Ide që u drejtohen shekujve

    78

    Njerëzimi është i etur të mishërojë në jetë ato parime të demokracisë dhe të humanizmit, të iluminizmit dhe të tolerancës, të cilat kanë spikatur në mendimin filozofik

    “Liri absolute, liri të vërtetë dhe të drejtë, liri të barabartë dhe pa hile, ky është ushqimi për të cilin kemi nevojë; kjo nuk është kuptuar aq sa duhet, kjo nuk po zbatohet fare as nga qeverisësit tanë”. Këto fjalë janë shkruar nga Xhon Lok-u (John Locke, 1632-1704), filozofi i shquar anglez i shekullit të 17-të. Është ky një emër që ka hyrë tanimë denjësisht në thesaret e mendimit filozofik dhe të kulturës botërore. Ai ka përcjellë mesazhe të fuqishme, me gjykime kritike konstruktive ndaj të kaluarës së hershme, që ngrihen mbi epokën e vet dhe u drejtohen shekujve pas tij. Ato kanë vlerë thelbësore edhe për mijëvjeçarin tonë të ri, që aq shumë aspiron për liri dhe progres, bën përpjekje për t’u shkëputur edhe nga disa forca frenuese të traditës dhe të inercisë; kur krejt njerëzimi është i etur të thithë dhe të mishërojë në jetë ato parime të demokracisë dhe të humanizmit, të iluminizmit dhe të tolerancës, të cilat kanë spikatur në kulturën dhe mendimin filozofik përparimtar dhe në përvojën e vendeve të veçanta në disa periudha. Ideja e nënvizuar më lart është marrë nga vepra e Lokut me titull: “Letër për tolerancën, botuar para 315 vjetëve, përkthyer në shqip në vitin 2002. Kemi të bëjmë me një vepër të pashtershme dhe të paezauruar në vlerat e saj, me jehonë të pashuar. Kërkesa me ngulm e autorit për liri, që ishte dhe një imperativ i Rilindjes Evropiane, mbetet ide lapidar, po është edhe sot e kësaj dite aspiratë e objektiv për të gjithë njerëzit, popujt dhe vendet e planetit. “Liria absolute”, po të përdorim nocionin e Lokut, është limiti drejt të cilit synon njerëzimi, sigurisht brenda disa kushteve e kufizimeve relative të pashmangshme. Asnjë individ, asnjë popull nuk mund të pretendojë se i është afruar atij në tërë përmbajtjen dhe dimensionet si liri politike dhe ekonomike, liri e ndërgjegjes, çlirim i gruas, për të dalë te liria e lëvizjes, tregtia e lirë, shkëputja nga mjaft tabu të vendosura historikisht nga vetë shoqëria e sa e sa të tjera, të natyrshme, për të mos përmendur dhe ca “liri e të drejta” të fantaksura, të pretenduara. Xhon Loku është bashkëkohës i Revolucionit të suksesshëm të v.1688. Dihet tanimë se “është më interesante të kuvendosh me ata që mendojnë ndryshe, sepse ashtu lindin ide dhe impulse të reja, të rëndësishme për progres” (“Fetë dhe Qytetërimet…” f.32), siç u shpreh bukur dhe Frans-Lothar Altman në Konferencën Ndërkombëtare të Tiranës (nëntor 2003).Le të përmendim se në ato vite është botuar edhe “Traktati teologjik-politik” i Benedikt Spinozë- s (1670), mandej rreth një shekull më vonë, në gjysmën e dytë të shekullit 18-të, ka ngritur zërin rreth kësaj problematike edhe gjermani Gotthold Ephraun Lessing, të cilit kombi i vet dhe kultura botërore gjithashtu i detyrohen. Janë edhe idetë e Volterit e shumë të tjerëve. Së fundi, një burim tjetër referimi, është edhe vepra madhore e Profesorit të Harvardit Samuel P. Huntington-it:” Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror”, e shqipëruar nga Profesor Xhevat Lloshi (2004, Logos, Shkup, Prishtinë, Tiranë). Ky libër, është ndofta pasqyra më e qartë, më e zgjeruar e gjendjes së turbullt të njerëzimit sot, është kodifikimi i kësaj gjendjeje dhe me prognoza perspektivash, ndofta paqësore, pse jo dhe të zymta. Ai orvatet të bëjë një interpretim të evoluimit të politikës globale pas Luftës se Ftohtë; ka mendimin se pas kësaj lufte po nis një epokë e re në politikën globale, ku