Hysen Haxhia: Mos na hidhni baltë, sepse ju na latë pa varr, ndërsa ne ju falëm

    746
    Sigal

    Nipi i Bektash Agait i përgjigjet Duro Shehut, vëllait të Mehmet Shehut

     Unë Hysen Haxhiaj , nip i Bektashit Çorrushit, kur lexova vjershën  tënde me titull: “Varri i Bektash Agait”, botuar në librin me titull: “Çorrushi vendlindja ime”, ndjeva keqardhje dhe vendosa të përgjigjem. Kurrë  në  jetën time, shumë  më  të  vuajtur se ty, o Duro, për shkak të diktaturës që krijuat dhe e mbrojtët me shumë  fanatizëm ju dhe lloji yt, nuk kam menduar për hakmarrje. O Duro, ajo diktaturë ju hëngri kokën, ty dhe sojit tënd, ajo diktaturë që nuk kurseu as edhe kokat qindra – mijërave shqiptarëve, nuk më kishte shkuar në mënd të merrja penën dhe të shkruaja, sidomos për keq, për ndonjë corrushjot, sado i keq që të kish qenë. Gjithsesi, kjo lidhet me moralin dhe mënyrën e të kuptuarit të kësaj bote, nga çdokush. Unë do të kisha dëshirë që t’i komentonim së bashku këto strofa-bejte, të vjershës tënde të “famshme”, në mënyrë të hapur publikisht, por për fat të keq ti ke ikur larg nga vendi yt, aty në Kanadanë “imperialiste” siç i thoje atëherë, gjatë kohës së regjimit tënd. Nuk e kuptoj se si po të gjen shpirti rehat aty, në atë vend kapitalist, që, sikurse ja u ke shpjeguar, ti brezave të tërë këtu, në atdheun tënd, po përjeton fazën e fundit në kalbëzim të sistemit kapitalisto-borgjez. Si duket e ke kuptuar mirë se, këtu në atdheun tënd, nuk ka vend për ty! Gjithsesi kjo është puna  jote dhe në këtë pikë nuk do të shtojë më tepër. Vetëm do të doja të thosha se ne , pasardhësit e Bektashit, për fat të mirë nuk kemi preferuar  të shkojmë jashtë. Ne, Haxhiajt, në kohën e Bektashit, por edhe më vonë, siç shkruan ti në “vjershën” tënde, i kemi patur mundësit  që të qëndrojmë atje në Amerikë. Por, sikurse vihet re, kemi qëndruar që të gjithë në atdheun tone, pasi e kemi parë dhe e shohim veten, të ardhmen e fëmijëve tanë këtu, ku na duket edhe “balta më e ëmbël se mjalta”. Gjithsesi edhe në këtë pikë mendoj të mos flas më shumë, por po vazhdoj të komentoj strofën e parë të vjershës-bejte, të shkruar nga ti o Duro:

    “Baktash Haxhiu nga Corrushi,

    Deputet i Zogut mbret,

    Hambarët pasuri i mbushi

    Gjakpirës i popullit të vetë”.

