Helikopterët e Imamit ‘tmerrojnë’ qytetarët e Kuçovës

564
Sigal

SHQETËSIM/ Vihet në funksion aerodromi. Ish-pilotët: Stërvitje të tilla ajrore nuk duhet të bëhen kaq ulët

Prej dy ditësh në aerodromin e Kuçovës kanë zbarkuar helikopterët e forcave të NATO-s, të cilët po kryejnë stërvitje përgatitore të përbashkët me forcat ajrore shqiptare. Helikopterët janë shoqëruar dhe me pajisjet gjigande që ndër të tjera do të shërbejnë për furnizimi me karburant. Ardhja e helikopterëve të NATO-s, ka rigjallëruar aerodromin e Kuçovës që prej disa vitesh e kishte mbërthyer qetësia absolute. Burimet nga aerodromi bëjnë të ditur për “Telegraf” se, aty kanë zbarkuar edhe trupat angleze që bëjnë stërvitje tokësore. Ndërsa avionët që fluturojnë mbi hapësirat e Kuçovës dhe rrethinat e saj kanë zëvendësuar avionët reaktivë, që ishin pjesë e këtij aerodromi, i cilësuar si më i madhi në Ballkan. Avionët reaktivë me futjen e ushtrisë shqiptare në NATO dolën jashtë funksionit edhe pse ishin në një gjendje teknike të lartë ata u shitën për skrap.

Situata

Forcat e NATO-s po kryejnë stërvitje në këtë qytet, por banorët janë teje të shqetësuar pasi helikopterët fluturojnë shumë ulët mbi qytet, duke bërë manovra të ndryshme ushtarake, kjo sipas programit që ju ka caktuar komanda e tyre. Skuadrilje helikopterësh, të cilat fluturojnë ditën edhe natën kanë terrorizuar banorët e qytetit pasi ata fluturojnë shumë ulët dhe kryejnë manovra sidomos në orët e vona të natës. Shumë ish-pilotë në pension, por që ende jetojnë në këtë qytet janë shprehur për gazetën se, këto manovra mund të kryen, por jo në atë lartësi të vogël sa që tronditin banorët e Kuçovës. Këto fluturime të skuadriljeve të helikopterëve tregojnë se janë duke pushtuar një qytet. Ata mund të kenë në programin e stërvitjes, por jo kaq të theksuar. Disa familje në lagjen “11 janari”, të qytetit, ku ndodhet dhe gjimnazi u shprehën se në orët e natës janë dëgjuar zhurma të shumta avionësh dhe krisma armësh, ku bëjnë stërvitje forcat e NATO-s.

Banorët

Banorët deklaruan se, ky qytet e njeh mirë jetesën me avionët pasi që nga viti 1954 fëmijët lindnin dhe rriteshin në zhurmat e avionëve reaktivë që ndodheshin 3 kilometër larg qytetit dhe nuk kanë parë që të demonstrohet forca dhe puna në këtë mënyrë. Burime nga kjo komandë bënë të ditur se, në aerodrom kamë zbarkuar përveç helikopterëve edhe shumë makineri speciale dhe cisterna me përmasa të mëdha, të cilat janë të destinuara që të furnizojnë avionët me karburant. Burime sekrete bëjnë të ditur se NATO po organizon një stërvitje me armën e aviacionit, por dhe me ato detare dhe tokësore, ku së shpejti do të bëhet një lojë e madhe, e cila mendohet të behët në zonën e jugut.