Historia e jetës së Miri Hotit, është historia e mjekësisë durrsake

    1075
    Sigal

    Kushtuar kirurgut të mirënjohur durrsak, Miri Hoti, për humanizmin e tij dhe në rastin e ditëlindjes

    Popullariteti i tij është i jashtëzakonshëm. Thjeshtësia dhe modestia e tij janë në një peshë, të jashtëzakonshme. Historia e jetës së tij, është historia e mjekësisë durrsake. Koincidenca është e përsosur, kur i ati i vendosi emrin Miri, zoti e bekoi këtë njeri që lindi me 22 maj 1942. E nxitja për këtë përshkrim portretizues, vjen pikërisht nga kjo ditë si një surprizë që ky Miri Hoti ta marrë si një dhuratë jo vetëm nga unë, por nga cilido që e njeh dhe ia ka dëgjuar emrin. Dhe jam i sigurtë që edhe unë do të përfitoj nga fama e tij, për të më thënë: të lumtë që zgjodhe këtë njeri për të shkruajtur m’u bash në ditën e ardhjes në jetë, këtu e 72 vite të shkuara. Pa dashur të merrem me rutinë publicistike, vështirësia për të shkruajtur për Miri Hotin është tejet e madhe. Së pari, sepse modestia e tij për të rrëfyer nuk të ndihmon shumë. Së dyti, për të janë shkruajtur shumë materiale, është folur shumë në mediat vizive dhe mjetet radiofonike, dhe së fundi një djalë Durrësi merr kurajën të bëjë një sfidë. Të guxojë edhe ai si të tjerë paraardhës të shkruajë për Miri Hotin, këtë zotni të lindur e rënë nga qielli i fisnikërisë dhe humanizmit njerëzor. Kur po bisedoja me doktor Mirin, u njoha dhe u preka edhe për shumë gjëra që nuk i dija, për shumë e shumë operacione të bëra, ku mesatarja vjetore i kalon shifrat 1000. Dhe nëse kryen një veprim të thjeshtë aritmetikë, për të shumëzuar 50 vite punë me 1000 operacione, shifra është surprizante. Dhe në rolin e gazetarit, mu duk sikur lapsi im ngjasonte me bisturinë e doktorit, dhe shkrimi si një nga operacionet e Miri Hotit. A do t’ia dilja vallë me sukses, për të marrë përsipër portretizimin si askush tjetër më parë ndaj mikut, shokut dhe njeriut më të dashur të të gjithë durrsakëve, doktorit emblematik Miri Hoti? Brenda vetes e pranova sfidën, duke besuar në një kompromis me lexuesit e këtyre radhëve të më ndjejnë nëse nuk ia kam arritur. Figura e Miri Hotit është sa e lehtë aq edhe delikate, sa e thjeshtë aq edhe e ndërlikuar, sa e… E figuracionet mund të vazhdonin edhe më gjatë. Por në vend të tyre, le t’ia nisim rrëfimit tonë.

