Historianët: Ai ishte kundër Qeverisë së Ismail Qemalit

    456
    Sigal

    Flasin Prof. Beqir Meta dhe Agim Ahmetaj: Vlora përcolli me indiferencë Eqerem Bej Vlorën

     Dje u rivarros në Kaninë, Eqerem Bej Vlora. Sjellja e eshtrave nga Vjena e Austrisë dhe varrosja në Kaninë të Vlorës, shënon rehabilitimin e Eqerem Bej Vlorës, ish-ministër në qeverinë kuislinge dhe i njohur deri sot si kolaboracionist e bashkëpunëtor i pushtuesve të vendit. Një fakt i tillë, sipas burimeve në qarqet intelektuale të Vlorës, që është bërë temë e debateve të ashpra në komunitetin vendas, është iniciuar nga Fate Velaj, këshilltari për kulturën i Kryeministrit Edi Rama. Por me sa u pa, ishte një rivarrim i thjeshtë, pa bujë me një ceremoni modeste. Në këtë ceremoni thuajse nuk mori pjesë asnjë politikan i majtë, rrallë ndonjë intelektual i majtë, por dhe shumë pak njerëz të thjeshtë. Mund të binte në sy ndonjë politikan i djathtë i zonës së Vlorës si dhe intelektualët  Artan Lame dhe Auron Tare. Pjesa dërrmuese ishin pjesëtar të familjes, intelektualë nga miqësitë e familjes Vlora.  Një ndër ngushëlluesit e familjarëve ishte dhe ish- Drejtori i Muzeut të Vlorës, Agim Ahmetaj, të cilit i morëm këtë opinion.

     Cili është mendimi juaj për figurën e Eqerem Bej Vlorës dhe si u zhvillua ceremonia e rivarrimit, a pati njerëz?

     Unë dje shkova qysh në orën 09:30 në shtëpinë e vjetër të fisit Vlora për të ngushëlluar të afërmit. Ndërsa në Kaninë nuk shkova. Pashë se në shtëpi vinin shumë pak njerëz dhe shumë pak intelektualë. Ajo që më ra në sy ishte se nga simpatizantët e së majtës thuajse erdhën për vizitë shumë pak. Edhe nga pushteti vendor thuajse nuk kishte njeri. Personalisht bëra ritet e rastit duke folur më shumë me mbesën e Eqerem Bej Vlorës.  Ajo që më ra në sy ishte se kishte përfaqësues nga partitë politike të djathta që bëjnë jetën e partisë në Vlorë.  Ndërsa të majtët më ra në sy Artan Lame dhe  Auron Tare dhe këta jo si përfaqësues të së majtës, por ndoshta për shkak të profesionit të tyre. Pra dhe në këtë rast populli ishte i ndarë më dysh. E majta që nuk solli asnjë përfaqësues dhe e djathta që kishte disa figura të organizatës së Vlorës. Personalisht ndenja rreth 30 minuta, fola, pyeta, shova disa kureshtje. Dikur kam shkruar se Eqeremi vjen nga familja e fisme me vlera të mëdha të oxhakut  të Vlorajve. Ai ishte i të njëjtit fis me Ismail Qemalin, por kishte shumë kontradikta me të. Ishte kundër qeverisë së Ismailit dhe reformave të asaj kohe. Por në fund të fundit, me vlerat dhe rezervat që kanë ndaj figurës së tij, unë jam i mendimit se ishte një gjest fisnik ardhja dhe rivarrosja e eshtrave në tokën që ata kanë në Kaninë si fis. Është koha e mirëkuptimit, koha e faljes, koha e pajtimit kombëtar. Duhen falur disa gabime që janë bërë në rrethana të caktuara, në vite të caktuara. Unë nuk shkova në rivarrimin në Kaninë, por dhe aty pashë shumë pak njerëz. Vlora u tregua shumë indiferente, thuajse e ftohtë. Në Kaninë eshtrat e tij i çuan në orën 12:00, sado modeste kjo ceremoni kishte vlerat e saj. Sot gjërat duhen të shikohen me një sy tjetër, me atë të lehtësimit nga paragjykimi i një kohe tjetër.

