Hiqet gjuha shqipe edhe nga aeroporti i Ohrit

    356
    Pas heqjes së gjuhës shqipe nga Aeroporti i Shkupit ajo është fshirë edhe nga Aeroporti i Ohrit. Arsyetimi i drejtuesve të Aeroportit ka qenë se “Aeroporti i Ohrit ndodhet në një komunë, ku shqiptarët janë më pak së 20 për qind dhe për pasojë gjuha shqipe nuk mund të jetë zyrtare”. Kjo shërbeu si alibi nga menaxheri i atëhershëm i kësaj kompanie publike për t’i larguar tabelat njoftuese në shqip dhe ndaluar komunikimin zyrtar në këtë gjuhë. Të punësuarit shqiptarë në Aeroportin “Shën Pali Apostull”, që pas ndarjes territoriale i përket Komunës së Debërçës, shprehen se tashmë alibia për mos-zyrtarizmin e gjuhës shqipe në aeroport nuk duhet të vendrojë, sepse ekziston një ligj për përdorimin e gjuhës shqipe në rang vendi. Por, pavarësisht kësaj situate pozitive, të punësuarit shqiptarë në aeroport thonë se gjuha shqipe është e anashkaluar totalisht dhe nuk përdoret në asnjë mënyrë, si në apelimet, tabelat njoftuese apo në komunikimet tjera. Të punësuarit shqiptarë tregojnë se në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar nga eprorët e rinj turq të Kompanisë turke ”TAV” që ka në koncesionim Aeroportin e Ohrit të zyrtarizojnë gjuhën shqipe, por deri tani kërkesat e tyre kanë renë në vesh të shurdhër dhe nuk janë marrë parasysh. Këtë shqetësim të punëtorëve shqiptarë të Aeroportit e ndajnë edhe Agjencitë turistike që operojnë në qytetin e Strugës. Ndalimi i përdorimit të shqipes, sipas tyre, nuk pranohet nga udhëtarët e këtij Aeroporti që në shumicë absolute janë të etnisë shqiptare. Rui Zylali, pronar i Agjensionit turistik “Sistem Turs” thekson për gazetën “ Telegraf” se mos-përdorimi në rrugë zyrtare i gjuhës shqipe nuk pritet mirë nga pasagjerët shqiptarë dhe këtë shqetësim ne ua kemi përcjellë edhe menaxherëve turq, por deri tani nuk rezulton se janë marrë masa për ndryshimin pozitiv në rrafshin e përdorimit të gjuhës shqipe në aeroport”, thotë ai. Në lidhje me këto pretendime të të punësuarve shqiptarë ne tentuam disa herë të marrim prononcim nga kompetentët e Aeroportit “Shën Pali Apostull”, të cilët pas kërkesave tona të përsëritura na orientuan që, për këtë çështje, të interesohemi në Shkup, ku gjendet qendra e kompanisë, por edhe nga TAV-i në Shkup mungoi komunikimi i premtuar. Nga muaji mars i vitit të kaluar, dy aeroportet në vend, atë të Shkupit dhe Ohrit, i menaxhon Kompania turke ‘TAV’, e njohur për biznesin e saj të orientuar në fushën aeroportuale në disa vende të rajonit dhe më gjerë. TAV-i turk, nëpërmjet koncesionimit, për njëzet vjet do të udhëheqë dy aeroportet e vendit, por heqja e gjuhës shqipe si në Aeroportin e Shkupit dhe në atë të Ohrit, është e papranueshme, ku mbi 60 % e udhëtarëve në këto dy aeroporte janë shqiptarë.

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.12.2015
    Sigal