Halil Shabani:Urdhri i Ismail Qemalit për mbrojtjen e territoreve shqiptare, mobilizimi vullnetar dhe lufta e Janinës

    527
    Sigal

    Flet arkeologu, historiani dhe studiuesi, Halil Shabani: “Fati i Çetës çame të Shalsit dhe dëshmori i harruar i saj, Abedin Shabani”

    Në këtë intervistë, shkrimtari, poeti, historiani, arkeologu dhe studiuesi sarandiot, Halil Shabani hedh dritë mbi një akt historik të Ismail Qemalit menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë për mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë së jugut. Ai dhe qeveria e tij e kuptoi drejt rrezikun që kanosej në territoret e jugut nga përparimi i ushtrisë greke në veri të Greqisë, ndaj lëshoi urdhrin për mobilizimin e forcave vullnetare shqiptare në mbrojtje të kalasë së Janinës. Në këtë betejë të përgjakshme që zgjati gjashtë muaj, mori pjesë edhe Çeta e Shalsit të Çamërisë me 34 luftëtarë vullnetarë, nga të cilët 17 u copëtuan nga artileria greke. Studiuesi Shabani zbardh detaje të kësaj lufte, jo të njohur shumë për lexuesin shqiptarë, por nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare në mbrojtje të territoreve shqiptare nga shovinistët fqinj.

    Z.Halil, çfarë është dhe si nisi lufta për mbrojtjen e kalasë së Janinës në harkun kohor 1912-1913 dhe pjesëmarrja në ‘të e luftërave vullnetare nga fshati Shalës i Çamërisë?

    Falënderime gazetës “Telegraf”, në përpjekjet e saj patriotike për të zbardhur faqe të ndritura të historisë sonë kombëtare. Po e nis me hedhjen dritë të rrethanave të asaj kohe dhe mandej të flasim konkretisht. Fshati Shalës, në përbërje të krahinës së Konispolit, në fillimet e shekullit të XX, nga e kaluara kishte trashëgimi kulturore dhe tradita kombëtare shqiptare, duke u dalluar në zonat e rrethit të Delvinës (në atë kohë nuk njihej rreth Saranda, por Delvina). Dëshirën kombëtare për të qenë të lirë, e shprehën që në përkrahjen e kryengritjes fshatare të Zenel Gjolekës në vitin 1847. Nga Shalësi në këtë kryengritje morën pjesë 20 burra, kryesisht nga fiset Callumi, Beqiri, Toto, Zeneli, Proqaj, Samarjoti, Takaj, Hyseni, Bakullati e Baduni. Pavarësisht nga fundi i asaj kryengritjeje, vendosmëria për të qenë të lirë, në këtë fshat, nuk u shua. Përkundrazi, ishte një nuse ajo që u shndërrua në një shkëndijë të re, për të ngritur 14 burra të tjerë në kryengritjen e viteve 1909-1912, Merushe Nelo. Ata me Merushe Nelon në krye, luftuan në radhët e çetës së Muharrem Rushitit dhe dhanë ndihmën e tyre modeste në shpalljen e Pavarësisë më 1912. Katër nga këta luftëtarë ranë dëshmorë në ato ditë të shënuara. Por masiviteti më i theksuar në luftërat për liri në këtë fshat, ishte ajo e përgjigjes së thirrjes së Qeverisë së Vlorës dhe e vet Ismail Qemalit, për të dalë vullnetarë në luftë për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe mos dorëzimin e kalasë së Janinës. Nga fshati Shalës iu përgjigjën thirrjes dhe krijuan një çetë me 34 veta, burra e djem. Ata u nisën me këmbë, me pajime, veshje dhe ushqime, të organizuar nën drejtimin e Mejdi Bajos dhe Dalan Avdia. Ata ishin: Abedin Malo Shabani, Adem Maze Zeneli, Abedin Alizot Dule, Ali Resul Zeneli, Alizot Rakip Avdia, Aqif Sulçe Sulaj, Daut Ismail Muka, Dalan Rakip Avdiu, Habib Daut Arapi, Hamza Murat Dano, Hysni Sadush Mane, Islam Mehmet Alizoti, Jasin Hamit Idrizi, Kadri Veli Zeneli, Laze Mustafa Pasho, Mejdi Bajo Idrizi, Muharem Bajo Idrizi, Musa Muho Uzo, Muharem Dino Muçaj, Meleq Zeqo Muka, Meto Hamit Idrizi, Memsur Zane Birjani, Neim Sulejman Hysenaj, Nazif Hysen Lame, Rushit Kasëm Arapi, Selman Idriz Idrizaj, Sali Sadush Mane, Sefer Kasëm Arapi, Shero Meto Lame, Shaqir Maze Elmazi, Zane Elmaz Maze, Zeqo Shuaip Bebo, Xhelo Neim Dule dhe Ismail Arif Elmazi. Lanë fëmijët e tyre, kullotat e Mëllezit, Milesë dhe Seraqinit, tokat e punueshme të Konopicës, Baudhit e Bolingezes… ullishtet e Pangjisë, Memanjit, Corkes e Ballozes dhe në vend të veglave të punës e kërrabës së bariut, hodhën supit armët e luftës. Me drejtuesit e tyre luftëtarët u nisën nëpër rrugët këmbësore dhe të karvaneve, drejtim lindjes, duke kaluar nëpër fshatrat Dishat, Vërvë, Pleshavicë, mali i Farmakovunit, Lidhesastruga, Raveni, lumi i Kalamasë, kurrizi i maleve të pellgut të Janinës e deri në Janinë. Pas një udhëtimi dy ditësh e një nate, mbërritën në vendin e duhur. Atje gjëmimi i topave dhe armëve të luftës nuk kishte të sosur. Midis këtyre luftëtarëve çamë, nga më të rinjtë ishte edhe Abedin Malo Shabani, nga lagjja Kurne e Shalsit.

