Halimi nderon tre inxhinierët e dixhitalizimit të drejtësisë

527
Sigal

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi shpërndau dje çmimin e mirënjohjes publike dhe të shpërblimit shkencor

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi shpërndau dje çmimin e mirënjohjes publike dhe të shpërblimit shkencor për tre informaticienët që vunë në zbatim planin e dixhitalizimit të drejtësisë. Ministri i cilësoi ata si: “Tre novatorë të Shqipërisë Dixhitale, tre qytetarë që me mendjen, zgjuarsinë dhe inteligjencën e tyre i dhuruan publikut tre portalet kryesore të planit tonë të dixhitalizmit të drejtësisë. “Për krijimin dhe realizimin e portalit “One stop shop për noterët”, në emër të qeverisë Shqiptare, ministri Halimi i dha “ çmimin e “Mirënjohjes publike” dhe një shpërblim shkencor prej 1 milion lekësh, Aristotel Agaraj. Ky projekt iu dhurua Ministrisë së Drejtësisë duke i kursyer buxhetit të shtetit 300 mijë euro. Ministri Halimi me këtë rast u shpreh se: “Qytetarëve iu dhurua një sistem dixhital modern për t’i larguar njëherë e mire nga radhët, nga lodhja dhe burokracitë. Për krijimin e Portalit elektronik të shërbimeve në ZRPP në emër të qeverisë shqiptare Ministri Halimi i dorëzoi informaticienit të ZRPP-së. Xhevair Llakaj çmimin e shpërblimit shkencor, me vlerën 250.000 lekë .“Përkushtimi , vullneti, inteligjenca e këtij burri të mençur bëri që ai të ndërtojë një portal dixhital ndër më modernët në rajon me standardet europiane, por mbi të gjitha e bëri atë pa asnjë kosto për Buxhetin e Shtetit dhe në një kohë shumë të shkurtër”,- u shpreh ministri gjatë dorëzimit të këtij çmimi. Për realizimin e projektit më të rëndësishëm në sistemin gjyqësor “Portali On-line” i gjykatave, Halimi i dorëzoi z. Agim Kasaj, Drejtor i IT-së në ministri, shpërblimin shkencor, për krijimin e portalit dixhital të sistemit gjyqësor, me vlerën 250.000 lekë . “Ai transformoi plotësisht sistemin. Prodhoi një portal të ri: Gjykatat.gov.al. Portali është funksional dhe është vlerë e shtuar në sistemin e drejtësisë. U realizua me kosto minimale dhe cilësi të standardeve evropiane”,- tha ministri Halimi ndërsa e cilësoi z. Kasaj mbrojtës të investimit 5 milionë euro, bërë kohë më parë nga Bashkimi Europian për ngritjen e infrastrukturës informatike në gjykata. Në mbyllje të kësaj ceremonie ministri i Drejtësisë, tha se: “Gjesti i sotëm është vëmendja që qeveria shqiptare tregon ndaj njerëzve novatorë, punonjësve të talentuar, punonjësve shkencore, të cilët e meritojnë plotësisht kenë mirënjohje publike në emër të qeverisë”.