Hashashi “pushton” gjimnazet e Durrësit

    504
    Sigal

    Mësuesit vënë alarmin “nxënësit na largohen nga mësimi”

     Pavarësisht masave nga strukturat e arsimit në qendër dhe drejtoritë e rretheve, duket si një “kambanë” e shurdhër që ka vite që bie, por s’e dëgjon askush. Fenomeni i drogaxhinjve dhe përdoruesve të drogave në gjimnazet e Durrësit, ka disa vjet që përmendet në media, në takime, shoqata, madje edhe në ditën e luftës kundër “DROGES”. Aktualisht problemi përdoruesve të drogave tek nxënësit e gjimnazeve në Durrës, është kthyer në refren kronik, por edhe shqetësim për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave. Ky problem kaq madhor ka prekur nga vitet e para deri tek maturantët, në një kohë që personeli mësimdhënësve nuk ndjehen të mjaftueshëm për të bërë “zap” përdoruesit e hashashit, të cilët shfrytëzojnë banjot, ambientet e tjera shkollore, apo edhe lokalet. Sipas një drejtuesi të një prej gjimnazeve te njohura në Durrës “prej vitesh fenomeni i drogmenëve është bërë shqetësues, edhe i frikshëm për ne si mësues dhe për vetë shumicën e auditorit, madje edhe prindërit, të cilët shpesh vijnë në mbledhjet dhe na ankohen se, “fëmija i tyre ka nisur rrugën e keqe, bëni diçka ta ndalim”. Por, ankesat e prindërve, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave duket se kanë vendosur t’i presin qetësisht, apo duke njoftuar policinë, e cila rrallë dërgon ndonjë civil i cili mjaftohet me ndonjë kontroll rutinë në klasa dhe ambientet e tjera, duke përfunduar në lokalet e mbushura me nxënës të gjimnazeve, të cilët jo vetëm lënë orë mësimi, por prishin goxha para gjatë ditës. Problemi i drogave në gjimnaze dhe atyre që vijnë shpesh si të trullosur dhe me krahët e nxirë në klasa, ka ngjallur shpesh shqetësimin e mësuesve të ndërgjegjshëm dhe prindërve. Sipas tyre, “shpesh ka qëlluar të na vijnë nxënës të përgjumura të shpërfytyruara, duke prishur orët e mësimit apo duke provokuar incidente të tjera. Të vjen keq tek shikon nxënës të shkollave te mesme të katandisur në atë gjendje, pa asnjë kujdes familjar apo shtetëror. Duke pyetur në Urgjencën e Spitalit të Durrësit mësuam se, “regjistrat janë plot me iniciale që detyrimisht ne duhet t’i regjistrojmë sepse shkojmë në burg, të moshave nga 14 deri 17 vjeç, të cilët vijnë me urgjencë tek ne pasi marrin lloj-lloj drogash te pista apo kryejnë marifete të tjera, duke rrezikuar shëndetin, kjo ka ndodhur dhe ndodh çdo natë tek ne”. Sipas burimeve spitalore “aktualisht nuk ka një pavijon të posaçëm, ku të trajtohen drogmenët dhe shpesh ata që vijnë në gjendje kome nisen drejt Tiranës, mbetet shumë e nevojshme të ngrihet një sektor i trajtimit të personave të droguar, pasi tek ne trajtohen sipas kushteve dhe mundësive tona, duke u bërë serume, qetësues etj.”. Ndërkohë, statistikat policore e rendisin Durrësin, si qytet me probleme të mprehta sociale, duke mos lënë pas drogmenët. Sipas tyre, “mbi 3500 të rinj (meshkuj shumica) sot drogohen apo njihen si tregtarë të drogave në periferitë dhe skutat e errëta te qytetit, si ish-vendstrehime, vagonë trenash të braktisur, automjete të braktisura etj. Por policia dhe sektori Antidrogë në Drejtorinë e Policisë Durrës mbeten akoma të pafuqishëm për t’i bërë “zap” drogmenët. Mbi 35 % e tyre sot janë autorë të krimeve të tilla si vjedhje, grabitje, plagosje madje edhe vrasje. Dhe kjo situatë e rënduar ka ardhur si pasojë e tolerimit, që u është bërë atyre qysh në bangat e gjimnazeve, duke “trashur” vit pas viti vesin, i cili sot i ka katandisur ata në qenie të shpërfytyruara dhe tepër të rrezikshëm për shoqërinë. Drejtoria Arsimore mbetet heshtur dhe neglizhente, duke kërkuar vazhdimisht në gjimnaze praninë e policisë por deri sot kjo ka qenë gati e pamundur, duke e lënë fenomenin dhe drogat vrastare të konturohen si fenomeni më i rrezikshëm tek të rinjtë durrsakë.

    ARTUR AJAZI