    Dhe si vijoi më tej, përveç udhëtimit edhe armatosja e luftëtarëve? Dhe pse Ismail Qemali dha këtë urdhër për front vullnetar, pse e mori këtë vendim, thirrje për luftë?

    Jo të gjithë ishin pajisur me manxera (armë të kohës) nga fshati. Ata që ishin më të mëdhenj në moshë, i kishin armët të fshehura dhe i nxorën ato. Në atë kohë zabitët turq të dënonin me burg po të të gjenin me armë. Por në këtë fshat, tregtari Mejdi Bajo, që nga Janina i sillte armët, në samarë të kuajve i fshihte. Më të rinjtë e çetës armët do t’i gjenin në frontin e luftës. Ajo ishte porosia e Qeverisë së Vlorës. Qeveria e përkohshme kuptoi qartë rrezikun që i kanosej territoreve të Shqipërisë së Jugut. Marshimi i forcave greke drejt veriut të tyre, jugut shqiptar, duhej të pengohej. Po ashtu, qëndresa e Janinës, ku një pjesë të garnizonit të ushtrisë e përbënin shqiptarë, duhej të vazhdonte sa më gjatë. Ato ishin arsyet që shtynë qeverinë e Vlorës për të organizuar reparte vullnetare shqiptare. Përpjekjet e asaj qeverie u dukën edhe në kërkesat e saj territoriale drejtuar Fuqive të Mëdha, nën flamurin shqiptar. Për këtë qëllim, në fund të Dhjetorit të 1912-ës, Qeveria e Vlorës dërgoi një delegacion, për t’i propozuar komandantit turk, të ngrinte në kështjellën e Janinës flamurin shqiptar. Për këtë Qeveria e Vlorës merrte përsipër të ndalonte dezertimin e ushtarëve shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë, nga garnizoni i Janinës. Por komandanti turk nuk i pranoi propozimet e qeverisë së Vlorës. Në këto kushte Qeveria e Vlorës u bëri thirrje gjithë patriotëve shqiptarë… “të rroknin armët e të shkonin në mbrojtje të kalasë së Janinës”.