    Baba Ahmeti
    Sa e ngre në qiell babanë e tij Miri Hoti. Vetëm nga tregimi i tij, mua mu duk se Ahmet Hoti u ngjall dhe po ndizte një cigare e pinte një gotë raki me ne. Ahmet Hoti ishte nga ata burra, që trashëgoi vetitë më të mira të zonës së origjinës dhe të lindjes, Plavës dhe Gucisë, të vlerave patriotike të tejskajshme, derisa u bë mik e shok me të mëdhenjtë Hasan Prishtina dhe Bajram Curri. Shqipërinë e gjorë hasmi, që historia e kishte lidhur me të, donte ta copëtonte e njerëzit e saj t’ia degdisnin ku të mundnin. Kjo është arsyeja që xhaxhai i Miri Hotit – Isufi, është pjesëmarrës në krijimin e Lidhjes së Prizrenit, aq sa në vitin 1991 ai është dekoruar nga organet shtetërore shqiptare. Ahmet Hoti është njohur me Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën, sepse vajti në Tropojë për të mbledhur luftëtarë e për t’i bërë ballë Krajlit të Malit të Zi, pasi po i dëbonte nga trojet e tyre të hershme. Miri i
    tregon me saktësi dhe me një freski të memories për ta pasur zili. Me fillimin e viteve 20-të, shqiptarët e dëbuar nga trojet amtare, vijnë dhe nguliten në Barbullush të Shkodrës. Kryevepra e Fishtës “Lahuta e Malësisë”, e përshkruan me tone tragjike këtë fatkeqësi të kombi shqiptar. Por gripi spanjoll i rënë, bën kërdinë mbi të ardhurit më të rinj. Aty Miri Hoti humbi gjyshin e gjyshen, dhe njërin xhaxha. Kjo e detyroi Ahmet Hotin të rinisë shpërnguljen në drejtim të Durrësit, pasi ky qytet jo vetëm ishte i qetë, por kishte popullsi të pakët dhe toka të mjaftueshme. Pasi qëndruan tri vite në Durrës dhe me vështirësi të patreguara ekonomike, me ndërhyrjen e mbretit Zog familje të tëra shqiptarësh ardhur nga Plava dhe Gucia, u strehuan në fshatin Qerret të Durrësit. “Mbaj mënd, kujton Miri Hoti, këto toka ishin të vakufit. Babai që shërbente në xhandarmërinë e Zogut në zonën e Dardhës, vinte dhe na ndihmonte pasi tokat ishin djerrë dhe në pamundësi për t’i punuar. Edhe kur vdiq im atë, nga zona e Dardhës erdhën shumë njerëz, në shenjë respekti për njeriun e tyre të mirë që shërbeu kundrejt interesave të tyre. Një grup shqiptarësh patriotë nga Korça me në krye Ahmet Hotin, erdhën të luftojnë në Durrës krah Mujo Ulqinakut në kuadrin e rezistencës kundër pushtimit fashist të Shqipërisë”. Ahmet Hoti në Dardhë bëri miqësi me familje të njohura si Ziçishtët, Vaskë Gjinin, Teki Kolanecin etj. Teksa ndodhej me shërbim në komunën e Dardhës, në vitin 1931 Ahmet Hoti martohet më një vajzë vendase nga fshati Arrëz që quhej Xhenete. Familja e Ahmet Hoti shtohet me tre djem dhe dy vajza. Tërheqin vëmendjen emrat e mirshqipëruar që u vendosi fëmijëve të tij: Bardhi, Pëllumbi, Miri, Trëndafilja dhe Liria. Pikërisht në këtë fshat të Korçës lindi edhe kirurgu i ardhshëm i Durrësit Miri Hoti. Pranë halleve të familjes dhe fisit të tij, duke zgjidhur me mençuri shumë probleme duke i hapur perspektivë fëmijëve dhe i bërë ata krenarë për jetën dhe prejardhjen e tyre, largohet nga jeta burri i mençur Ahmet Hoti.
