Harallamb Kota/ Berati, enigma e një emri

    380
    Sigal

    BERATI, qyteti antik  PARTHA

    Në datën 09.11.2014, shkova në Berat në qytetin e paraardhësve të mi, për t’i dhuruar dashamirësve të shkrimeve historike dhe patriotike, librin tim “Pendat Shqiptare dhe Shkundja e Harresës” botuar nga shtëpia “Male”. Libri u promovua në Tiranë në datën 08.11.2014, në sallën e Ministrisë së Kulturës, me moderatorin Albert Zholi, me referuesin kryesor Prof. Dok. Hysen Kordha dhe  pjesëmarrjen e shumë të pranishmëve, historian, shkrimtar, publicist, poet etj.. Emërtimi i qytetit kala të Beratit në librin tim, me emrin Partha që i takon periudhës pellazgo-ilire, ishte një arsye e diskutimit: “Kush është origjina e emrit Berat, është Partha, Antipatrea apo Beligrad-Belegradon”.

    Në qëndrimin zyrtar është pranuar Antipatrea. Për këtë arsye një rrugë kryesore e qytetit ka marrë këtë emër. Shumë diskutantë janë të  paqartë sa prodhojnë absurditete, që ulin vlerat mitike të qytetit. Ata dëshirojnë ta fillojnë historinë dhe jetën e qytetit kala 2500 vjeçar, me pushtimin otoman, dhe emrin Berat nga një dekret sulltanor. (në turqisht Berat ka kuptimin dekret dhe ndoshta vjen nga shqipja që do të thotë e zeza mbi të bardhë Berat-Bardhat –Parthat). Mendoj se është çështje paditurie dhe jo e qëllimshme.

    Për të shpërndarë tymnajën e krijuar dhe dilemën e qytetarëve Beratas, po jap kontributin tim modest, duke ju referuar mjaft shkrimeve serioze të botuara në FESH. (Fjalor Enciklopedik Shqiptar) botim i Akademisë së Shkencave të RSH, Enciklopedia e Beratit, me autor Zylyftar Plaku, librat “Ilirët” dhe “Kalatë Ilire” të arkeologut të njohur Neritan Ceka, librat historik “Qyteti që Magjepsi Udhëtarët” të Dhimitër T.Myzeqari dhe “Njerëz me kontribute në Historinë e Beratit” të historianes Marela Guga.

    Duke studiuar shkrimet historike të publikuara nga këto botime, arrijmë të besojmë që emrin Berat, ky qytet e ka marrë në vitin 1204, me formimin e shtetit të arbrit, pasi në fillim të vitit 1205, në një buletin të kohës thuhet: “…Despotati Epirit u shtri prej Drinit deri në gjirin e Korintit. Nën vartësinë e tij hyri përkohësisht edhe shteti i Arbrit pas vdekjes së Dhimitrit. Pas vrasjes së Mihalit I në Berat, më 1205……” . Pra theksojmë faktin që më 1205, “Qyteti Kala” quhej me emrin Berat. Duke qenë se shteti i Arbërit u krijua në vitin 1204, është e besueshme që edhe qyteti kala të jetë quajtur Berat qysh në vitin 1204 ( faqe 453).Duke studiuar titujt e botuar në F.E.SH. për periudhën Bizantine, periudhat e principatave të Arbërisë në shek. XII – XV dhe periudhën e perandorisë osmane nga viti 1450-1912, vërejmë që historianët shqiptarë kanë nënvizuar dhe kanë nxjerrë në pah emrin Berat, të qytetit kala, qysh nga viti 1204 e në vazhdim.

    Pasi është përcaktuar viti 1204 kur qyteti kala mori emrin Berat, bëhet pyetja: Çfarë kuptimi ka fjala Berat. Është pranuar nga historianët shqiptarë që qyteti kala është quajtur në një periudhë të ekzistencës së tij me emrin Beligrad. Në faqen 214 të FESH thuhet: “Qyteti kala u pushtua në shek. IX nga Bullgarët, kur ishte epiqendër e luftës kundër Bizantinëve dhe u quajt Beligrad (Qyteti i Bardhë), emër nga i cili vjen trajta e sotme shqipe Berat.

    Për ta qartësuar çështjen,lidhur me fjalën shqipe “Qytet i Bardhë”, i drejtohemi shpjegimit të arkeologut Neritan Ceka. Në librin e tij “Ilirët”, arkeologu i njohur në faqen 123 na bën me dije sa më poshtë: “Konioni më i rëndësishëm u bë ai i parthinëve….. Kështu dolën në skenën politike parthinët, të cilët kishin kryeqendër Parthën, që mund të evidentohet me Beratin. Fjala partha mund të shpjegohet me fjalën shqip bardha dhe ka mundësi që edhe emri sllav beligrad-qyteti bardhë, mbështetet në toponimin ilir partha-bardha-berat. Ndërsa në librin “Kalatë Ilire”, në faqen 91 shënohet një pjesë nga ditari i Çezarit në luftën e tij kundër Pompeut në vitin 48 p.k., ku ai shkruan se:  “Çezari dërgoi një pjesë të ushtrisë për të pushtuar “kryeqendrën e parthinëve” …që sipas përshkrimeve kjo ishte Partha dhe se ajo përputhet plotësisht me Beratin. Emri Partha shpjegohet me shqipen e sotme dhe do të thotë Bardha, pra “kështjella e bardhë”. Ky emër vjen sigurisht nga ngjyra e bardhë e mureve të kështjellës, për shkak të përdorimit të blloqeve gëlqerore. Për këtë arsye edhe bullgarët, kur e pushtuan qytetin në shek IX e përkthyen emrin në Beligrad. Historia e lashtë e Parthës u pasurua nga të dhënat e gërmimeve arkeologjike që u zhvilluan në kalanë e Beratit nën drejtimin e arkeologes Hëna Spahiu. Partha  u rigjallërua në shek IV-VII mk. Burimet historike nuk na sqarojnë nëse Partha ruajti emërin e vjetër, apo mori një emër të ri. Ka mendime se kështjella u quajt Pulkeriopolis, sipas emrit të vajzës së perandorit bizantin Teodos (379-395 mk), por kjo nuk ka gjetur ndonjë mbështetje arkeologjike. Lidhur me emrin Antipatrea, sipas të dhënave arkeologjike, ai nuk është Berati. Kështjella e Beratit ekzistonte shumë kohë përpara se mbreti maqedon Kasandër të pushtonte Apolloninë ( viti 314 p.k.) dhe të kishte mundësi të ndërtonte një kështjellë me emrin e babait të tij Antipatri, gjeneralit të famshëm të Filipit dhe të Aleksandrit të Madh. Kjo është arsyeja që “Kështjella Antipatrea” nuk mund të jetë Berati. Ajo duhet kërkuar shumë më në lindje, në fushën e Korçës në kalanë e Symizës në grykën e Devollit, e cila u pushtua nga Filipi II më 344 p.k. dhe më 335 nga Aleksandri.

    Por cili është atëherë emri i lashtë i kështjellës së Beratit ?!. Sipas Tit Livit dëshmuar në vitet 219-218 p.k., ky qytet gjendej afër Apolonisë dhe Dimalit dhe pa dyshim që është qyteti antik Partha.