Hyqmet ZANE/ Kur Abati i Mirditës (Preng Doçi) i shkruante Papës së Vatikanit

688
Sigal

(Promemorie për Çamërinë)

Në vend të hyrjes

Vizita e një Pape të Vatikanit në Shqipëri është vlerësim për gjithë kombin shqiptar. Njëherazi është edhe një detyrim për këtë vend që u bë mbrojtës i qytetërimit europian dhe që në një formë a në një tjetër është detyrim i Europës për gjithë kombin.  Historia e kombit shqiptar dhe e trojeve të tij autoktone janë një realitet që flet me gjuhën e fakteve dhe që vijnë të freskëta përmes shkrimeve të njerëzve të shquar si “Promemoria” e klerikut shqiptar Preng Doçi, Abatit të Mirditës, të cilën ai ia parashtron Papës së Vatikanit në Romë, më 20 tetor 1886, duke i kujtuar të vërtetat historike të ndryshimeve të padëshiruara nga ana e shqiptarëve, të cilët, me ndërrimin e përkatësisë fetare, humbën shumë vlera dhe troje.
LETRA
Preng Doçi, 20 Tetor 1886
Hirësi e nderuar
.
Ndërsa Hirësia Juaj, përcjell mendimin e çmuar edhe në krahinat më të lashta të hemisferës, diku për të mbështetur e përforcuar misionet e vjetra, diku për të krijuar të reja, nuk do të jetë pa vend, në qoftë se unë do t’ju flas për një pjesë të madhe të vendit tim, për Epirin, ku do të krijohet një mision, zelli Juaj do të kurorëzohet me siguri me një sukses të lumtur.
E para, Epiri është mjaft afër. Ai shtrihet përgjatë bregut të detit Jon, nga Gjiri i Artës e deri në portin e Vlorës, duke përfshirë Manastirin në kufi të Maqedonisë dhe Mecovën në shpatet e Pindit.
E dyta, sepse rrethanat e kohëve të tashme dhe qëndrimi i mirë i këtyre popujve të ushqejnë besim, se tani ka ardhur koha edhe për ta, që të rikthehen në gjirin e kësaj kishe, prej të cilës janë gjetur larg, jo se ata janë rebeluar kundër saj, por për një rast të vajtueshëm. Duke vijuar ende sundimi i Portës së lartë në Epir, nuk e teproj po të them se është e lehtë që kjo pjesë e shqiptarëve të kthehet (në fenë katolike) – shënimi ynë. P.Doçi, e cila pas pushtimit osman qe shtrënguar të ndërrojë fenë dhe të përqafojë kultin e Muhametit. Ju lus, pra, për ata që do të thosha se pa e ditur u gjendën anëtarë të kishës greke shizmetike. Si ortodoksët dhe myslimanët, në shekullin e 15-të, ishin të gjithë katolikë, por në kohën e Perandorisë Bizantine, u gjendën nën vartësinë e Patriarkut të Kostandinopolit, por këto sollën midis tyre shizmën (fenë ortodokse) që, për shkak të urrejtjes ndaj papëve dhe ndaj popujve të Europës Perëndimore, qeveria Osmane kishte filluar ta tolerojë në perandorinë e vet. Me kohë filluan të vijnë në Epir edhe grekë, edhe vlleh. Por popullsia shqiptare epirotase është shumë më e madhe përderisa gjithë ortodoksit e Epirit arrijnë në 600 mijë banorë. Katolikë nuk ka në këto anë, veç disa qindra, të shumtët tregtarë e punëtorë të përhapur në qytetet kryesore, të cilët kanë ardhur nga Shqipëria e Epërme, nga Italia ose vende të tjera dhe ata i përkasin ritit latin. Këta kanë në Prevezë një mision italian, në Vlorë një tjetër, pra, në dy skajet e këtij vendi shumë të gjerë. Janina, qytet i parë dhe qendror, është vakant prej kohësh. Kryepeshkopi i Durrësit ushtron juridiksionin mbi qytet, kisha ortodokse, që është nën juridiksionin e Patriarkut të Kostandinopolit, ka seli të ndryshme peshkopësh në Epir, si në Janinë, ku ishte orakulli antik i Dodonës në Berat ose në Belgradin shqiptar, në Përmet, në Delvinë, në Paramithi ose kështjella e Shën Donatit