    Shansi dhe fati janë me Miri Hotin
    E lodha paksa doktorin, pasi kërkoja të rrëmoja shumë në jetën e tij. Madje të tregoja edhe ato gjëra që jo vetëm nuk dihen, por pa dashur janë anashkaluar nga shkruajtësit e mëparshëm të portretit të tij. Fati dhe shansi, kanë përcaktuar në minutat e fundit ardhmërinë e Miri Hotit në zgjedhjen dhe aftësimin në profesionin e mjekut dhe të kirurgut. Shkollën fillore Miri e mbaroi në fshatin Qerret dhe shtatëvjeçaren në Shën Vlashin aty pranë. Shkoi në Durrës dhe kreu një vit në gjimnazin e njohur 16 shtatori. Por konvikti ku qëndronte në Durrës u prish dhe vështirësia për të vazhduar studimet këtu ishin të pamundura. Me ndihmën edhe të Franc Kurtit, aso kohe kryeinspektor në arsimin e qytetit, Miri Hotit iu dha e drejta të shkonte në shkollën e mesme tregtare në Vlorë. Dhe humori i Mirit që nuk mungoi gjatë tërë bisedës shumëorëshe që zhvilluam me të, thumbon në këtë mënyrë momentin e shtruar për të bërë këtë lloj zgjedhje. “Në vitet e para pas çlirimit, është në bisedë me ne Miri Hoti, vinte nga bashkia një tagrambledhës që ta binte shpirtin në majë të hundës. Edhe ai shkollën e mesme tregtare të Vlorës kishte mbaruar. I thashë babës: mos më çoni në Vlorë, se do të bëhem si Mahmut poterja. U ndërrua mendimi. Duke shfrytëzuar kushtet e mira që kishte konvikti në Shkodër, devijova edhe një kalim të mundshëm në pedagogjiken e Elbasanit”. Kështu që Miri Hoti shkollën e mesme e përfundon në Shkodër. Ahmet Hoti kërkonte që fëmijët e tij t’i shkollonte dhe për Mirin kishte një debulesë të veçantë. Ai ia shfaqi mendimin djalit, duke i thënë se “në fletën që do të dorëzosh shëno tri degë: inxhinieri ndërtimi, fitologji (agronom për sëmundjet e bimëve) dhe mjekësi. Në të gjithë botën këto zanate ecin”. Ja si e përshkruan Miri ecurinë e mëtejshme të tij në përcaktimin e rrugës që mori, duke e trajtuar atë si një dukuri që shkruhet vetëm në librat e përrallave. Dhe biseda është në anën e Miri Hotit: “Kur shkova në Tiranë, ishte vendosur të ndiqja stomatologjinë. Ashtu si Mahmut poterja, mu kujtua një Shyqe, Shyqe nga fshatrat e Tiranës, që vinte tre herë në javë në Qerret, duke mbajtur në dorë një darë të madhe për t’i hequr fëmijëve dhëmbët. Bah, punë që s’bëhet. Isha planifikuar të shkoja në Gjermaninë Lindore, si Enver Kotorri dhe durrsaku tjetër Haki Bllaca në Bullgari. Por Liri Belishova na njofton se, prishja me sovjetikët e anuloi këtë plan. Studimet do të kryheshin në Tiranë. Por edhe këtu më ndihu fati. Plotësohet numri 25 i studentëve. Në këto kushte zgjidhja e vetme, ishte të kaloja në mjekësi të përgjithshme. E kisha me shumë dëshirë dhe e doja këtë degë”. Dhe Hoti kujton që në këtë degë nga Durrësi ishin edhe Eqerem Enesi, Mukades Hidri, Angjelina Nikaj, Enite Golemi dhe Bahri Marku. Por fati ishte me mua dhe do të më “përqafonte” edhe në rastin final. Kur mbarova studimet e larta, mos ma merrni për mburrje, me rezultate të larta, doja të vazhdoja specializimin në kirurgji. E doja shumë këtë profesion, pasi respektoja shumë pedagogët e mi dhe më pas miqtë e mi të ngushtë si kirurgët Petrit Gaçe, Ferdinant Paparisto, Simon Çapeli, Petro Cani e mbi të gjithë Dhimitër Shtytin e paharrueshëm”. Dhe Miri Hoti rrëfen për rastin fatlum. Pasi emërimi i erdhi të punojë si pedagog në fakultetin e mjekësisë, Miri i lutet zëvendës dekanit, që të shkojnë në ministri që të kërkojnë një bursë