Historia e rrallë e ish të persekutuari politik që kërkon të rindërtojë lapidarin e dëshmorëve

    554
    SARANDË:-Një postulat filozofik thotë se sa më shumë largohesh nga ngjarja si kohë, aq më shumë zbardhen faktet e kësaj ngjarjeje dhe del në dritë e vërteta. Sot, pas 25 viteve të ndryshimit të sistemit politik e ekonomik në Shqipëri, po zbardhen fakte se shumë fise u persekutuan e dënuan kot si armiq të popullit, partisë e atdheut, ndonëse ishin edhe aktivist, pjesëmarrës dhe ndihmues e simpatizantë të LANÇ-it. Si gazetar me shumë vite aktivitet, më ka rastisur të përballem me shumë detaje dhe fakte drithëruese e të dhimbshme. Me shumë episodeve dhe realiteteve të tilla, më ka mbetur ne mendje edhe një rast në festën e rezistencës 55 ditore të Çamërisë në urën e Bogazit. Teksa intervistoja pjesëmarrës në festime, ku nuk mungonin politika, deputetë e ministra të të gjithë spektrit politik, në mes të një bollëku mezesh, pijesh e orkestrash, më tërhoqi vëmendjen një burrë tepër i moshuar, rreth të 90-ve (ndoshta tani nuk rron më se ka rreth 7 vjet kjo histori) i ulur në vetminë e tij me një birrë para e pak mish të pjekur. Kameramani më ndiqte hap pas hapi dhe u drejtuam drejt plakut. Na ftoi në tavolinën e tij dhe mundohej të thërriste shërbyesit për të na gostitur. Askush s’e kish mendjen tek plaku. Vet tavolina tregonte se plaku në atë atmosferë qe i vetmuar. Filluam bisedën. Fëmijët janë në Greqi, na tha punojnë, unë këtu, vetëm. Kam qenë partizan e i kam parë me sytë e mi ato luftime. Erdha të kujtoj shokët që ranë e ata që luftuan e tani më nuk janë. Gjithë vitin kurseva nga pensioni i vogël për të ardhur këtu, tek shokët e luftës, ti kujtoj e të çmallem, ja me këto valë të lumit që janë dëshmitare. Pas lufte u dënova si armik i popullit me tentativë arratisjeje. Inatçinjtë e fshatit se nuk më lanë as ti shkruaja Enver Hoxhës që më njihte personalisht. E bëra burgun e dola. Siç thashë fëmijët janë në Greqi e më lusin, por unë, armiku i popullit që doja të tradhtoja atdheun, edhe tani që kufijtë janë hapur, nuk kam kaluar as një centimetër matanë Shqipërisë. Por gjithë jetën mbajta dhe mbaj damkën e tradhtarit. Unë kam qenë në luftë dhe sot ka ardhur demokracia, po akoma vijon lufta e klasave, se ja më kanë lënë të vetmuar e po pi një birrë me harxhet e mia. Kam lindur dhe do vdes në Shqipëri, po do më thonë tradhtoi atdheun filani, e unë nuk kam ikur kurrë jashtë kufijve… Fjalët e plakut na vunë në mendime dhe mu kujtuan tek takova Qendro Nikën nga Nivicë-Bubar i Sarandës, pinjoll i një nga fiseve më të persekutuar të këtij fshati, ndonëse fisi që mbështeti më shumë LANÇ-in. E takuam në grykën e Brodanit, ku merr kthesën për tek fabrika e tullave. U ulëm nën hijen e fiqve të shumtë e të sapo pjekur. 