etj.. Ka një numër të madh klerikësh dhe manastiresh të ndryshme. Ato janë shpërndarë në qytete dhe krahina të ndryshme. Qytetet e njohura janë edhe Preveza, Parga, Himara, Delvina, Argjirokatsra, Tepelena, ku ortodoksë janë të shumtë dhe kanë shkolla dhe klerin përkatës. Durrësi i shtrirë në Shqipërinë e mesme (me Tiranën dhe Elbasanin–Albanopolin e lashtë), ka shumë ortodoksë, të cilët nëpërmjet shkollave dhe mjeteve të tjera, kishat ortodokse kërkojnë t’i fusin nën ndikim dhe mbështetjen me partë e Greqisë.  Duhet të vë në dukje në mënyrë të veçantë, se ka disa kohë që mirëkuptimi midis vetë epirotasve (shqiptarëve – P.Doçi) dhe epirotasve grekë ka pushuar të jetë i përzemërt. Kjo simptomë vihet re edhe tek kleri. Edhe antipatia është shkaktuar nga vetë Patriarku i Kostandinopolit, i cili ka shtyrë Qeverinë Osmane të mos lejojë literaturën shqiptare në Epir. Greqia ka mbështetur këtë patriark në synimet e tij, duke ndaluar gjuhën shqipe në shkollat e tyre në Epir. Pra, si njeri, si tjetri janë ngritur haptazi si armiq të kombit shqiptar. Greqia ka dhënë dhe prova që do të shkëpusë lidhjet midis Shqipërisë së Epërme me Epirin, dukë pushtuar ose bërë të vetin këtë të fundit. Edhe epirotasit kanë kuptuar se qëllimi i Greqisë nuk është emancipimi i atdheut të tyre, por nevojat që ka Greqia për të formuar një ushtri të vetën me djemtë e Shqipërisë dhe për të paguar borxhet me pasuritë e këtij vendi shumë pjellor. Forcë lëvizëse e çdo shqiptari qoftë mysliman, qoftë i krishterë (ortodoks) është dashuria për atdheun, ndjenja e ruajtjes së kombësisë dhe gjuhës së vet. Në qoftë se ata do të arrijnë të kuptojnë se bashkimi në një fe është një mjet për të ruajtur të paprekur gjuhën dhe kombësinë e tyre, pa ngurrim do ta përqafojnë atë. Grekët dhe, sidomos, shqiptarët janë tepër konservatorë të traditave të tyre të lashta, sidomos në punë e gjuhës së kultit. Në Greqi janë rreth 500 mijë shqiptarë të cilët recitojnë ende lutjet në gjuhën e vet dhe në greqisht. Madje në Epir, sapo të hiqet pengesa e ritit dhe e misionarëve latinë, vështirësitë e kthimit në fenë katolike do të jenë shumë më të vogla. Meqë ata nuk janë shkëputur nga kisha romake për shkak të ndonjë rebelimi, në zemër epirotasit janë ende katolikë. Ata janë nga natyrë krenare, të ndershëm dhe fisnikë dhe e duan të vërtetën, madje në këto kohë dëshirojnë të shkëputen krejtësisht nga Greqia dhe Kostandinopoli, kujdesin dhe mbështetjen e Selisë së Shenjtë do ta shikojnë si një shenjë paralajmëruese të çlirimit të afërt dhe përparimit të tyre. Ata e dinë se Selia e Shenjtë nuk ka asnjë interes për të shkatërruar kombin e tyre dhe për të zëvendësuar me një tjetër gjuhën e stërgjyshërve të tyre të lashtë, pellazgëve. Pastaj është e sigurt se myslimanët e Epirit, me një ndërrim të administratës fetare, bëhen të krishterë, meqë me zemër janë të tillë me kohë. Është gjithashtu e sigurt që ata nuk do të bëheshin ortodokse vetëm e vetëm se urrejnë Greqinë. S’ka dyshim se ata do të përqafonin fenë tonë në qoftë se kjo, në këto ndryshime do të ketë zënë rrënjë në këtë vend, se vetëm kjo, duke thënë të vërtetën, ka qenë feja e gjyshërve të tyre. Myslimanët e Greqisë arrijnë në afro 700 mijë. Ndërkaq, me që Hirësia Juaj e quan oportune të krijojë misione në Epir, nuk shpresoj se nuk do të ketë vështirësi të gjejë misionarë shqiptarë të ritit grek e të gjuhës së Epirit që është e njëjta me atë të shqiptarëve të Kalabrisë e të Siçilisë. Peshkopët dhe kleri i këtyre kolonive shqiptare mund të japin edhe mjetet e nevojshme që ndërmarrja e tyre bamirësie të dalë me sukses, duke formuar shoqata dhe duke mbledhur fonde ndër bashkatdhetarët e tyre në Itali, të cilët nuk janë të pakët. Këta shqiptarë, të cilët kanë emigruar fill nga Epiri në shekullin e 15-të e duan me shpirt atdheun e tyre të lashtë dhe kanë besim se me një shenjë të Selisë së Shenjtë, do t’i përvishen punës për t’i kthyer në fenë katolike (shënimi ynë) vëllezërit e vet me gjithë gëzim e shpejtësi. Ata me siguri do të mirëpriten në Epir, ku ende vajtohet largimi i tyre. Ata janë të ditur dhe kanë mësuar në Itali për të përdorur mjetet e qytetërimit të krishterë me oportunitet, sipas vendit dhe kohës. Ndoshta edhe Qeveria Osmane do ta shohë ardhjen dhe veprën e tyre në Epir më me pak dyshim se ata të Greqisë.  Ju lutëm Hirësisë, të më falni për lirinë me të cilën Ju parashtrova këtë promemorie lidhur me misionet në Epir. Me ndjenja të nderimit të thellë Ju puth unazën shërbëtori i urtë dhe i bindur i Hirësisë Suaj.
******