    Me gjithë këto masa dhe rezistencë, si vijuan më tej ngjarjet dhe më shumë fati i Çetës çame të Shalsit dhe dëshmori i harruar i saj Abedin Shabani?

    Artileria e rëndë e kundërshtarëve grekë, godiste pa pushim natë e ditë muret e kalasë së Ali Pashë Tepelenës në Janinë. Kur në muret e kalasë formohej ndonjë e çarë, fillonte dhe sulmi i kundërshtarit. Por nga brenda kalasë luftëtarët nuk jepeshin. Atje bëhej beteja fyt me fyt… për jetë a vdekje. Abedin Shabani me Shaqir Mazen, Aqif Sulçen dhe Ismail Elmazin zinin vend pranë njëri-tjetrit, siç ishin në lagjen e tyre. Ditët gdhiheshin dhe erreshin mes gjëmimeve të topave të rëndë, që nuk pushonin së rrahuri muret e kalasë së Pashait. Brenda dhe jashtë mureve të kalasë zhvillohej beteja më e përgjakshme që mund të ketë parë syri i njeriut. Mes llucës që shkelnin për ditë me mijëra luftëtarë, barutit që kishte nxirë fytyrat e tyre, vështirë se i dalloje pa u shkuar pranë e u përmendur emrat. Atë gjendje të rëndë në frontin e betejës, rapsodi popullor e përshkruan: Mbahu mor Bezhan i shkretë,/ Se ke trima si je vet,/Ruaj të gjitha tepetë,/O Bezhan, i zi Bezhan,/Gjashtë muaj në istikam,/I pa kartë,i pa duhan,/Bukë e fai s’të dhanë..

    Arsyet pse u harrua Abedin Shabani

    Po kur ende muret e kalasë nuk u rrëzuan dhe komandanti i ushtrisë turke nuk dorëzohej, pala greke ndryshoi planet e betejës. Ata çelën frontin tjetër të luftimeve rreth kalasë dhe ndërprerjen e furnizimeve. Një pjesë e artilerisë greke ndryshoi objektiv qitjeje: trupat e luftëtarëve vullnetarë shqiptarë të vendosura tek Gjoli i Janinës në Bezhan, u vunë në shënjestër të tyre. Terreni i pambrojtur dhe fushëpamja e plotë bënë dëmin më të madh në forcat vullnetare shqiptare. Atje, në Gjolin e Janinës, kishte zënë pozicionet edhe çeta e vullnetarëve të Shalsit. Shumë u plagosën. Por fatin më të keq e të copëtimit të trupit të tyre e patën 17 djem të kësaj çete. Midis tyre edhe Abedin Malo Shabani… më i riu në atë çetë. Trupi i tij u shpërnda coptuar nga një gjyle topi në ujërat e liqenit të Janinës. Ata shalsiotë, që mundën të mbeten gjallë, mundën të mbledhin “shenja” të trupit dhe të rrobave të tij. Kur mbaroi kjo luftë, të gjallët e Çetës së Shalsit, sollën “dëshmitë” apo “shenjat” e trupit për të 17-të të vrarët. Në 17 shtëpi të Shalsit erdhi për një ditë gjëma e humbjes së bijve të tyre. Ksodhi u çel në 17 shtëpi. Por në vend të trupit të tyre, apo meitit, ishte vetëm një copë rrobë e lyer me gjakun e tyre. Ata të 17 ngelën pa varre në vendlindjen e tyre… Por një padrejtësi pa dashje e përfshiu Abedinin në vorbujt e harresës dhe mos vlerësimin me titullin dëshmorë si 16 shokët e tjerë të tij. Ai në muze qëndron, por vlerësim nga kuvendi i Shqipërisë nuk ka si shokët, për një gabim teknik në shkresën e pushtetit popullor të fshatit dërguar kuvendit, qenë dy persona me një emër dhe mbiemër, por atësia ndryshon. Kuvendi vendosi vetëm për njërin, duke lënë jashtë vlerësimit tjetrin. Mendoj se ka ardhur koha e vlerësimit real të kësaj lufte dhe luftëtarëve të sajë.