Himara mes Vranishtit dhe Lukovës

    484
    Sigal

    Reforma Territoriale/ Shoqata “Bregdeti”: Bashkia Himarë së bashku me Lukovën, përfshirë edhe Rëzomën, si Bregu i Detit, i njohur që në lashtësi. Ja arsyet e këtij propozimi

    Kryesia e  Shoqatës  “Bregdeti” në lidhje me Reformën Territoriale është shprehur qartazi se është me mendimin që Bashkia Himarë të jetë së bashku me Komunën Lukovë, përfshirë edhe Rëzomën, si Bregu i Detit, i njohur që në lashtësi.

    Mendimin tonë e kemi parashtruar edhe me hartë, duke e argumentuar si më poshtë:

    A- Ka këto kufij:

    1- Në Perëndim e Jugperëndim: Kufizohet me detin Jon, duke kaluar nga veriu në jug: Karaburuni, Përroi i Thatë (Palasë), Gjilek, Dhërmi, Ilias, Vuno, Himarë, Pilur, Porto-Palermo, Qeparo, Kudhës, Çorraj, Fterë, Borsh, Sasaj, Piqeras, Lukovë, Shën-Vasil, Nivicë-Bubar, Kakome.

    2- Në Veri: Maja e Valit, kurrizorja e Llogorasë, kuota 2018 m.

    3- Kufiri Lindor e Juglindor: Kurrizorja Maja e Çikës, maja e Shëndëllisë në lindje të fshatit Fterë, Kurrizorja në lindje të Kalasës në perëndim të fshatrave Senicë e Vergo, në Bajkaj në lindje të fshatit Finiq.

    4- Kufiri Jugor: Finiq, kuota 584 -140, Kepi i Qefalit.

    Të përfshihen

    B- Fshatrat e Bregut:

     1- Bregu i Sipërm: Palasë, Gjilek, Dhërmi, Ilias, Vuno, Himarë, Pilur, Kudhës, Qeparo Fshat, Qeparo Fushë.

     2- Bregu i Poshtëm: Borsh, Çorraj, Fterë, Sasaj, Piqeras, Lukovë, Hundcovë, ShënVasil, Nivicë-Bubar-Kakome.

    C- Fshatrat e Rëzomës: Tatzati (në veri)-Kalasa, Bajkaj, Blerimas, Bregasi-Finiq

    Arsyet

    Propozojmë që kjo krahinë të ketë këtë përhapje, për këto arsye:

     1- Për mbi 600-700 vjet ka qenë e përbashkët

     2- Tokat e tyre (pronat) dhe të përbashkëta i kanë në këtë sipërfaqe. Psh. Fshatrat Nivicë-Bubar, ShënVasil e Piqerasi një pjesë të mire të pronave të tyre i kanë në zonën Finiq-Vrion-Van.

     3- Mundësia e komunikimit është më e mirë se ndodhen në faqen perëndimore të malit të Çikës(Llogoras)-të Vetçtimës-Pilurit-Shëndëllisë, Fterës –Lavanit etj.

    Është shumë e vështirë që banorët e Vranishtit të komunikojnë me fshatrat e Bregut të Detit. Vranishti si fshat ndodhet në kuotë 300-350 metra dhe për të ardhur në Himarë duhet të kalojë malet e Mesofijes me kuotë 1690 m, pra duhet të kalojë faqen lindore të malit të Çikës e Mesofijes dhe të zbresë në perëndim për në Bregdet, domethënë të kalojë një diferencë kuote mbi 1500 m dhe të bëjë mbi 6-8 orë rrugë në këmbë (sa nuk ka rrugë makine). Pra, është vetëvrasje për banorët e Vranishtit. Për mendimin tonë,Vranishti shkon shumë më mire me fshatrat e luginës së Shushicës, ashtu siç ka qenë gjithmonë dhe kanë zakone të përbashkëta.

    4 – Bashkimi i Finiqit me Bregun e Detit dhe Rëzomën është i natyrshëm: Kanë patur mundësi të mëdha komunikimi para Luftës së Dytë Botërore dhe pas asaj. Në vitet 1960-1970 u bashkuan në kooperativa të përbashkëta dhe në Ferma Bujqësore të përbashkët. Gjithashtu në këtë territor kanë shumë rrugë automobilistike që kryqëzohen midis Bregut të Poshtëm e Finiqit dhe rrugë kombëtare me Bregun e Sipërm.

    Ky është mendimi i Shoqatës “Bregdeti” dhe jo i atij të “ashtuquajtur”  kryetar.

    KRYESIA E SHOQATËS “BREGDETI”