    Prof. Beqir Meta

    Për mendimin tim kjo ceremoni rivarrimi duhej bërë. Në fund të fundit ai erdhi në tokën e të parëve. Vjen nga një familje e madhe, e fisme, me vlera ët mëdha patriotike. Ne sot nuk duhet të bëjmë luftë klasash si në komunizëm. Ndoshta ka gabuar në një moment, por nuk duhet t’i mohojmë dhe vlerat si intelektual dhe si patriot. Dihet puna e tij para shpalljes së pavarësisë dhe pas shpalljes së pavarësisë. Kontributet më të mëdha të tij janë për mbrojtjen e Shqipërisë së jugut nga andartët grekë. Madje, mund të them se në ngritjen e çetave  apo Komitetit për Mbrojtjen e Shqipërisë së jugut, ai ka vlerat e tij të padiskutueshme.

    2

    Para disa ditësh në këtë kuadër, gazeta mori dhe prononcimet e tre intelektualëve të njohur, përkatësisht Sabit Brokajt, Bardhosh Gaçes dhe Dalan Buxhelit.

    Prof. Dr. Sabit Brokaj: Nuk mund të rehabilitohet një bashkëpunëtor i fashizmit!

    Këto ditë pritet që në Vlorë të rehabilitohet Eqerem Bej Vlora, një personazh që është diskutuar shumë gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Ai midis të tjerave është përmendur si një bashkëpunëtor i fashizmit. Për këtë figurë nga shumë intelektualë ka mendime të ndryshme. Midis të tjerave Dr. Sabit Brokaj në një bisedë telefonike thekson se: “Nuk mund të rehabilitohet një bashkëpunëtor i fashizmit”. Sipas Brokajt për këtë figurë duhet diskutuar shumë dhe të bëhen biseda të gjata.

    -Ky është mendimi im paraprak thekson ai,- duke mos lënë shteg për rehabilitim.

    Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Europa i ka dënuar kolaboracionistët!

    Për historianin e njohur Bardhosh Gaçe, ceremoni private mund të organizojë kushdo, por ceremoni zyrtare e rehabilitim, Eqerem Vlorës nuk ka pse i bëhet, pasi ai ishte kolaboracionist, bashkëpunëtor me pushtuesin. “Po flitet këto ditë se mund të sillen në vendlindje eshtrat e Eqerem Bej Vlorës e se do të ketë dhe një ceremoni… Nuk di se kush e bën… Rivlerësim i figurave duhet bërë, por mbi faktet historike. Eqerem Vlora, ka qenë kolaboracionist, bashkëpunëtor i pushtuesve të vendit.  Ka pasur nëpër Europë nja 7 dashnore, ka dhe një varr atje, në Vjenë të Austrisë. Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore, u rendit në kampin e fitimtarëve, ndërsa kolaboracionistët, i dënoi gjithë Europa. Si shqiptar që është, atij takon një varr në vendlindje, ndoshta dhe ceremoni. Por të ketë një ceremoni zyrtare, një rehabilitim, nuk është e drejtë. Ceremoni familjare, private apo dhe të atyre personave që janë të interesuar, sigurisht që i takon dhe mund t’ia bëj kush të dojë!”

    Sekretari i shoqatës së Dëshmorëve,

    Dalan Buxheli: Ka qenë kuisling, bashkëpunëtor i pushtuesve!

    Kundër rehabilitimit zyrtar të Eqerem Bej Vlorës, është dhe Dalan Buxheli. Sipas tij, ai ka qenë një kuisling, ka punuar e luftuar krah pushtuesve të vendit dhe nuk meriton vlerësime zyrtare. “Kemi dëgjuar dhe flitet këto ditë për rehabilitimin e Eqerem Bej Vlorës, bile dhe se do i bëhet dhe një ceremoni zyrtare. Ai është një figurë me shumë dritë-hije. Në vitin 1920, kryengritësit i shkuan dhe e takuan Eqerem Vlorën, atje ku ishte me komandantin e forcave pushtuese italiane dhe i kërkuan t’i thoshte të paftuarit të largohej bashkë me forca, pasi populli po e pret me armë. Eqerem Vlora iu drejtua bashkëkombësve: “Pse, ju me këta dyfekë me gjalmë do i largoni italianët!”. Por dihet se Vlora e shqiptarët i hodhën italianët në det në vitin 1920. Eqerem Bej Vlorës, i ngeli vetëm të shprehë habinë: “Si është e mundur!?”. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ai bashkëpunoi me fashizmin, është kolaboracionist. Si ministër që ishte, ka firmosur dënime e pushkatime të luftëtarëve të lirisë. Në gjithë botën, kolaboracionistët janë dënuar. Ceremoni zyrtare rehabilitimi nuk ka pse i bëhen, private, është e drejta e të interesuarve”.