PAK HISTORI
Preng Doçi është një prej figurave më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare. Nuk është e rastit që shkrimtari dhe publicisti rilindës Milto Sotir Gurra do të shkruante : “Preng Doçi, të cilin të gjithë shqiptarët e Veriut dhe të Jugut e njohin me emrin Abati i Mirditës, është nga figurat më të shkëlqyera të Rilindjes sonë Kombëtare dhe një nga apostujt më me vlerë të fesë së shqiptarizmës”. Preng Doç lindi në Bulgër të Rubikut, Mirditës, më 1846 dhe vdiq në Orosh më 1917. U shkollua në Shkodër dhe në Romë në vitet 1859-1871. Qysh student u njoh dhe ka bashkëpunuar me atdhetarë arbëreshë, gjuhëtarin Dhimitër Camarda dhe poetin e njohur Jeronim De Rada. Preng Doçi punon pa u lodhur për bashkimin kombëtar, zgjimin dhe përparimin e shqiptarëve. Në vitet 1876-1877, ai qe frymëzuesi dhe organizatori kryesor i kryengritjes në Mirditë. Për pjesëmarrje me armë në dorë në kryengritje, u burgos, por me ndërhyrjen e Selisë së Shenjtë, u lirua me kusht që të mos kthehej në Shqipëri, pa lejen e veçantë të Portës së Lartë. Në vitet 1883-1884 u dërgua në Athinë më detyrën e sekretarit të Arqipeshkvit katolik të Athinës, Maragngo. Gjatë rrugës Tivar-Pire, Preng Doçi u ndal në Korfuz, ku pati takime më anëtar të komitet shqiptar të atjeshëm dhe me atdhetarë nga Çamëria. Në Athinë ai vijoi lidhjet me shqiptarë të ndryshëm. Shërbimin në Tivar dhe Athinë e quante si urë për të hyrë në Shqipëri. Si njohës i thellë i çështjes shqiptare në të katër vilajetet dhe sidomos i njohjes së gjendjes fetare dhe kombëtare në Epir, ai i drejton Selisë së Shenjtë “Promemorien” në fjalë. 10 vjet më vonë Preng Doçi parashtron një projekt për besëlidhjen e 5 krahinave autonome shqiptare : 1. Kosova me qendër Prishtinën ; 2. Shqipëria e Epërme me qendër Shkodrën ; 3. Shqipëria e Mesme me qendër Durrsin ; 4. Toskëria me qendër Vlorën ; 5. Epiri me qendër Janinën. Me anë të një bese të përgjithshme, këto të 5 krahinat do të formonin shtetin kombëtar shqiptar. Si apostull i shqiptarizmës, misionin e tij në shërbim të atdheut, çështjes kombëtare shqiptare, ai e ka kryer me ndërgjegje të pastër dhe ndjenjë përgjegjësie. Preng Doçi si poet ka dhënë një ndihmës të vyer në lëmin e letrave shqiptare, ndërsa si gjuhëtar ka bërë shumë për njësimin e gjuhës letrare dhe për ngulitjen e alfabetit të sotëm të shqipes.
Ndoshta Papa i sotëm i Vatikanit do mund të dëgjojë zërin e së vërtetës historike të një shërbëtori të fesë katolike si Abati i Mirditës (Prend Doçi) për të mirën e kombit shqiptar.