Historia e Shqipërisë është e shkruar me gjakun e dëshmorëve

    398
    Sigal

    Flasin për “Telegraf” Mrko Dajti Muharren Xhafa, Dalan Buxheli dhe Zyhdi Kroi: Festimet e 70 -vjetorit dhe figura e Enver Hoxhës

    Edhe gati katër muaj na ndajnë nga festimet që priten të mbahen me rastin e 70 vetorit të Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo çështje ka krijuar shumë përplasje midis forcave politike shqiptare për mënyrën se si do të përkujtohen të rënët e kësaj lufte. Reagime të shumta ka patur dhe nga ushtarakët, veteranët, por edhe nga komunistët, jo vetëm për gjendjen e mjeruar të varrezave dhe monumenteve të luftës, të lëna në harresë, por edhe për shmangien e figurës së Enver Hoxhës, si komandant i asaj lufte, në nderime që janë bërë. Lidhur me vendin që figura e Enver Hoxhës zë në këtë pjesë të historisë, me kërkesat e veteranëve dhe nderimet në 70 vetorin e luftës antifashiste, flasin për “Telegraf”z. Marko Dajti, kreu i PPR-së, z. Muharrem Xafa, sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, z. Dalan Buxheli, dhe z. Zyhdi Kroi, kreu i shoqatës së ushtarakëve.

    Marko Dajti: Ambasadori Gjerman, shembulli më i mirë i respektit ndaj atyre që luftuan dhe dhanë jetën për liri

    (Kryetar i PPR dhe Kryetari dhe Frontit të Majtë)

    Si e mendoni 70-vjetorin e çlirimit të atdheut?

    -Si një festë të madhen për gjithë shqiptarët, por edhe si një pikë të fortë reflektimi politik e historik. Është koha për të vënë në vend padrejtësitë e këtyre 20 viteve të fundit dhe për t’u dhënë vendin që u takon në histori dëshmorëve dhe luftëtarëve që bënë luftën e madhe, drejtuesve politikë të kësaj lëvizjeje që në histori mund të krahasohet vetëm me atë të Skënderbeut, por edhe të rivlerësohet roli i Komandantit të Përgjithshëm të kësaj lufte, Enver Hoxha. Komisioni që do të merret me organizimin e këtyre festimeve nuk duhet të harrojë të porosisë fotografinë e madhe të Komandantit dhe të mos harrojë për asnjë moment se dallimi i madh ndërmjet të majtës dhe të djathtës ka filluar që në ato vite të zjarrta. Pasardhësit e atyre që çliruan atdheun sot janë në pushtet, ndërsa pasardhësit e atyre që bashkëpunuan me fashistët italianë dhe nazistët gjermanë janë në opozitë, përkrah me tradhtarin e partisë tonë Sali Berishën.

    PS-LSI thonë se e duam Luftën, por jo komandantin e luftës, Enver Hoxha. Është hipokrizi apo e bëjnë për interesa personale dhe vota?

    Nuk mund të quhet as hipokrizi, do të ishte shumë pak. Është sjellje e neveritshme prej injorantësh politikë që duan të mohojnë edhe të pamohueshmen. Nuk e di si mund të përkujtohet Lufta pa Komandantin. Do të ishte njësoj sikur të përkujtonim Lidhjen e Lezhës dhe luftën 25-vjeçare kundër osmanëve të shekullit XV pa përmendur emrin e Skënderbeut. Do të ishte njësoj sikur SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia të përkujtojnë Luftën e Dytë Botërore dhe të mohojnë rolin e Ruzveltit, Çërçillit dhe Stalinit. Këta politikanët shqiptarë arrijnë vërtet në kufijtë e absurdit dhe harrojnë se historinë nuk e bëjnë ata. Historia është shkencë dhe si e tillë ka ligjësitë e veta. Një ndër këto ligjësi është roli i individit në ngjarjet historike. A do të ishte renditur Shqipëria në vendet fituese të Luftës së Dytë Botërore sikur në Konferencën e Paqes në. Paris të mos ishim përfaqësuar nga Enver Hoxha, por nga ndonjë pseudo-politikan i shitur te të huajt si shumë prej atyre që ka sot në Tiranë? Herët apo vonë historia do ta thotë fjalën e saj sipas ligjeve të brendshme të kësaj shkence dhe mua nuk më shqetëson vendi që do të zërë Enver Hoxha në histori. Ai ia ka ngritur vetë piedestalin vetes, duke nxitur rezistencën antifashiste, duke krijuar Ushtrinë Nacionalçlirimtare, duke drejtuar dhe fituar luftën e madhe dhe duke triumfuar mbi dy pushtues. Ajo që më vjen keq është qëndrimi i forcave të majta që, nën presionin e Sali Berishës dhe aleatëve të tij ish-bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit, kanë arritur deri atje sa të dyshojnë për rolin historik të Enver Hoxhës gjatë Luftës së madhe për liri e pavarësi. Vajtja dje në Borovë dhe vendosja e kurorës me lule nga Ambasadori Gjerman në Tiranë është shembulli më i mirë i respektit ndaj atyre që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e vatanit.

