Hekurudha, aty ku sistemi mbahet në këmbë me paterica

    482
    Sigal

    DURRËS/ Infrastruktura e keqe. Punonjësit janë shkurtuar në masën 50 për qind. Marrëveshjet e reja japin shpresë

    I gjithë rrjeti infrastrukturor është në gjendjen më të keqe, të mundshme. Hekurudha e linjës Durrës-Tiranë, e cila zë edhe volumin më të madh të punës, prej vitesh ndodhet në gjendje të mjerueshme. Në të gjithë gjatësinë nuk funksionon sinjalistika hekurudhore, ndërsa shpejtësia e trenave është shumë e ulët, duke sjellë si rezultat braktisjen e këtij transporti nga udhëtarët. Infrastruktura thuajse tërësisht e amortizuar. Ajo ka shkaktuar shpeshherë edhe aksidente për trenat e pasagjereve dhe të mallrave duke rrezikuar jetën e punonjësve të hekurudhës. Investimet e kryera në këtë linje hekurudhore, thuajse mungojnë për vite me radhë dhe nuk shihet asnjë përmirësim në shpejtësinë dhe sigurinë e lëvizjes së trenave të pasagjereve. Madje konkurrencën, transporti hekurudhor e ka humbur edhe përsa i përket transportit të studentëve.

    Punonjësit

    Hekurudha ka numëruar 2200 punonjës në të gjithë vendin. Numri i tyre është shkurtuar me 50% gjatë këtij viti, muaj pas muaji, duke bërë që për gjashtë muaj me radhë, të mos kishte as fond pagash, për rreth një mijë punëtorë të mbetur. Protestat për pagat kanë qenë të shpeshta aq sa edhe për shkurtimet e bëra në kuadër të reformave. Paga maksimale e një specialisti nuk shkon më shumë se 25 mijë lekë në muaj ndërsa punonjësit paguhen me pagë minimale. Këtë vit Hekurudha disa herë ka shpallur falimentimin në mungesë të dhënies së pagave për punëtorët, me disa muaj vonesë, si dhe e humbjes së klentëve të saj potencialë të transportit hekurudhor.

    Marrëveshja

    Së fundi bëhet e ditur një marrëveshje midis Hekurudhës Shqiptare dhe Malit të Zi. Bashkëpunimi mes Hekurudhave Shqiptare dhe Montecargo, kompania malazeze e transportit hekurudhor të mallrave, është nxitur përmes një marrëveshje të nënshkruar pak kohë më parë nga Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi me homologun e tij malazez. Në bazë të marrëveshjes, transporti ndërkombëtar i mallrave mes dy vendeve dhe përtej do të lehtësohet ndjeshëm përmes ndërtimit të një stacioni të përbashkët në Tuz. Ky stacion, që në terminologjinë e transportit hekurudhor të mallrave njihet me emrin “port i thatë”, do të shërbejë si pikë ngarkim-shkarkimi për mallrat e ndryshme që kanë si destinacion vendin tonë ose tregjet evropiane. Pranë Hekurudhave Shqiptare në Durrës mësohet se një marrëveshje e tillë është shumë e rëndësishme, pasi institucionalizon bashkëpunimin mes dy kompanive, gjë që është e rëndësishme për mbijetesën e të dyjave në kushtet e tregut liberalizuar.