Hipoteka e Vlorës më ka grabitur shtëpinë, z. Kryeministër!

    419
    Sigal

    Moszbatimi i vendimeve të gjykatës/ Letër e hapur e një emigranti nga Athina, drejtuar Kryeministrit dhe deputetit të Vlorës z. Edi Rama

    Unë i nënshkruari Spiro Foto Gjini, lindur dhe banues i përhershëm në fshatin Kudhës të Himarës, dhe mësues i përhershëm i këtij fshati nga ku dola dhe në pension, me këtë profesion, detyrohem, ose e thënë shqeto më detyrojnë t’i shtroj kërkesën e hapur Kryeministrit TIM, Të Rilindjes Shqiptare si më poshtë:

    Do t’më falni që po ju shqetësoj në punët e shumta dhe të mëdha, se kini shumë halle dhe probleme që ju ranë juve për t’i zgjidhur, për këtë vend. Jam i detyruar që t’ju shkruaj, sepse kam trokitur disa herë dhe për disa vite në derën e Hipotekës së Vlorës, për zbatimin e një vendimi gjyqësor të shkallës së lartë, pra të Gjykatës së Lartë datë 16. 06. 2011 dhe ky vendim jo vetëm nuk ka gjetur zbatim, por dhe është abuzuar nga Hipoteka e Vlorës, sepse punonjësit TUAJ nuk janë të aftë as në zbatimin e vendimeve, kanë rënë në llumin e korrupsionit që është një plagë e madhe për vendin dhe që u fut nga ish politika e qeverisjes së Berishës, të cilin e dëboi vota e Rilindjes. Bëj fjalë për shtëpinë time, të atit dhe mëmës time, motrave dhe vëllezërve të cilën e njohin, e dinë dhe e thonë se e kujt është, gjithë kudhësiotët, himariotët, pse jo vlonjatët, por edhe shqiptarët e dinë ku ka lindur dhe është rritur ati ynë, Foto Gjini, ku kanë lindur dhe rritur fëmijët e tij denbabaden dhe pasardhësit e tij të ndershëm në hallet e tyre! Bëhet fjalë për një shtëpi me dhe në truall 164 m2, të cilën e kemi të kadastruar qysh prej viteve 1950-1952 dhe të hipotekuar qysh prej 16. 02. 2005. Ky hipotekim edhe në fshatin Kudhës është bërë me të gjitha rregullat e shtetit dhe në prani të gjithë autoriteteve vendore dhe njerëzve që dinë fill e për pe shtëpitë e gjithë kudhësiotëve.

    Vendimi

    Por, më pas, me vendimin nr 365, për të cilin i referohet dhe Hipoteka, të cilin kërkoj dhe unë të zbatohet PIKË PËR PIKË, i njeh, pra i jep Romeo Mihal Gjinit 60 m 2 truall, po brenda kësaj sipërfaqe, e fiksuar dhe në pikën nr.2 të vendimit 40 m2 shtëpi, e vendosur një mbi një brenda sipërfaqes 60 m. Pra, nga shuma 164 m.2 truall e Hipotekuar dhe e Certifikuar me pronar Spiro Gjinin, Hipoteka e Vlorës nuk i jep R. Gjinit, sipas vendimit, 60 metra truall, por më Çregjistron Mua fare 104 metrat e truallit dhe ia regjistron të gjithë shtëpinë, truallin prej 164 m R. Gjinit! Pra, vendimi në fjalë i njeh 60 metra Romeos dhe nuk shfuqizon, as e prek pjesën TONË, e mbetur nga përllogaritja e Vendimit në 104 metra truall dhe shtëpia brenda. Pra, Hipoteka e Vlorës më lë pa shtëpi, sepse gjithë sipërfaqen e truallit ia ka hedhur z. R. Mihal Gjinit qysh në vitin 2008 dhe kur gjyqi merr fund më 16. 06. 2011! Pra, marrëzia e të marrëve duket sheshit dhe duhet NDËSHKUAR, edhe pse me shumë vonesë!

    Shkeljet e Hipotekës Vlorë

    Duke ju bërë me dije Z. Kryeministër se dokumentet që zotëron Romeo Gjini janë false. Por, unë jam i detyruar të zbatoj dhe kërkoj zbatimin e këtij vendimi, të cilin e abuzon dhe e falsifikon Hipoteka e Vlorës. Por, mesa duket, nuk i lejon korrupsioni të zbatojnë këtë vendim këta punonjës, sepse shteti ua jep rrogën të plotë dhe pse nuk e kryejnë detyrën, por dhe nuk i ndëshkon, t’i largojë jo vetëm nga detyra, por dhe t’i dërgojë tek vendi i abuzuesve dhe shpërdoruesve, shkelësve të ligjit, të të drejtave të njeriut, përpara drejtësisë dhe pas hekurave madje.

    Këto shkelje flagrante dhe abuzime me detyrën nga Hipoteka e Vlorës i ka bërë publike gazeta “Telegraf” dt 03. 09. 2014, po edhe media të tjera, të cilat shpjegojnë dhe denoncojnë publikisht anomalitë, zullumet dhe abuzimet në Hipotekën e Vlorës!

    Kërkoj të dërgohet nga ana juaj, për tu ulur në tavolinë të rrumbullakët dhe ballë përballë me punonjësit e Hipotekës dhe të publikut, për t’i dhënë fund këtij kalvari të gjatë, për të verifikuar dhe vërtetuar këtë gjëra që shkruaj nën përgjegjësinë time. Në qoftë se këto gjëra nuk janë të drejta, do t’ju kërkoj falje publike në një nga gazetat publike.

    Shpresoj se kërkesa, ose ankesa ime do të merret në konsideratë nga ana juaj dhe do të jepet një zgjidhje përfundimtare. Kam shumë gjëra për të shprehur, sepse dhe personi që i ka kaluar prona, tërësisht dhe padrejtësisht, është i dënuar nga partia e ish sistemit të kaluar, që u bë bazë e krijimit të Partisë Demokratike, të Berishës dhe sollën këto anomali të shumta, në këtë vend të mrekullueshëm.

    Me nderim e mirëkuptim se kërkesa ime do të merret në konsideratë.

    Ju Falënderoj për mirëkuptimin tuaj!

    Me nderime: Spiro Foto Gjini, Kudhës Himarë (Emigrant në Athinë)