për specializim në kirurgji. Ciril Pistoli, ministër i shëndetësisë i asaj kohe pas takimit me të, u thotë që në plan kemi një kirurg në Gjirokastër dhe një në Durrës. Eh po të kisha kaq fat, luan nga vendi Miri Hoti. “Po unë nga Durrësi jam, tha djaloshi 22 vjeçar Miri Hoti. Epo e ke të fituar, i tha ministri. Ndër 100 studentë të mjekësisë, dy patën shansin të shkonin në specializim për kirurgë: Miri Hoti dhe një gjirokastrit. Këtu nis edhe rruga e kirurgut tonë, të një emri që më pas do të bëhej i fortlakuar dhe aq i dashur për Durrësin dhe durrsakët, por edhe për rrethinat e tij, emblematiku Miri Hoti. Gjatë kohës së studimeve, Miri Hoti nuk mjaftonte me njohuritë që ofronin leksionet. Regjistrohet në kurse të kualifikimit, duke ndjekur komunikimet aq të domosdoshme me profesorët e shquar Petro Papadhopulli dhe Përparim Tepelena, të diplomuar në universitet më të njohura të Europës. Fati mbetet bashkudhëtar në rrugën e vështirë, por tërheqëse të kirurgut të ardhshëm. Falë talentit dhe përkushtimit, asistencës shumë të kualifikuar të profesorëve me emër të mjekësisë shqiptare si Gaçe, Cani, Shurbani, Selenica, durrsaku Miri Hoti fitoi shumë shpejt shprehitë dhe cilësitë e një kirurgu të karrierës së shkëlqyer.
    Një kirurg i madh në emër dhe në zanat
    Këmbëngulim në hollësitë e formimit të kirurgut Hoti, pasi kjo pjesë e jetës së tij nuk njihet ose është shkruajtur shumë pak. Një kirurg i madh në emër dhe në zanat si Miri Hoti, vlen të përpiqesh të kapësh edhe detajet më të vogla, pasi edhe ato janë një dukuri pozitive që pak nga pak të mbledhura së bashku, krijuan rrugën e jashtëzakonshme dhe të suksesit, të njërit prej kirurgëve më të mirë dhe siç duket do të mbetet edhe për mjaft kohë i tillë Miri Hotit. Atë fat që vëren Hoti, që e pati në jetë, po me kaq fat mbeten durrsakët kryesisht, por edhe të tjerë që u operuan, u shpëtoi jeta dhe jetuan aq mirë sa s’bëhet, vetëm në sajë të mrekullive të mendjes dhe duarve fatlume të Miri Hotit. Ai flet, dhe unë pavarësisht nga përvoja e gjatë në zanatin tim të letrave, emocionohem, madje, madje edhe befasohem që përpara kam një kirurg mjaft të zot, por shumë, shumë të thjeshtë, aq sa nuk mund të mendohet se mund të kenë shumë njerëz si puna e tij. Ai ka bërë mrekulli, sepse kështu janë në fakt shpëtimi i jetës së njerëzve dhe i trajton faktet si gjëra krejt të zakonshme. Pasi kështu të zakonshme, kanë qenë dhe mbeten për këtë njeri për ta pirë në kupë, njerëzit dhe pacientët, duke mos bërë diferencime në to. Hap gojën dhe përmend emrin e tij si në mjedise të ngushta apo të gjëra dhe ndjej opinionin e popullit për të. Të gjithë janë në unison dhe asnjëri nuk pranon të mbetet prapa tjetrit në vlerësimet e çmuara, të bëra me zemër në adresë të Miri Hotit. Dhe tani që mbush 50 vjet punë, krenaria për të parë nga lartësia gjysmëshekullore, duket si një kala e lartë gurët e së cilës i ka vënë me shumë mund, me shumë sakrifica, me shumë përkushtim e vetëmohim jashtë gati-gati njerëzores. Prandaj kirurgë si Miri Hoti, janë mbuluar me kurorë lavdie dhe me urata e
    bekime të sinqerta njerëzore. Dil e provoje njëherë të dalësh qoftë edhe 10 metra me Miri Hotin dhe shiko se si i përgjërohen njerëzia, gati i përkulen në atë që quhet shpirti dhe zemra e kujtdo. Si në një ëndërr përmendem dhe harroj, që jam duke kërkuar si një arkeolog në “mineralet” e çmuara të jetës së tij.
