Hekuran Bajrami: “E vërteta e bashkëpunimit të ushtarakëve me partitë politike dhe mbështetja e ushtarakëve”

    437
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Hekuran Bajrami, sekretar koordinativ i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë

     Ushtarakët kanë disa parime përsa i përket bashkëpunimeve me forcat politike. Parimi kryesor është ai që partitë politike duhet të paraqesin në programin e tyre masat konkrete për problemet që shqetësojnë këtë kategori. Në lidhje me bashkëpunimin dhe marrëveshjet ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Hekuran Bajrami, sekretar koordinativ i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë.

     -Zoti Hekuran, ditët e fundit ka pasur disa deklarata nga përfaqësues të ushtarakëve që kanë qenë kontradiktore me njëra-tjetrën përsa i përket bashkëpunimit me partitë politike. Si është e vërteta e këtyre deklaratave?

    -Unë jam shprehur në një artikull të datës 6 mars në lidhje me fushatën elektorale dhe me qëndrimin e ushtarakëve. Në atë artikull unë kam thënë që ne si ushtarakë do të ndjekim tre parime në lidhje me partitë politike përsa i përket zgjedhjeve.

     -Konkretisht, cilat janë këto tre parime që do të ndjekin ushtarakët dhe a keni gjetur mbështetje për këto parime?

    -Parimi i parë që do të bashkëpunojmë me një parti politike që ka në programin e saj masa konkrete për ato probleme që i shqetësojnë ushtarakët në rezervë dhe në pension. Parimi i dytë është që ne do të mbështesim gjithmonë një forcë politike, e cila nesër do të ketë fuqi vendimmarrëse në Parlament dhe jo forca politike, të cilat nuk mund të na përfaqësojnë për shkak Kodit Zgjedhor. E thënë më saktë nuk do të mbështesim parti politike, të cilat nuk mund të kenë deputetë në parlament. Parimi i tretë është që ky bashkëpunim do të bëhet i organizuar në kohën e duhur, në mënyrën e duhur dhe me vendime konkrete të drejtuesve të shoqatës. Duke u mbështetur në këto tre parime shikojmë se deri tani ato që kanë folur diçka për ushtarakët është koalicioni “Për të Ardhmen Evropiane”, i udhëhequr nga Partia Socialiste. Në të njëjtën kohë kjo forcë politike ka mundësitë që nesër të marri vendime konkrete se është një forcë që në momentin që të vijë në pushtet do i ketë fuqitë për të bërë diçka për ushtarakët.

     -Pra, ushtarakët do të mbështesin koalicionin që udhëhiqet nga Partia Socialiste. A keni bërë ndonjë marrëveshje?

    -Ne do e mbështesim këtë forcë pasi nëse shohim historinë e trajtimit të ushtarakëve në këto 22 vjet na rezulton që është bërë diçka ka qenë në pushtet Partia Socialiste. Dhe janë shkelur të drejtat e ushtarakëve në momentin që në pushtet kanë qenë të tjera forca politike. Duke parë të kaluarën, por edhe të tashmen duket që orientimi i shoqatës tonë është i orientuar drejt kësaj force politike dhe mbi këtë bazë do të jepet edhe vota jonë.

     -A keni bërë ndonjë marrëveshje me këtë forcë politike ju si Shoqatë Ushtarakësh për bashkëpunimin e mëtejshëm që mund të keni?

    -Ato që janë thënë në shkrimin e pak javëve më parë qëndrojnë të gjitha. Jemi mbledhur si bord drejtues dhe në të njëjtën kohë kemi mbajtur një qëndrim dhe në të njëjtën kohë ne u kemi dërguar edhe tëra partive programin tonë që ato ta shikojnë. Mbi këtë bazë ne do të vendosim se për kë do ta japim votën tonë. Ndërsa në lidhje me qëndrimet për shkuar me LSI-në, unë mund t’ju them që ai nuk është një vendim që është marrë nga bordi drejtues. Ai është një vendim personal që nuk qëndron. Secili ka të drejtën që të shprehet, por ai nuk është një vendim i kryesisë.

     -Ai  ka stepur ushtarakët, fakti që nuk kanë kandidatë në zgjedhjet e ardhshme?

    -Jo, ajo qenë një kërkesë e jona, pasi ne kemi rreth 80 mijë vota. Por forcat politike nuk e kanë parë mesa duket të udhës këtë gjë. Por ne do të shikojmë mundësinë tjetër që ushtarakët të kenë oferta për poste të ndryshme pas ardhjes në pushtet të forcës politike që ne do të mbështesim. Ka shumë variante për të parë këtë kategori. Ne e kemi paraqitur si mundësi këtë të marrjes së ndonjë posti, por mbetet edhe për t’u parë se si do të dali rezultati i zgjedhjeve.

     –Nëse ushtarakëve do u premtohet më shumë nga koalicioni tjetër, a ekzistojnë mundësitë që të ndryshojnë qëndrim?

    -Ne nuk kemi ndonjë paragjykim, por duke ju referuar edhe të kaluarës, gjasat janë që të mos kemi oferta nga kampi tjetër.