Hysen KOBELLARI/Veprimet abuzive të OJF-ve në Shqipëri

    538
    Sigal

    Vetë emërtimi i tyre, si duket, ka shërbyer si “ombrellë mbrojtëse” për veprimtari, shpesh herë joligjore

    Në Qarkun e Korçës, ashtu si dhe në gjithë vendin, ka shumë organizata jofitimprurëse (OJF), që e ushtrojnë aktivitetin e tyre për 20 vite me radhë. Vetë emërtimi i tyre, si duket, ka shërbyer si “ombrellë mbrojtëse” për veprimtari, shpesh herë joligjore dhe abuzive. Që të funksionojë një OJF normalisht duhet, që në bazë të statutit përkatës të platformës së grupit nismëtar e dokumente të tjera, të merret Vendim nga Gjykata për lejimin, e ligjërimin e aktivitetit të saj. Në asnjë rast nuk duhet ndryshuar statuti, objekti i fushës ku vepron organizata, etj., (kur bëhen ndryshime parashikohen me ligj) dhe në vazhdim të bëjë transparencën e veprimtarive të saj në fushat përkatëse, ku nga më kryesoret është transparenca financiare, (donacionet), Thirrja për Aplikime Projektesh në shtyp, fituesit dhe rezultatet.

    Sipas procedurave tatimore, në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të nenit 74 të Ligjit 8560 datë 22.12.1999 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ministri i Financave me Udhëzimin nr.7 datë 09.08. 2006, pika e “Regjistrimi i Organizatave Jofitimprurëse” thekson: “Organizatat  Jofitimprurëse, Fondacionet, Njësitë e zbatimit të projekteve dhe organizata të tjera të ngjashme, që kryejnë veprimtari fetare, humanitare, bamirëse, shkencore ose arsimore, që nuk kanë për qëllim fitimin, janë të detyruar të regjistrohen në organet tatimore dhe të pajisen me Certifikatë Tatimore. Për tu pajisur me Certifikatë, personat e mësipërm duhet të paraqesin në Organin Tatimor Vendimin e Gjykatës, që miraton regjistrimin e tyre, Aktin e themelimit, Statutin, Aktmarrëveshjen me Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe informacione të tjera, duke plotësuar “Formularin e kërkesës për Regjistrim”… Organet tatimore mbajnë një Regjistër të veçantë për evidentimin e këtyre personave… dhe janë të detyruar të njoftojnë organin tatimor me anë të një deklarate, për çdo ndryshim të mëvonshëm… OJF-të,Fondacionet, njësitë e zbatimit të projekteve… që kryejnë edhe aktivitete të tjera të karakterit ekonomik, janë të detyruar t’i regjistrojnë veçmas këto aktivitete në organin tatimor, njëlloj si çdo tatimpagues tjetër, që ushtron veprimtari ekonomike…Të gjitha Organizatat Jofitimprurëse janë të detyruara të dorëzojnë në organet tatimore brenda datës 31 mars të vitit në vazhdim, Bilancin e ushtrimit të aktivitetit të tyre. Regjistri shtesë, që shoqëron Regjistrin Bazë të tatimeve, shënon të dhënat e subjekteve të identifikuara nga Policia Tatimore, por të paregjistruara në administratën tatimore.“ Shtrohet pyetja: sa “Organizata Jofitimprurëse” informale ka në Qarkun e Korçës, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë joligjore, pa bërë transparencë në shtyp për projektet e tyre që kapin vlera të mijëra Euro, Dollarë apo miliona lekë?! Në përputhje me këtë, duhet theksuar se pengesë në zbatimin e transparencës është bërë moszbatimi i Ligjit Nr. 8503 datë 30.06.1999 “Për të Drejtën e Informimit të Dokumenteve Zyrtare”, ku neni 3 “E Drejta e informimit” thotë: “Çdo person ka të drejtë të kërkojë informacion për dokumente zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtari të organeve shtetërore dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore, pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet. Autoriteti publik është i detyruar të japë çdo informacion në lidhje me një dokument zyrtar, përveç rasteve kur me Ligj parashikohet ndryshe”. Një muaj më parë, këtë problem e trajtoi në mediat vizive, Drejtoria e Inspektoratit Shtetëror Social, Qarku Korçë, që sipas një studimi të bërë për fushën e veprimit që mbulon kjo Drejtori ( OJF-të që veprojnë në fushat sociale), zbuloi disa shoqata, të cilat kishin fituar projekte p.sh mbi 10 milionë lekë, e që ishin informale dhe nuk ushtronin aktivitet konform ligjit. Nga investigimet e bëra, megjithëse të pjesshme, dalin tre probleme për trajtim: Së pari, luftohet informaliteti, bëhet “zhurmë e potere” për një biznes të vogël ambulator informal, për një tezgë, apo për një shitës në trotuar, ndërkohë që ka abuzime të mëdha dhe të dukshme nga OJF, të cilat pa asnjë rregull financiar lëvrojnë mijëra euro, dollarë e miliona lekë. Po të bëhet një kontroll investigativ nga organe kompetente të specializuara, do të shihet se dalin “xhevahire” në këtë fushë të pa eksploruar mirë deri më sot, të lënë në heshtje, me qëllim, apo jo qëllimisht, por që janë në kundërshtim me Ligjin, duke krijuar terren të favorshëm për korrupsion aktiv apo pasiv, me të dytë, ose me të tretë. Së dyti, donatori (dhënësi i parave për projektet ose suporti financiar) si i qarkullon paratë, duke mos zbatuar kërkesat e Ligjit?! Kjo të lë të dyshosh për një “kompromis fitimprurës të dyanshëm”, ashtu siç thonë shumë kryetarë e kryetare shoqatash, të cilët jo se nuk kanë dërguar projekte në SOROS, SNV, etj., por që projektet për shumë vite iu jepen vetëm disa shoqatave “të përzgjedhura me përzemërsi” të Pogradecit dhe Korçës, etj., që po të investigohen sadopak, do të dalë se paratë e marra nuk i justifikojnë me efektivitetin konkret. Sa për ilustrim po sjellim një shembull sinjifikativ: SNV-ja e ka vënë tabelën e saj reklamuese, në vendin më të dukshëm në Korçë, tek “Silver Center”, ose “Skay”, siç e quajnë korçarët, por puna që bën kjo prej vitesh e ka zhgënjyer komunitetin korçar. Kur është prezantuar prej shumë e shumë vjetësh përpara, SNV-ja në Bashkinë e Korçës, të gjithë ishin e miratuan projektin dinjitoz shumëplanësh ku një vend shumë të rëndësishëm zinte bashkëpunimi dhe transparenca e projekteve me median e shkruar rajonale, e cila s’u bë asnjëherë. Kaposhi tani ka mbetur “një thelë”; SNV-ja sot ka ndryshuar krejtësisht profilin dhe drejtuesi i saj Stavri Pllaha dhe stafi i tij merren vetëm me pyjet prej shumë vjetësh dhe efektiviteti është shumë i ulët, sepse po bëhet kërdia me prerjet e paligjshme në pyje dhe  për “procesionarien e pishës “ nuk kujtohet njeri. Kjo vjen si rezultat edhe i mos sensibilizimit të komunitetit të Qarkut Korçës, qoftë për prerjet e paligjshme, procesionaren, zjarret, etj.. Qëllimi i ndryshimit të destinacionit e profilit të SNV është bërë me qëllime abuzive. Le të bëhet një krahasim i thjeshtë, duke marrë materialin promovues të paraqitur në Bashkinë Korçë, kur ka ardhur SNV-ja në Korçë, me punën që bëhet sot dhe efektiviteti i donacioneve për shumë e shumë vjet me radhë dhe e vërteta do të dalë në dritë të diellit e personat përgjegjës duhet të japin llogari para Ligjit.