    Operacioni i parë dhe sfidat e mëtejshme
    Pas takimit me Ciril Pistolin, Miri ikën në Qerret në shtëpinë e familjes së tij, duke pritur lajmin për të filluar nga specializimi. Dhe veç kur vjen nënkryetarja e Komitetit Ekzekutiv për kohën në Durrës, një grua edhe kjo e veshur me respektin e popullit të Durrësit Eleni Mandi. Ajo mban në dorë një zarf dhe i njofton Miri Hotit lajmin më ngazëllues për jetën e tij, duke komunikuar se emërimi i ka ardhur në spitalin e Durrësit dhe prej andej dhe në emër të tij, duhet t’i nënshtrohet një specializimi dy vjeçar për kirurgji në Tiranë. Gëzimi i djaloshit Hoti rroku qiellin. “Pavarësisht se kanë kaluar 50 vite, më duket sikur e kam tani para syve. Është një lajm nga më të bukurit dhe nga më të paharruarit e jetës time. U hap plotësisht rruga e kërkuar për formimin tim si kirurg. Por absolutisht e dija mirë, që vështirësitë më të madha paskëtaj do të vinin, sepse operacionet janë një punë delikate dhe kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me jetën e njerëzve. Lajm i mirë natyrisht, por edhe detyrim të cilin isha gati ta përballoja me çdo çmim”. Kështu më pohonte kirurgu i nderuar teksa po bisedonim disa orë përpara se kalendari të shënonte datën 22 maj, ditën e lindjes së tij. Fillova punë në spitalin e Durrësit, përkrah të madhit Paskal Prodani që pasi kishte mbaruar studimet në Çeki, kishte lënë Korçën dhe filluar punë në Durrës. Kur i kërkova Miri Hotit ti bënte thirrje kujtesës, se a e mban mënd operacionin e parë nuk priti kohë, por reagoi menjëherë: “Posi e mbaj mënd. Ishte viti 1965. Operacioni im i parë, është një vajzë katër vjeçe, e cila u operua nga apendiciti. E ndjeva se filloi se kjo ishte vetëm faqja e parë, e librit gjigant që duhej të mbushja me jetën dhe punën time. Ky ishte vetëm fillimi. Sfida shumë më të mëdha e të paharruara, do të vinin më pas.
    Mesatarja ditore e operimeve kalonte 3 dhe jo rrallë edhe 4. Ngjarje, ngarkesë, sfida, angazhime dhe detyrime, përpjekje deri në mundim, por kënaqësi kur suksesi e mbulonte lodhjen”.
    Pranë Dhimitër Shytit në Tiranë

    Një rrëfim interesant për jetën e një kirurgu aq të njohur. Na u desh ta ndërprisnim disa minuta bisedën, pasi një gotë ujë dhe një kafe na shplodhnin pak. Dhe më pas na dukej sikur komunikimin tonë e fillonim nga e para. Pas 20 ditë punë në spitalin e Durrësit, Miri Hoti ikën në Tiranë për specializim. Ndonëse i njomë dhe me përvojë të pakët, ai filloi të bëjë emër aq sa nuk e kishin pasur mjekë me dekada në mjekësi. Dora e sigurtë dhe fjala e ëmbël e Miri Hotit veçse shëronin. Një njeri i madh dhe i rrallë si Miri Hoti, veçse flori nxjerr nga goja kur flet për kolegët, për mjekët e njohur dhe të panjohur, të rinj apo të vjetër. Dhe këtë dhunti apo cilësi, Miri Hoti do ta manifestonte tërë jetën e tij. Deviza e tij në punë ishte: që ta duam njëri tjetrin, nuk ka dhe nuk mund të ketë sukses në kirurgji pa bashkëpunim dhe mirëkuptim dhe jo vetëm