    Qysh tek strofa e parë vihet re niveli i ulët intelektual, formimi stalinisto-enverist, mllefi tipik enverist i autorit që, për fatin e tij të keq, edhe pas 23 viteve demokraci, në Shqipëri, nuk ka kuptuar asgjë nga çfarë ka ndodhur në këtë vend. A je në gjendje o Duro të na thuash për ndonjë bashkëfshatar, pra për ndonjë corushjot, apo mallakastriot, që Bektashi e pat vrarë, i pat rrëmbyer tokën, pati mbushur hambarët e tij dhe i pati pirë gjakun, sikurse e fillon vjershën e “famshme” ti o Duro?! Kur dikush nga Corrushi ta ka bërë këtë pyetje je zënë ngushtë dhe e ke lënë pyetjen pa përgjigje. Se si e ka vënë pasurinë Bektashi e kanë ditur dhe e dinë të gjithë, jo  vetëm në Corrush, por gjithandej, nga të gjithë ata që e kanë njohur. Natyrisht në atë kohë, ti nuk kishe lindur, por si duket nga dashakeqësia, injoranca apo dhe niveli yt i ulët  intelektual nuk ke marrë mundimin as të mësosh. Është e njëjta rrugë që po ndjekim ne, pasardhësit e tij, por jo vetëm ne. Atë rruge e shohim sot tek të gjithë njerëzit e zotë, sipërmarrës të ndershëm të këtij vendi të lirë e demokratik . Gjithsesi ti Duro duket se nuk e kupton dhe s’ke si ta kuptosh pasi tërë jetën, ti dhe lloji yt jeni marrë me luftën kundër kapitalit, kapitalizmit  dhe kapitalistëve. Si dhe më lartë për të mos shkruar më tej po vazhdoj me strofën e dytë te bejteve të tua o “poeti” bejtexhi: Duro, sipas vjershës tënde, aty në Amerikë, afër së cilës po jeton ditët e pleqërisë edhe ti (në Kanada) shkohet për të mësuar vetëm e vetëm për të vrarë të tjerët…?! O Duro, si duket e paske të vështirë të kuptosh se kush është Amerika, sidomos për ne shqiptarët dhe, akoma vazhdon të derdhësh vrer sipas mësimeve staliniano-enveriste, pavarësisht se aty po gjen prehje dhe qetësi.  Ti dhe fëmijët e tu. Po pse vazhdon të rrish aty, më atë vend “vrasës” o poeti-bejtexhi, ik sa më parë në Rusi, Kinë apo Siri, se aty do të të vrasin dhe do të pinë edhe gjakun…!Keqardhje të madhe edhe për nivelin e ulët intelektual, ndoshta në mendjen tënde ke hedhur rrënjë të thella shkolla-staliniane – ruse e cila, për fatin e keq tëndin, të ka informuar o profesor i lëndës të marksizëm-leninizmit. Gjithsesi nuk do të doja të ishte shpirtligësi, pasi sinqerisht, si corrushjot më vjen turp për skullufrosjen tënde mendore. Në këtë pikë mund të flas shumë po, për të mos u zgjatur, po kalojmë në strofën tjetër. Meqë ke harruar historinë pyet mallakastriotët. Kush i dorëzoi Hajredin Fratarin dhe Ismail Klosin tek rebelët dhe i varën si heronj. Shehu i Corrushit. Ka këngën:

     “Kush iu çoi në litar

    Hajredin o biro djal’

    Kallaut Shehu me tradhtar

    Hajredin o biro djalë”