    Muharrem Xhafa: Qëndrimet antihistorike ngrenë lartë figurën e Enver Hoxhës

    (Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së)

     Komiteti Kombëtar i Veteranëve nuk ka dalë me një qëndrim të vetin për figurën e Komandantit e të udhëheqësit të Luftës, Enver Hoxhës. Ndërkohë, heshtet për monumentin e Zogut dhe nuk ngrihet zëri për monumentin e babait të Pavarësisë, Ismail Qemalit, që është vënë diku në një cep të Kryeqytetit.

    – Në përgjigje të kësaj pyetjeje, më duhet të bëj shkurt një shpjegim, duke nisur me festimet e 70 -vjetorit të Kongresit të Përmetit. Sikurse e ka trajtuar edhe gazeta juaj, Kongresin e Përmetit e përshëndeten Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, z. Gramoz Ruçi, të cilët, në fakt, u përcollën të pranishëmve vlerësime e konsiderata të larta për LANÇ-in, po, siç edhe pritej, shmangën rolin e PKSH (PPSH) dhe të Enver Hoxhës në organizimin e marrjen e vendimeve historike të Kongresit të Përmetit. Për të djathtën, ky qëndrim është i pritshëm, sepse është për fashizmin, por jo për të majtën, sepse një qëndrim i tillë është me pasoja të rrezikshme për të ardhmen e së majtës në vendin tonë. Ndodhi ndryshe me përshëndetjen e Kryetarit te Komitetit Kombëtar te Veteraneve, zotit Rustem Peçi, i cili, i pozicionuar qartë, vlerësoi rolin e PKSH (PPSH) dhe të Komandantit të Përgjithshëm të LANÇ-it. Ky duhet të jetë një leksion për politikën dhe shtetin shqiptar në organizimin e veprimtarive në kuadër të 70- vjetorit të çlirimit të atdheut. Jam i mendimit që, Komiteti Kombëtar i Veteranëve nuk ka vepruar drejtë që deri me tani së vlerësuar e përcaktuar me një dokument të qartë qëndrimin e vet për shokun Enver Hoxha, si udhëheqësi politik i LANC-it dhe Komandanti i Përgjithshëm i saj. Ndërsa, për qëndrimin ndaj Ahmet Zogut, Komiteti Kombëtar i Veteranëve, më duket se është pozicionuar drejtë, kundër tij, kundër glorifikimeve që i janë bërë. Po, organizata e veteranëve është fatkeqësisht, një farë pasqyre e PS-së. Dhe për Ismail Qemalin, Komiteti i Veteranëve është i qartë, plotësisht në mbrojtje të figurës së këtij personaliteti të madh, por nuk është treguar aktiv, për të ngritur zërin për sa thatë ju në pyetjen tuaj. Po kështu, nuk e ka ngritur zërin kundër heshtjes e dyzimit të PS-së për çështjen e Ahmet Zogut e të glorifikimeve që i bëhen atij tradhtari.

    Ç’mendim keni për figurën e Enver Hoxhës, pasi ka pasur reagime të opozitës e të disa ndërkombëtareve?

    – Mendimi ynë për Enver Hoxhën është i qartë dhe i palëkundur! Ai është burri më i madh që ka njohur historia e popullit shqiptar në shekuj dhe, si i tillë, qëndron përkrah Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Për sa u përket reagimeve të opozitës e të disa ndërkombëtareve, çudi do të ishte po të kishte ndodhur ndryshe! Se ata nuk kanë si ta vlerësojnë e ta duan Enver Hoxhën! Ky qëndrim i tyre antihistorik, antishqiptar e antikombëtar, ia ngre dhe më lart vlerat Enver Hoxhës si udhëheqësi politik i LANÇ-it e Komandanti i Përgjithshëm i saj dhe si udhëheqësi i ndërtimit dhe i mbrojtjes së socializmit. Populli e kërkon Enverin çdo ditë!

