Helmet e Porto-Romanos po vdesin shqipatarët

    406
    Sigal

    D.Sh.P. jep alarmin. Janë Sulfur Carboni 106 ton, Metanoli 24 ton, Dimetilamin 10 ton, Trimetilamin 9 ton, lindan 500 ton, Bichromatit 20 mijë ton

    Situata e krijuar muajt e fundit në Porto-Romano është bërë objekti i shqetësimeve të Drejtorisë së Shëndetit Publik Durrës. Burimet nga DSHP thanë për “Telegraf” se, “ndotja në zonën problematike të Porto-Romanos mbetet alarmante, shteti duhet të ndërhyjë pasi ajo masë e madhe helmesh dhe lindani të ish-Kimikes mund të sëmurin dhe infektojnë një ditë gjithë qytetin”. Duke u ndalur në statistikat zyrtare dhe testimet e bëra nga strukturat e shëndetësisë, mësuam se kimikatet kryesore që gjenden atje janë Sulfur Carboni 106 ton, Metanoli 24 ton, Dimetilamin 10 ton, Trimetilamin 9 ton, lindan 500 ton, Mbetje teknologjike të Bichromatit 20 mijë ton, pra gjithë ky ekspozim i tyre në ambiente të hapura dhe territorin e zonës ka nisur të ndotë ujin e pijshëm si dhe dëmtimet e organeve të mëlçisë, veshkave, kockave, gjakut dhe organeve riprodhuese tek njerëzit që banojnë atje pas vitit 1991. Duke pasur parasysh rrezikun që paraqesin kimikatet për shëndetin e banorëve, nga ana e specialisteve të Shëndetit Publik janë marrë masa por edhe analiza të vazhdueshme të gjakut tek banorët dhe ujit të pijshëm. Për vitin 2013 por edhe gjatë 6 muajve të parë të vitit 2014 nga QSH-ja janë bërë 732 vizita tek banoret e rritur dhe 248 tek moshat 0-14 vjeç, duke evidentuar Astma Bronchiale ne 4 raste, fëmijë me atake astmatike 2, raste të shumta me dermatite sporadike të kontaktit. Rastet e mësipërme kanë intensitet më të theksuar gjatë stinës së nxehtë, ku edhe evaporimi i lëndëve kimike dhe helmuese ndikon direkt tek të sëmurët. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj zone të kontaminuar si dhe shtimin pa kriter të numrit të banorëve që banojnë atje, është bashkëpunuar ngushtë me Departamentin e Sëmundjeve Profesionale të QUSH “Nënë Tereza”, duke studiuar sëmundjet e shfaqura në Porto-Romano. Për këtë situatë, nga janari deri në qershor 2014 , në 100 banorë të rritur janë marrë analiza biokimike e toxicologjike 100 kampionë gjaku, janë bërë 100 ECHO si dhe 100 prova funksionale pulmunare. Po kështu janë bërë edhe 100 vizita klinike fëmijëve me moshe 0-14 vjeç dhe janë plotësuar 100 pyetësorë me mbi 20 pyetje me anamneza klinike. Për studimin e kryer nga SHPD-ja janë marrë 10 kampione për analizën e qumështit si dhe gjak tek lopët që kullosin atje, kampione të ujit të puseve dhe atij që kalon tek tubacionet. Duke thelluar analizat toksikologjike janë marrë kampione të flokëve fëmijëve të 2 shkollave 9-vjeçare të asaj zone, pasi janë vërejtur ç’rregullime të ndryshme dhe defekte tek organizmi i tyre. Duke u ndalur tek defektet e lindjeve i njëjti burim zyrtar tha se, “në 2 vitet e fundit kemi konstatuar se kanë lindur 172 fëmijë me probleme”. Duke apeluar për ndërhyrjen e strukturave qeveritare Shëndeti Publik apelon se, “situata në çdo moment mund të dalë jashtë kontrollit ndaj duhet sa më parë parandalimi i ndonjë katastrofe njerëzore, e cila nuk do të lërë pa prekur ndoshta edhe vetë qytetin dhe banorët e tij”.