përmasa qendrore dhe më e rrezikshme do të jetë konflikti ndërmjet grupeve te qytetërimeve të ndryshme, se ajo politikë paska nisur të riformësohet duke iu përshtatur vijave kulturore; se identiteti kulturor është bërë gjëja më me rëndësi për shumicën e njerëzve’; se kultura dhe identitetet kulturore, janë ato që i japin trajtë modeleve të kohezionit, shpërbërjes dhe konfliktit në botën pas luftës së ftohtë” se “Përbashkësitë, dhe dallimet kulturore u japin formën interesave. : antagonizmave dhe grupimeve të shteteve” (f. 31) etj. Ai përcakton edhe formësimin e grupeve më të rëndësishme të shteteve-kombe, të cilat mendon se mbeten aktorët kryesorë në punët e botës. Ai ka një gjerësi informacioni shembullor, njohje dhe gjithpërfshirje të problematikave deri në hollësi e detaje, operon dhe me paradigma që të bëjnë të mendosh, të grishin në debat. Henri Kissinger ka thënë për të se është “Një nga librat më të rëndësishëm që kanë dalë prej kohës së përfundimit të luftës së ftohtë”. “Një kryevepër intelektuale e guximshme, me forcë imagjinate dhe provokuese; një punë themelvënëse, që do ta revolucionarizojë të kuptuarit e punëve ndërkombëtare nga ana jonë”,  është shprehur Zbigniev Brzezinski. Sigurisht, na lë shije të mirë fakti që autori, kur bie fjala, i referohet edhe Shqipërisë si subjekt e si objekt (në faqet 146, 186, 195, 197, 422, 431, 473, 526), po ashtu dhe Kosovës. Është tjetër punë se cila është shkalla e kompetencës, saktësia e pohimeve, pranimi prej tij i disinformacioneve serbe mbi Kosovën etj. Parë në planin e përgjithshëm, ai na imponohet natyrshëm, si një burimi konsiderueshëm me ide e paradigma, me analiza e prognoza, me sfondin e rrënjët historike të proceseve politiko-shoqërore dhe aktualitetin bashkëkohor. Nuk na duket e gjetur dhe e frytshme as qasja qytetërimore e tij në konceptimin e politikës globale, të strategjisë së zhvillimeve mbarëshoqërore. Por debati shkencor është gjithnjë i dobishëm. Sidoqoftë të gjitha këto materiale, me linjat e përbashkëta dhe të veçantat e tyre, përbëjnë një pasurim të njohurive, një ngritje në shkallën e njohjes; janë, patjetër, edhe objekt diskutimi e debati,- mjete këto kaq të domosdoshme për jetën e mendimit njerëzor, i cili karakterizohet gjithmonë nga një relativizëm, më shumë apo më pak i theksuar, me doza të caktuara të subjektivizmit. Bie fjala, për vendin dhe rolin e feve në historinë dhe jetën e shoqërisë njerëzore, ndryshojnë rrënjësisht gjykimet e një teologu nga ato të një historiani dhe sociologu besimtar i moderuar, aq më shumë të një ateisti. Përsa u përket shtetarëve, ata s’kanë punë fare të merren me fenë publikisht, siç do të shpjegohemi në paragrafët e tjerë. Kemi bindjen e palëkundur se Letra e Lokut përmban ide dhe parime thelbësore, të cilat njerëzimi duhej t’i kishte bërë udhërrëfyes e pikë referimi gjatë rrugëtimit të vet të mëvonshëm. Kjo nuk ndodhi, prandaj mund të themi sot se aktivitetet dhe materialet e sipërpermendura na vijnë në fillimet e këtij shekulli si një jehonë e drejtpërdrejtë e mesazheve të Filozofit që prej fundit të shekullit 17-të. Ato tregojnë ç’është arritur, por ngrenë edhe problemet mjaft të mprehta që vazhdojnë ta shqetësojnë njerëzimin. Për sa më sipër vërejmë se si figurat e shquara të njerëzimit, si dhe krejt shtresa e intelektualëve, vazhdimisht kanë shkelur në kallo, kanë vënë gishtin në plagë, kanë hedhur dritë në të gjitha skutat e errëta të jetës; por janë politikanët, ligjvënësit e shtetarët ata që nuk kanë gjetur vullnetin e duhur për të bërë më të mirën në drejtim të vënies në jetë të alternativave më të frytshme në rendin, organizimin dhe rregullin shoqëror!