Harallamb Kota/ Teatrit shqiptar i mungon gjuha universale

525
Sigal

Gazeta Telegraf/



Harallamb Kota



Teatri, problem i ditës. Teatri mes
shumë rrymave. Eh, sa po flitet sot për teatrin dhe me të drejtë! Teatri është
art i drejtpërdrejtë, me personazhe që vijnë në skenë pa rikthime skenash dhe
që mbartin problematikë. Detyrë themelore e teatrit shqiptar sot është që ai
t’i kalojë kufijtë e vendit, t’i kalojë kufijtë e Kosovës. Matësi më i mirë i
rezultatit të një teatri Kombëtar (apo i ndonjë tjetri) është se sa shfaqje jep
ky teatër jashtë vendit. Në sa kompeticione apo festivale jashtë atdheut ftohet
të marrë pjesë si konkurrim dhe sa mirëpritet ai në këto vende. Pra, ne jemi
një vend që jemi në hapat themelorë të aderimit në BE dhe arti është ai që
përcjell më shumë mesazhe bashkimi, teatri është ai që na afron dhe i
përshpejton hapat drejt BE-së. Në këtë perceptim duhet të ndërtohet dhe të
ndërtohen politikat e teatrit shqiptar, pas këtij momenti. Teatri ka dhe flet
me gjuhën e muzikës. Muzika është gjuha e përbotshme, universale, që flet me
tinguj pa fjalë dhe që tingulli i saj pëlqehet kudo nëse është e bukur,
pavarësisht se në cilin vend është krijuar. Matësi më i mirë i arritjeve të
teatrit shqiptar duhet të jetë edhe ajo, që të shihen se sa teatro të huaj
trokasin dhe japin shfaqje në TK. Me këtë synim dhe me këtë objektiv duhet të
ndërtohen politikat e teatrit shqiptar. Lind pyetja: Po si mund të kuptohet një
dramë në gjuhën gjermane nga spektatori shqiptar (apo anasjelltas)?
Këtu del në pah gjuha universale e teatrit, këtu del në pah dimensioni i
universalitetit, përbotshmëria e tij. Dihet që në një teatër kuptimi i fjalës
është primare, por jo më pak të rëndësishme në një dramë janë dhe elementët e
tjerë si skenografia, ndriçimi, muzika, shikimi, gjestet, mimika, reagimi,
mënyra e dialogut, plastika, etj.. Janë këto elementë që përbëjnë gjuhën
universale të teatrit. Janë këto elementë përbërës që e bëjnë atë të kuptueshme
në çdo vend tjetër të botës, përveç vendit ku ideohet një dramë.