Idrizi takon Lu e Vlahutin: Pro propozimit të Nuland

469
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi zhvilloi dje pasdite një takim me ambasadorin e SHBA, Donald Lu, dhe ambasadoren e BE, Romana Vlahutin. Ky takim u përqendrua te reforma në drejtësi. Sipas zyrës së shtypit të PDIU-së, Idrizi u informua për zhvillimet e fundit për reformën në drejtësi dhe propozimin e zëvendëssekretares së Shtetit, Viktoria Nuland, si dhe një propozim që afron palët. Por dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me kontestimin e fortë të PDIU për ndryshimin e Kushtetutës mbi diskriminimin gjinor. Idrizi falënderoi ambasadorët për ndihmën shumë të çmuar për reformën në drejtësi dhe angazhimin e tyre për miratimin e kësaj reforme ekstremisht të rëndësishme për shëndoshjen e institucioneve të shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri. 
Ai theksoi faktin që 90 për qind e shqiptarëve, por dhe të gjitha forcat politike janë shprehur për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e kësaj reforme. Nënkryetari i Kuvendit vuri theksin në qëndrimin e PDIU-së në favor të kësaj reforme dhe mbështetjen për variantin e ri të kompromisit të dhënë së fundi nga partnerët tanë. “PDIU u bën thirrje të gjitha partive parlamentare dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ta miratojnë dhe këtë nen të fundit duke e konsideruar një mundësi të qartë kompromisi propozimin e zëvendëssekretares së Shtetit për rekomandimin 88. PDIU insiston që dhe pas miratimit të kësaj reforme të shkohet drejt referendumit si shprehje direkte e demokracisë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Idrizi shprehu pozicionin e PDIU-së që në rast të mosgjetjes së kompromisit për rekomandimin 88 të shkohet në referendum për këtë nen duke iu drejtuar sovranit të shprehet për këtë nen që po mban peng një reformë kaq të rëndësishme.
“Zoti Idrizi u shprehu ambasadorëve qëndrimin e qartë të PDIU-së që neni 18, i cili u hap udhë martesave homoseksuale nuk është pjesë e reformës në drejtësi, por me gjithë qëndrimin tonë kundër, ka nevojë për një debat më të gjerë publik. Ai ngulmoi se pjesë e këtyre ndryshimeve kushtetuese duhet të jenë edhe propozimet e janarit të bëra nga PDIU, veçanërisht e Presidentit nga populli dhe kalimi i akteve kushtetuese me referendum po nga populli, për t’i rikthyer sovranit të drejtën e vendimmarrjes. Idrizi u shprehu kënaqësinë ambasadorëve për dialogun e hapur për këto çështje dhe për investimin e tyre për Reformën në Drejtësi”, thuhet në njoftim e PDIU-së.
Sigal