit përgatitet për të qenë protagonist absolut edhe në merkato. Fjalët e Ronaldos, “shkrova historinë”, pas finales së Kievit lënë të kuptohet se nëse do të largohet portugezi, kampionët e Europës do t’i nënshtrohen një revolucioni.

Edhe Bejl dhe Benzema mbeten në qendër të zërave të merkatos. Ndërsa emrat e përfolur prej kohësh që mund të vijnë në Madrid janë Nejmar, De Gea dhe Hazard. Por zhgënjimi i një lamtumire të mundshme të BBC, do të zbutet sigurisht nga emrat që Florentino Perez do të provojë të sjellë në “Bernabeu”.

Ëndrra e presidentit të Realit është Nejmar, i cili mund të rikthehet në Spanjë një vit pas transferimit rekord te PSG-ja nga Barcelona. Raporti mes sulmuesit brazilian dhe francezëve është tensionuar dhe zërat e një kalimi të tij në Madrid janë shtuar këto kohët e fundit. Por natyrisht që gjërat nuk do të jenë të lehta. PSG nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e atij për të cilin pagoi 222 milionë euro verën e shkuar, ndërsa marrëdhëniet e menaxherëve të Nejmarit dhe Perezit nuk janë ndër më të mirat.

Por paratë zgjidhin gjithçka në futboll, edhe pse do duhen 260 milionë euro vetëm për të nisur seriozisht bisedimet. Një shifër jo e ulët do të përdoret për të rikthyer David De Gean në Madrid pas vitesh të tëra joshjeje. Portieri spanjoll i Junajtid ishte pranë Realit në vitin 2015, aq sa gjithçka u hodh në erë nga vonesat e faksit. Por fatet e tyre janë kryqëzuar disa herë më pas. Nuk vjen Alison apo Donaruma, kështu që të gjitha bateritë do përqendrohen për të sjellë ish-in e Atletikos.

Reali1

Por Junajtid nuk e shet për më pak se 86 milionë sterlina. Për të kompletuar revolucionin në sulm duhen edhe dy goditje të tjera. Një nga emrat favoritë që flirton gjithnjë me Realin është Eden Hazard. Emrat e tjerë për të cilët ka pasur interes janë Dibala apo Ikardi. Por konkurrenca nuk mungon. Ëndrra për të zëvendësuar Benzemanë mbetet sigurisht Levandovski. Por duke parë rezistencën e Bajernit, mund të përfundohet edhe te Herri Kejn.