Haki Doku, me një karrocë rreth e qark Globit

672
Sigal

Historia e bujshme e klandestinit krutan që, hyri në histori si shqiptari i parë në Lojërat Paralimpike

Kur Haki Doku mori pjesë në Lojërat Paralimpike “Londër 2012” (në hyri në historinë e Olimpizmit tonë, ai u bë shqiptari i parë që merr pjesë në këtë veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare. Në Lojërat Olimpike Dimërore, i vetmi shqiptar që ka marrë pjesë është skiatori Erjon Tola (“Torino 2006” dhe “Vankuver 2010”). 43-vjeçari Doku mori pjesë në Maratonën Ndërkombëtare të Tiranës në garën e tij të preferuar, atë të biçikletës që drejtohet me dorë, ose të njohur me termin ndërkombëtar: “Handbike”. I mbërritur si klandestin në Itali në vitin 1995 dhe i paralizuar në vitin 1997, për shkak të një aksidenti në punë, Doku së pari luftoi për të mbijetuar dhe më pas, për t’u dashuruar me një sport thuajse të panjohur në Shqipëri. I martuar me Enorën, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Marios (5 vjeç) dhe Alisën (2 vjeç). “Janë të mrekullueshëm”, – thotë Doku për gazetën “Telegraf”. Doku punon si sekretar në një kompani që merret me financat, me qendër në Milano të Italisë, por ai merr pjesë rregullisht në aktivitet lokale në Itali, por dhe ato ndërkombëtare, siç ishte rasti i Mitingut Ndërkombëtar të Tiranës. “Kam qenë thuajse në të gjithë Europën, madje dhe Shtetet e Bashkuara. Ja me këtë karrocë me rrota dhe këtë biçikletë që e ngas me dorë i kam rënë rreth e qark globit”, – thotë me krenari Hakiu. Dhe të duket sikur ke takuar njeriun më të lumtur të botës. Edhe pse ai është prej gati 15 vjetësh në një karrocë.

Doku, morët pjesë në Maratonën Ndërkomëbtare të Tiranës. Për lexuesit e gazetës “Telegraf”, kush është Hakiu?

Jam Haki Doku, 43 vjeç, i lindur në Krujë dhe banues në Milano të Italisë. Jam paraçiklist, apo në garat me biçiklete dore.

Për ju është hera e parë që garoni në Shqipëri?

Po, marr pjesë herë të parë në një maratonë ndërkombëtare në Shqipëri dhe e para garë në Shqipëri. Ndjehet shumë i lumtur. Në fakt, ka pasur disa probleme të vogla me organizimin e rrugës, madje humba dhe rrugën, por si për herë të parë kjo ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Kam ardhur këtu me disa paraçiklistë italianë dhe ata mbetën të kënaqur.

Mediat shqiptare dhe ato italiane kanë shkruar shumë për ju, madje jeni sportisti i parë shqiptar paraolimpik që morët pjesë në Lojërat Paralimpike “Londër 2012″…

Është një ngjarje e bujshme, për mua si Haki, për Shqipërinë, por dhe shqiptarët e tjerë me aftësi të kufizuara. Më vjen mirë, që isha unë i pari që e bëra këtë. Nuk e kisha menduar kurrë, edhe pse kisha punuar shumë për ta arritur atë. Gjithçka ka ardhur si rezultat i një pune të jashtëzakonshme dhe një pasioni me të vërtetë të madh. Rezultatet nuk kanë shumë rëndësi, në të tilla raste.

Me se merret Hakiu në Milano?

Punoj prej disa vitesh si sekretar, një kompani financiare. Më kanë ndihmuar shumë të gjithë. Për ne që kemi mundësi të kufizuara fizike, duhet të punojmë më shumë me mend dhe me tru. Lëviz me këtë karrocë në Milano, por stërvitem rregullisht dy orë në ditë më biçikletën paraolimpike sportive. Në Milano kam shumë miq shqiptare, dhe fakti që mora pjesë në “Londër 2012” ma dhënë një publicitet të madh dhe kam fituar respektin edhe shumë italianëve, përfshirë dhe median.

Si mbërriti Hakiu në Itali?

Tani, kur lëvizja e lirë u jep mundësi të gjithëve të udhëtojnë jashtë shtetit, dhe mua më duket paksa e habitshme. Gjithsesi, mbërrita në Itali si klandestin në vitin 1995, nga Durrësi. Dy vjet më pas, u aksidentova në punë, Kam studiuar dhe kam mbaruar shkollën në Itali. Por, me përpjekje të mëdha, ju duhet ta kuptoni se në çfarë gjendjeje isha unë.

Kur njerëzit pësojnë aksidente, shpesh herë demoralizohen. Ju a keni pasur një moment të tillë?

Jo, unë u përkas optimistëve dhe kam bërë përpjekje të mëdha jo vetëm për tu rikthyer në jetë, por dhe të bëja një punë të vlefshme për familjen, por falë këmbënguljes të merresha dhe me sport. Po deshëm bëjmë gjithçka. Unë jam një shembull, por të tjerët mund ta bëjnë më mirë se mua.

Përse zgjodhët të merreshit me paraçiklizëm?

Sigurisht, unë kisha pak alternativa dhe zgjodha paraçiklizmin. Mendoj se, kam bërë zgjedhjen më të mirë. Kam marr pjesë në shumë gara ndërkombëtare. Ja me këtë karrocë dhe me atë biçikletë paraçiklisti i kam rënë kryq e tërthor Europës. Kam qenë në shumë mitingje, aq sa ju nuk do ta besonit. Madje kam qenë deri në Shtetet e Bashkuara, ku mora pjesë në maratonën e Nju Jorkut në vitin 2007, ku kam bërë 42 kilometra me temperaturë dhe pas garës u shtrova në spital. Por, ia ka vlejtur.

Si është jeta mbi një karocë?

Unë u përkas njerëzve që nuk dekurajohen kurrë dhe luftojnë fort për t’u bërë të dobishëm. Besoj se, ja kam dalë për t’i dhënë jetës sime një kuptim të bukur. Familja ime, bashkëshortja dhe dy fëmijët, Mario dhe Alisa, edhe pse janë të vegjël më mbështesin shumë. Biçikleta është liria për mua. Kur hipi aty nuk ndjej kurrë barriera. Jam i zoti dhe e motivoj shumë veten. Me rastin e 100-vjetorit do të organizojmë shumë aktivitete në Itali, si në Parma, Milano, Bergamo.

A vini shpesh Shqipëri?

Po, rregullisht, por kohët e fundit kam nisur disa projekte të mbështetura nga “Vodafone Albania”, të quajtura “Bota e ndryshimit”. Janë 900 kilometra thuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë për të promovuar sportin për personat me aftësi të kufizuar. Familja është shumë krenare për mua, por dhe unë për të. Ndihmojmë njëri-tjetrin.