ndërmjet mjekësh, por deri tek ndihmës mjekja, infermierja, pa lënë mënjanë edhe sanitaren  më të thjeshtë. Punohet në ekip dhe në ekip secili ka rolin dhe detyrat e tij. “Dhe në se eca në zanatin tim, kjo është meritë e punës në grup, e respektit dhe mirëkuptimit në grup. Dhe spitali i Durrësit e pati këtë të mirë, si refleks i punës së mëparshme të kolosëve të mjekësisë durrsake. Këtë cilësi të mirë tonën, e pikasa më shumë kur shkoja me grupe kontrolli nga ministria e shëndetësisë në spitale të ndryshme të Shqipërisë dhe konstatoja që mjekët nuk flitnin njëri me tjetrin, apo kishin hatër mbetje. Po kështu puna nuk ecën dhe e vuan ai për të cilën ne jemi betuar t’i shërbejmë: njeriu”. Në këtë përfundim arrinte Hoti kur diskutonim ndër të tjera edhe për sukseset dhe ecurinë e tij. Dy vitet e specializimit shërbyen si gur themeli, në ndërtesën e fortë që do të ngrinte Miri Hoti në kirurgjinë durrsake dhe pse jo edhe në atë shqiptare. Mbase Miri nuk më autorizoj, sepse natyra e tij nuk e bën këtë, por do të guxoja ta krahasoja në emër dhe në famë, barazi me profesorët e tij të shkollës që kishin mbaruar në shkencat e përparuar mjekësore të kohës. Emri i Miri Hotit dhe jo vetëm për mua, është në lartësi të tilla që në mos më lart nuk bie më poshtë nga fama e Shirokës, Paparistos, Gaçes, Canit, Shytit, Shurbanit, Bogës, Spahiut, Selenicës etj. Kemi gëzuar bekimin e zotit, që kemi patur dhe vazhdojmë të kemi në shërbim një mjek kaq të rrallë, kaq human dhe i lindur për këtë punë Miri Hotin. Ai kujton se në Tiranë bënin çdo tri ditë roje. Qëndrimi pranë Dhimitër Shytit ishte fat dhe përvojë më vete. Shyti kishte mbaruar për kirurgji në Stamboll, pastaj specializuar tri vite ne Itali dhe kishte shërbyer në spitalet e Vlorës, Kukësit dhe tani në Tiranë. Ndonëse ishte në specializim, operacionet e kryera vinin në rritje. Na vinte mirë që djaloshi durrsak, me origjinë nga trojet e famshme shqiptare si Plava e Gucia, Miri Hoti e përfaqësonte Durrësin e tij në mënyrën më të mirë. Lidhjen me Durrësin Miri Hoti nuk i shkëpuste asnjëherë. Kur Prodani ishte sëmurë, apo kishte edhe detyrime familjare, Miri Hoti linte Tiranën dhe operonte në Durrës. Emri i tij shtriu sipërfaqen e popullaritetit dhe besimi i njerëzve që t’i operonte Miri Hoti, po bëhej gjithnjë e më i palëkundur. A nuk është kjo një mrekulli, që secili ëndërron ta krijoj në punën e tij? Por duhesh të jesh Miri Hoti, që ta ndjesh këtë dukuri. Duhet të kesh një zemër të madhe sa trupi, si Miri Hoti që njerëzit të të begenisin e të mbajnë në pëllëmbë të dorës. Hoti në Tiranë iu nënshtrua edhe operimit torakal (të kokës). Në spitalin ushtarak ishin hapur katër pavijone, pasi pjesa më e madhe e reaminatorëve të këtij spitali, ishin
    shkolluar jashtë vendit. Kjo u trajtua si repart i neokirurgjisë. Paparisto kishte shkuar në Francë, Xhelal Kurti në Çeki dhe kjo ia shtoi ngarkesat Miri Hotit.

    (Vijon në numrin e nesërm)

    Nga Bujar QESJA