    Ish i persekutuari që kërkon ringritjen e lapidarit të dëshmorëve
    Me bisedave të shumta Qndro Nika na tregon: “Ajo që duket tek kodra, përballë fabrikës së tullave, është shtëpia ime e ndërtuar pas viteve ’90, aty tek 1994-a. Jemi familja më e persekutuar në fshat, me të dënuar e të internuar sa vitet nuk numërohen. Babai im, Marko Nika mori pjesë në rezistencën kundër pushtimit fashist më 7 prill 1939 në Sarandë, pasi së bashku me dëshmorin Mitro Dhimërtika qenë në atë kohë të mobilizuar, por i kthyen armët fashizmit. Po kështu edhe të tjerë të afërm morën pjesë në LAN_ si Mitro Nika, Vangjel Nika të cilët arritën edhe detyra të larta në ushtrinë shqiptare pas çlirimit, por na erdhi goditja dhe filloi persekutimi i fisit. Me ardhjen e demokracisë bëra atë shtëpi në pronat e mia. Para shtëpisë, diku djathtas ballinës qe lapidari kushtuar betejës partizane me gjermanët më 1944, ku morri pjesë edhe babai im dhe u vranë rreth 80 gjermanë e shumë robër u zunë. Për nder dhe përkujtim të kësaj beteje u ndërtua ky lapidar ku nga kjo betejë nuk u vra dhe nuk u plagos asnjë partizan, madje kujtojnë edhe një histori në kohën e socializmit kur përkujtoheshin ngjarjet e luftës me ceremonira e kurora lulesh. Një çoban, pjesëmarrës në atë betejë, kur u vendosën kurorat me lule dhe filluan fjalimet , u tha:-more shokë, po unë kam qenë në luftë dhe gjermanë u vranë shumë e po shumë robër u zunë, po partizan asnjë. Kujt ia vini këto kurora ju? Kurorat u hoqën e më nuk erdhën për ceremoni. Por dua të them se beteja nuk u zhvillua atje ku qe lapidari, po këtu tek jemi ne, tek faqja e malit përballë qenë partizanët dhe vullnetarët e fshatit. Lapidari fillimisht për shumë vite qe aty tek vendi, më pas e bënë aty para shtëpisë sime. Por në vitin 1997, gusht në mos gaboj, më lajmërojnë në telefon se në shtëpinë time është hedhur dinamit. Erdha menjëherë i shqetësuar, por pashë se qe hedhur në erë lapidari dhe qenë grabitur disa sende nga shtëpia ime. Nga viti 1998 takoj në Sarandë kryetarin e shoqatës së familjeve të dëshmorëve të Sarandës, Ali Murtaj. Pimë kafe dhe i them me dhimbje se ai lapidar duhet ringritur se është turp për neve dhe për mua si familje e LANÇ-it, pavarësisht goditjeve politike që pësuam. Më thotë se do bisedojë e do më kthejë përgjigje. Po në këtë kohë vjen inxhinieri Irakli Papadhima, nga fshati ynë e familje dëshmori. I them se do investoj privatisht që lapidari të ringrihet, i them dhe shumën e parave. Që nga ajo kohë nuk u dukën më, vetëm vitin që kaloi erdhi inxhinier Gole Marto dhe biseduam për vendin që do ngrihet. Pavarësisht se vendin e ka dhe i takon aty ku ka qenë më parë dhe ka ndodhur realisht ngjarja, unë do investoj që lapidari të ringrihet aty ku të vendoset. Por jam i zhgënjyer se shoh njerëz të lidhur me pushtetin që sjellin materiale dhe kërkojnë të ngrenë lokale, bile disa më kanë thënë që na i jep lekët neve se e bëjmë lapidarin. Jam dhe mbetem i vendosur që të investoj për ringritjen e këtij lapidari, jo se këtu ka luftuar edhe babai im, por respekti për gjakun e derdhur kundër fashizmit duhet të udhëheq jetën tonë. Historia duhet respektuar dhe përballë sajë nuk ka të majtë e të djathtë, por ka vetëm shqiptar. Më vjen keq që nuk sjellin vendimin dhe të ngrihet lapidari me paratë e mia se ashtu nuk e ndërtoj dot. Por si kurdoherë, ashtu si persekutuan në atë kohë njerëz të pafajshëm, edhe sot manipulojnë e abuzojnë me uzurpimet që u bëjnë shoqatave , sidomos atyre të luftës, për interesa të ngushta e personale. Por do të investoj dhe do ta ringre lapidarin” e përfundon bisedën Qendro Nika teksa shohim shenja të nervozitetit të tij. Ikim me shijen që na la plaku i Bogazit:këta hanë e pinë dhe ne që luftuam rrimë e shikojmë.
    Sigal