    Së treti, kur funksiononte Zyra e OSBE-së Korçë, si Zyrë Rajonale, Znj. Suzi, që përfaqësonte OSBE-në dhe që vlen të falënderohet për një ndihmë shumë efektive për gjallërimin real të funksionimit të OJF-ve tek ne, pasi dëgjoi për problemet dhe shqetësimet e disa kryetarëve të OJF-ve për domosdoshmërinë e ngritjes së një Zyre e Shoqërisë Civile, e cila pasi të pajisej mirë me infrastrukturë e fonde përkatëse, të ndihmonte OJF-të, të cilat nuk kishin zyra, fonde, infrastrukturë, etj., premtoi për ndihmë. Kjo zyrë do të pajisej me tel, fax, kompjuter, e-mail, standardizim projektesh, me personel që të kishte background të pasur në fushën e veprimtarive të OJF-ve. Znj. Suzi e plotësoi këtë kërkesë, por për çudi, pas largimit të saj, si “kërpudha pas shiut” mbiu në këtë zyrë një person që nuk kishte fare lidhje me OJF-të dhe rezultati ishte aspak frytdhënës: Nuk u ndihmuan aspak OJF-të, por u zbatua parimi i njohur “O Mete për vete!” megjithëse u harxhuan shuma të mëdha fondesh (vetëm qiranë po të llogarisësh…). Pas mbylljes para pak kohësh, një Zyrë e tillë u hap përsëri dhe si për reminishencë qesharake sërish u vendos ‘mbiu’ aty një person pa as një eksperiencë në fushat e shoqërisë civile, si znj. Erianda Taipllari, e cila nuk bën asnjë transparencë në shtyp në prezantimin e projekteve, fondeve, rezultateve dhe në vend që të jetë në oponencë me pushtetet, kthehet jo në shërbim të OJF-ve, por në shërbim të interesave personale nepotike dhe në shtojcë të pushteteve, duke krijuar “terr informativ” për të mbuluar veprimet abuzive. Në qoftë se që nga fillimi i veprimtarisë e gjer më sot kësaj zyre të Shoqërisë Civile do t’i bëhet një kontroll investigativ nga donatorët, organet e specializuara që zbatojnë ligjin, si dhe nga vetë Forumi i OJF-ve, Korçë, (i zyrtarizuar më 20.07.1998, vendim nr. 39 akt, person regjistrimi, juridik) do të shihet, se si janë shpërdoruar fondet dhe se sa i ulët ka qenë efektiviteti i punës së saj. Po vetë Zyra e Shoqërisë Civile, Korçë a është e licencuar?!… A ka vepruar sipas ligjit që cituam më lart?!…

