Hapet fushata kundër dhunës ndaj grave, Klosi: Burrat të jenë pjesë e zgjidhjes

    361
    “Për të parandaluar fenomenin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është i rëndësishëm angazhimi i gjithë shoqërisë, përfshi këtu edhe burrat, të cilët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes”. Kjo ka qenë deklarata e Ministrit të Mirëqënies Sociale e Rinisë, Blendi Klosi gjatë çeljes së fushatës kundër këtij fenomeni.
    Më tej, Klosi ka theksuar se ka ardhur koha që institucionet shtetërore, organizatat por edhe gjithë shoqëria duhet të bëjnë më shumë për të vënë në jetë tashmë të gjithë mekanizmat ligjorë, por jo vetëm, për të kontribuar më shumë në këtë drejtim. 
    Ndërkohë, deputetja Mimoza Hafizi, si përfaqësuese e Aleancës së Grave Deputete, ka bërë të ditur se është duke u hartuar një nismë ligjore, e cila do mundësonte që në bashkëpunim me bashkitë të ndërtoheshin apartamente për viktimat e kësaj dhune. 
    Drejtoresha e Përgjithshme e UNDP-së në vendin tonë, Yasim Ouruc theksoi se bëhet fjalë për një fushatë mbarëbotërore dhe që mbështetet në mënyrë të fuqishme edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, e cila u bën thirrje të gjitha qeverive në botë, organizatave të shoqërisë civile, por edhe organizatave që punojnë në fushën e grave, apo edhe të gjithë institucioneve të tjera, duke përfshirë këtu edhe median, t’i thonë stop dhe të bëhen pjesë e kësaj fushate të ndalimit të dhunës ndaj grave. 
    Fushata ndërgjegjësuese kundër dhunës në familje dhe ndaj grave, këtë vit ka sloganin: “Djemtë dhe burrat, pjesë e zgjidhjes – Tregoni se jeni kundër dhunës”, fushatë e drejtuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me UNDP-në dhe organizatat e shoqërisë civile. 
    Sigal