    Pjesën tjetër besoj se e ke dëgjuar nga mallakastriotët! Bektash Haxhiu vdiq në vitin 1934, kur ti o Duro ishe 4 vjeç. Fatmirësisht nuk e përjetoi  ardhjen e sistemit gjakatar komunist se, me siguri, sikurse shumë fisnik, të pasur, të zgjuar të tjerë shqiptar, nuk do të ishte pajtuar me të.  Sipas meje ti, o Duro, duket se nuk ke shkuar as edhe tek lapidar, ku përjetësohen emrat e dëshmorëve të Corrushit, ku është i  shkruar edhe një nga emrat e pasardhësve të Bektashit. Pra sikurse duket, pasardhësit (djemtë) e Bektashit luftuan, derdhën gjakun e tyre, për të çliruar vendin nga pushtuesi dhe jo për të krijuar diktaturën gjakatare komuniste, që krijuat dhe mbrojtët ju . Ata luftuan për një Shqipëri demokratike dhe jo për të qenë Shqipëria vasale e jugosllavëve dhe rusëve ku, për fat të keq, ti dhe lloji yt, me servilizmin karakteristik përulës mjeran e shputë. Natyrisht, ti dhe lloji yt nuk e donit Shqipërinë demokratike-kapitaliste dhe, ashtu sikurse bënte Stalini në Rusi, si nxënës  të zellshëm, filluat të bënit në  Shqipëri duke e nisur me pasardhësit e Bektashit, të cilët i burgosët, internuat, persekutuat për më se dyzet vjet, pa qenë në gjendje që të thoni qoftë edhe një fjalë se çfarë faji patën bërë ata. Gjithsesi, do të ecim më tej në krijimtarinë tënde duke vazhduar me strofën pasardhëse. O Duro, nuk do të doja të mendoja se ti nuk e di se e pronë kujt është toka, ku la amanet të varrosej Bektashi. Shko në Corrush dhe pyet, gjithandej do të thonë se është pronë e familjes  Haxhiaj, pronë e trashëguar brez pas brezi nga të parët e kësaj familje.  Ai u varros me të gjitha nderimet e kohës. Në atë ceremoni mortore morën pjesë gjithë populli i Corrushit dhe Mallakastrës , aty ishte edhe sheh Ismaili me gruan e tij, Sulltanën. Këta të fundit ishin në respekt, jo vetëm të zakonit që kemi ne, andej nga Corrushi, në raste vdekje, por edhe të origjinës të përbashkët që kemi në Bregasi (ku bën pjesë fisi Haxhiaji ) me ju Shehajt. Por s’ka problem se ti, si një ish -komunist i bindur, me pikëpamje dhe edukim stalinisto-enverist, munde ti mohosh, pasi përgjithësisht ti dhe lloji yt i mohoi, jo vetëm zakonet e mira të trashëguar nga të parët tanë, por edhe vetë Zotin për më se 40 vjet. Aty ishin edhe shumë personalitete të kohës me të cilët kishte punuar Bektashi. Në do më shumë o Duro, lidhur me vdekjen e Bektashit, shko në arkivin e shtetit dhe lexo lajmërimin zyrtar për vdekjen e deputetit të Mallakastrës, Bektash Corrushi, që mban datën 20 nëntor 1934. Trupi i Bektashit u vendos në arkivol, u fut në dhe, pranë trupit të nënës së tij (vdekur vite më parë), sipas ritit mysliman me kokën nga qabeja. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe pasi, sistemi që ai shërbeu ishte një sistem demokratik, ku respektohej njeriu dhe shkonte në atë jetë me nderimet e duhura. Ai sistem o Duro nuk ishte një sistem që merrej me të vdekurit , sikurse sistemi që krijove dhe i shërbeve ti. Sistemi që ti i kushtove jetën tënde me fanatizëm  shkoj deri atje sa të vdekurit ti varroste natën, në fshehtësi, duke ua bërë varrin në formë pusi dhe njerëzit i futi  në varre, në pozicionin në këmbë, për të mos lënë asnjë shenjë dalluese mbi tokë …pra komunizmi yt, nuk e kishte për gjë ti linte njerëzit e vdekur dhe pa varre. Sistemi yt edukoi njerëz (bisha) që, për fat të keq, pati edhe në Corrushin tonë, në vitet 70-të, të shkonin te varri i Bektashit e nënës së tij, ku të shkatërronin gjithçka duke i marrë dhe gurët e varrit. Natyrisht që ne, pasardhësit e Bektashit i dimë, i njohim ata, me emra dhe mbiemra, ndonjëri ka ngrënë edhe bukë tek ne, por ne edhe sot e kësaj dite themi që ata ti fal zoti se nuk dinin se cfarë bënin. Ne si njerëz fisnik që jemi nuk jemi marrë dhe kurrë nuk do të merremi me ta. Sado të keq që ata janë treguar, ne nuk na ka shkuar kurë në mënd që të marrim penën dhe të shkruajmë vjersha apo bejte për ta, pasi kemi patur dhe kemi bindjen se ata zbatonin një urdhër të marrë.  Nuk do të doja ta besoja, por kjo s’kishte si të ndodhte pa bekimin tuaj aty në Tiranë o Duro….!? Kur dikush nga Corrushi  ta ka bërë këtë pyetje, ti je përgjigjur se ne nuk dinim gjë…..! Për ne pasardhësit e Bektashit ishte edhe më se e qartë se  në Corrush edhe një harabel të fluturonte nga Bregasi në Shehaj dhe anasjelltë, ju, aty në Tiranë, e merrnit vesh.