     Dalan Buxheli: Të gjithë kontribuuesit e luftës kanë vendin e tyre në histori

    Në nderimet që janë për luftën antifashiste është vënë re një shmangie e figurës së Enver Hoxhës. A mendoni se kanë vlerë festimet pa praninë në nderime të figurës së tij?

    -Lufta Antifashiste është një nga periudhat më të lavdishme të historisë së kombit tonë, ishte një luftë që u përkrah nga mbar populli për çlirimin e atdheut dhe që në këtë luftë ranë për liri djem dhe vajza të reja dëshmor të atdheut, dhe në këtë rast duhet të përkujtohen me nderim të thellë. Unë trajtoj ngjarjet e luftës dhe dëshmorët e luftës dhe secili prej tyre, Enver Hoxha dhe të gjithë ata që kanë kontribuar kanë vendin e tyre në histori, ashtu si kudo në vendet e tjera të botës. Ka një parti komunistë që di të trajtoj, të kërkoj dhe të nderoj figurën e tij. unë vlerësoj figurën e Enver Hoxhës ashtu si dhe figurat e tjera të kësaj lufte. Ne kemi kërkuar tek Qeveria që me rastin e 70 -vjetorit të rikonstruktohen varrezat e dëshmorëve të atdheut dhe simbolet e tyre dhe deri tani nuk kemi as një njoftim nëse janë marrë masa apo është caktuar fondi për të filluar restaurimin e tyre. Në të gjithë Shqipërinë janë 38 varreza dëshmorësh dhe që të gjitha janë në gjendje të mjerueshme. Në varreza mungojnë rojet, ndriçimi, nuk ngrihet flamuri, dhe për të gjitha këto ne kërkojmë dhe do vazhdojmë të kërkojmë deri në fund që të merren masat për ta festuar këtë 70 vjetor me varreza të rikonstruktuara, që t’u jepen mundësi të gjitha familjeve të dëshmorëve që mbi varret e tyre me rastin e 70 vjetorin të vendosen lule të freskëta.

    Zyhdi Kroi: Qeveria t’u japi vendin e duhur atyre që sollën lirinë e vendit

    (Presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve)

    A mendoni se, 70- vjetori i luftës antifashiste duhet të shërbej si një pikë kthese për të vlerësuar të rënët e luftës, heronjtë dhe memorialët e tyre?

    – Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për popullin tonë që lidhet dhe në këto festime duhet patjetër të kujtohen patjetër me nderimin dhe respektin që ju takon. E kam fjalën që ata që e bën luftën, ata që janë gjallë të kujtohen, por dhe ata që kanë rënë të nderohen. Detyrë e shtetit është që ato gabime që janë bërë këto vite, e kam fjalën tek varrezat e dëshmorëve, i pllakave përkujtimore, apo dhe i muzeve dhe objekteve të tjera detyrimisht që duhet të rehabilitohen në një masë që ata e gjykojnë të arsyeshme. Në fund të fundit, fituesit e luftës janë ata që janë gjallë dhe ata që nuk jetojnë me, pavarësisht politizimeve, pavarësisht se çfarë ndodhi, ne duhet tu jemi mirënjohës për faktin që ata e radhitën Shqipërinë në anën e fituesve të koalicionit të luftës së dytë Botërore. Ky është argumenti më i plot që tu mbyllet goja atyre që bashkëpunuan me pushtuesit. Ndaj, detyra e shtetit është që ta bëj mirë këtë përvjetor. Në lidhje me figurën e Enver Hoxhës, mendoj se, ai ishte drejtuesi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ka meritën e padiskutueshme. Në një moment të caktuar duhet bërë vlerësimi i figurës së tij, por edhe tani kur të bëhen nderimet, patjetër që duhet të përmendet figura e tij. Të përmendësh luftën, të përmendësh partizanët dhe të mos përmendësh komandantin e tyre, kjo është devijim nga e vërteta. Nëse duhet vlerësim, le të bëjnë vlerësim historianët dhe ta përmendin dhe për ato gjëra të mira që ka bërë, sepse për të këqijat i kanë thënë të tëra.