Haxhinasto dhe Xhika, afera me tenderat dhe emërimet në administratë

621
Burime të sigurta të institucioneve shtetërore i pohuan “Telegraf” se “dy kompani private me aktivitetin e tyre në disa fusha kryesisht në qarkun e Elbasanit dhe disa qarqe të tjera, janë “miq” të bindur të Ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto, binden verbërisht ndaj çdo sms-je, urdhëri dhe porosie të tij, duke dirigjuar jo vetëm me tenderat, por duke përfunduar tek emërimet nepotike dhe të paligjshme në administratë”. Duke u bazuar fort tek elementë të veçantë të cilët vetëm miq nuk i ka, Ministri i Transporteve ka përqendruar tek ata gjithë “pushtetin” e tij që ka në qarkun e Elbasanit dhe drejton gjithë veprimtarinë e tyre plus lëvizjeve që kryen me emërimet dhe largimet, duke krijuar klanin e tij që po rrezikon seriozisht edhe degën e LSI, e cila duhet thënë se ka një reputacion dhe ngjitje të shpejtë muajt e fundit. Klanet dhe celulat e krijuara nga Ministri i Transporteve dhe shpura e tij, kanë krijuar reaksion të rrethet e ngushta edhe tek degët e LSI në shkallë qarku. Por duke u përqëndruar tek aktiviteti i miqve dhe tarafeve të tij duhet thënë se përzgjedhja e dy kompanive ka qenë e studiuar mirë, duke larguar me shkaqe të ndryshme nga konkurrenca e ndershme firma dhe kompani të tjera në pothuajse të gjitha tenderat dhe financimet e majme. Bëhet fjalë për fonde dhe financime nga buxheti shtetit dhe donatorët. Gjithë jeta financiare e aktiviteteve private të këtyre kompanive varet nga përkrahja e ministrit, nga tenderat e shpërndara jo vetëm në qarkun e Elbasanit, por edhe në disa qarqe të tjera, duke fituar pikët maksimale nga “komisionet” pavarsisht tarifave më të larta për metër/katror, apo km rrugë të shtruar, shtyllë ndriçimi etj. Prej disa muajsh zyrat e këtyre dy kompanive janë kthyer në “zyra pune” për militantët e LSI dhe shpesh edhe për ata të PS, ku nuk mungojnë ofertat, aferat dhe pazaret, të cilat shpura nuk i bën kurrë pa miratimin e “të Madhit”. Shpesh në mungesën e tij, Mëkëmbësi i ministrit ka qenë, është dhe do të mbetet drejtori ARRSH, i cili drejton pothuajse gjithë aktivitetin tenderor, rrugor, punësimet dhe atë partiak duke krijuar çarje të shpeshta në organizatat dhe degët e LSI në bashkitë e qarkut. Duke larguar me stil veteranët e LSI, kontribuesit e kësaj force politike, dyshja Haxhinasto-Xhika, ka krijuar një klimë dhe shtrat të rrezikshmëm për ecurinë pozitive të kësaj partie deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Shpesh veteranët e LSI, por edhe ata me kontribute maksimale të përgëzuar me dhjetra herë edhe nga Meta, po lihen në harresë dhe degradohen qëllimisht dhe me kapadaillëk, për ti hapur rrugën elementëve anonimë, klaneve që i binden verbërisht dyshes Haxhinasto-Xhika. Janë pikërisht ata që nuk vendosin një tullë në punimet e nisura dhe të panisura nga tenderat e fituara, që me përkrahjen e dyshes Haxhinasto-Xhika, shumë shpejt do të kenë edhe ngjitje të tjera, madje edhe me poste drejtuese në degët e LSI në qarkun e Elbasanit. Reaksioni ka qenë i menjëhershëm, nga drejtuesit dhe kontribuesit e kësaj partie të cilët kanë kundërshtuar dhe denoncuar vazhdimisht veprimet e Sulltanit të rrugëve dhe Mëkëmbësit të tij, të cilët kanë krijuar “minishtetin” e strukturave të tyre në këtë qark. Por veç tenderave , edhe pazaret e punësimeve , largimeve dhe qarkullimeve në rrang drejtuesi deri tek pastruesja , nuk mbeten pas dore. Nuk mjafton “OK” nga drejtori, por duhet ta marrësh atë edhe nga Mëkëmbësi, që lidhet çdo minutë me Sulltanin për gjithçka firmos dhe vulos. Kjo situatë e krijuar, natyrisht kërkon kohë të qartësohet, qetësohet dhe që gjërat të shkojnë sërish në udhën e mbarë, por deri atëhere ndoshta “minishteti” i tyre do të vazhdojë ta dëmtojë imazhin e mirë të ngritur me shumë punë dhe sakrifica edhe lideri i padiskutueshëm i LSI zoti Meta. 
                                                                                                                                                                                           
Alma Jonuzi

Sigal

Shkimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 06.01.2016