    Në këto OJF, shpesh herë informate, punojnë njerëz nga më të ndryshmit, duke mos përjashtuar mësuese, etj., me shumicë, me shoqata fantazmë, e duke gllabëruar fonde, por çështja qëndron në transparencën e fondeve dhe efektivitetin e projekteve të zbatuara, duke pasur parasysh se punësimi në një punë të dytë i nënshtrohet veprimit tatimor ligjor. Drejtoria Arsimore, në mënyrë që të mos dëmtohet puna parësore, që është puna me nxënësit dhe se kjo punë e dytë është me të vërtetë, jo fitimprurëse, apo niset nga interesa vetjake përfituese, duhet që të evidentojë këto mësuese ose mësues, të cilët punojnë në disa shkolla, si e kryejnë detyrën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Tatimore të Qarkut, të shohin a janë regjistruar sipas Ligjit në këtë Drejtori dhe a i paguajnë detyrime fiskale?! Një kontroll nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve Tiranë do të nxjerrë në pah se si abuzohet dhe konkluzionet për Qarkun e Korçës të vlejnë për gjithë OJF-të e donatorët që veprojnë në Shqipëri. Edhe në këtë rast personat përgjegjës të vihen para Ligjit. Ka raste që disa kryetarë, ndërrojnë në vite emërtimet e shoqatave, duke kërkuar donacione me emërtime të reja… Rëndësi ka gjithashtu të mos abuzohet me emërtimin e shtresave të ndryshme sociale që përbëjnë një komunitet etnokulturor, si p.sh Romët, të cilët janë fraksionuar në shumë shoqata, me shumë kryetarë e kryetare megjithëse numri i anëtarëve të këtyre komuniteteve nuk është i madh. Bashkimi i tyre dhe drejtimi nga njerëz të arsimuar do t’i formalizonte këto shoqata e do të bënte efektive punën e tyre e do të ndërpriste rrugën e abuzimeve, se donacionet për to nuk kanë munguar. Këto shoqata të shumta Romësh, kur dihet se sa romë ka Qarku i Korçës, Drejtoria e Tatimeve duhet të verifikojë regjistrimin apo jo të tyre, janë formale apo informale, në mënyrë që të mos akuzojnë njëra-tjetrën nëpër dyert e Gjykatës. Po kështu nuk duhet abuzuar as me gratë, të rinjtë dhe fëmijët. Vetëm për këtë vit, një shoqatë informale e këtij lloji ka marrë 11 milion e 850 mijë lekë, por ka të tjera që kanë marrë shumë më tepër. Çështja është se ka edhe shoqata të huaja, të cilat kur janë promovuar kanë pasur projekte dinjitoze shumëplanëshe dhe me perspektivë e efektivitet të madh, por më vonë si rezultat i drejtuesve të tyre kanë ndryshuar profil, efektiviteti është ulur ndjeshëm, nuk ka pasur transparencë, e të tjera.

    Në aspektin e veprimtarisë ligjore të OJF-ve ka dhe eksperienca pozitive në drejtim të zbatimit të ligjit, transparencës të projekteve në shtyp, donacioneve dhe efektivitetit të punës së bërë, siç janë ARZH – Korçë, USAID-i, “DORKAS” etj..

    Me këtë shkrim ne sapo kemi vënë gishtin në plagë, sepse një studim më i plotë dhe investigimi i kujdesshëm i kësaj çështjeje, në të ardhmen do të na sjellë mjaft të dhëna konkrete për shkelje dha abuzime, por qëllimi ynë është vetëm të sensibilizojmë organet e specializuara që i ngarkon Ligji, për të luftuar, si edhe në fusha të tjera, informalitetin dhe që personat përgjegjës abuzivë të vihen përpara ligjit.