Hajri Hoxha, në kujtimet për Brigadën XVIII Sulmuese

1314
Abdurahim Ashiku
I ka kaluar të nëntëdhjetat. Varka e jetës së tij mbushur me një jetë përkushtimi atdhetar udhëton drejt shekullit. Qetë, qetë, me diellin në zenit. Ka një kujtesë që e lakmoj. Jam i sigurt se kur të lexoni emër për emër shokët e tij në betejat për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, pjesëmarrës aktiv në Luftën e Madhe Antifashiste Shqiptare, do ta lakmoni e nderoni më shumë se unë. Shënimet e mëposhtme, ende në dorëshkrim, janë vetëm një fragment i vogël i një libri të tërë kujtimesh fëmijërie, rinie, lufte e pune të palodhur kudo që koha e vendosi të jetë në krye të aksioneve në një kohë të artë për një brez njerëzish që e deshën vendin me shpirt dhe punuan e dhanë sa mundën…

Ky është HAJRI HOXHA…
Me lejen e tij po shkëpus nga arkivi im një fragment që lidhet me krijimin e një prej formacioneve me emër në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Brigadës XVIII Sulmuese.
Brigada e 18-të Sulmuese është krijuar më 18 Gusht 1944 në Sllatinë të Sllovës. Kështu u bë realitet porosia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ e personalisht të Komandantit të Përgjithshëm, shokut Enver Hoxha drejtuar shokut Haxhi Lleshi nga fundi i vitit 1943 që “në një të ardhme të afërt në Dibër të punohet për formimin e një formacioni: Brigadë partizane”. Pas fjalës përshëndetëse bërë nga shoku Haxhi, ishin zgjedhur kuadrot drejtuese të Brigadës: shoku Esat Ndreu –Komandant dhe shoku Miço Kallamata –Komisar të cilët ishin ndër kuadrot më të vjetër në Dibër dhe Korçë. Të dy me Haziz Asllanin të ardhur nga spitali i Maqedonisë më 28 Gusht, u inkuadruam në Batalionin e parë të Brigadës me komandant trimin dhe kuadrin me përvojë ushtarake shokun Gafur Korça ndërsa komisar po një ndër kuadrot dhe partizan i vjetër shokun Hilmi Çausholli. Hazizi u caktua komisar i Kompanisë së dytë të këtij batalioni kurse unë Përgjegjës Rinie i Kompanisë së Parë. Në Brigadë pothuajse gjeta shokët partizanë që u bashkuam në Gramë të Korabit apo të ish Batalionit të Dibrës: Prokop Murra, Rexhep Doda, Beshir Laçi, Emin Agolli, Adli Dibra, Ismete Baholli, Veli Zogu, Montaz Kodra, Ramiz Agolli, Mehmet Hajrullaj, Pal Cavapuli, Sali Hoxha, Sefer Musa, Qatip Cala, Miftar Koltraka, Maliq Noka, Sami Spahiu, Xheladin Krifsa, Shuaip Baruti, Demir Leka, Kalosh Daci, Ferit Muha, Mojsi Kukeli, Ajet Simitxhiu, Ukë Cani, Ferit Muha, Abaz Vargu, Ismet Sula, Hysni Deda, Selim Pira, Asllan Keta, Beqir Brata, Isuf Sula, Hasan Laçi, Destan Meta, Ferit Alimani, Man Jella, dhe ish-pjesëtari i çetën territoriale të qendrës Peshkopi Nexhmedin Shehu. Pothuajse të gjithë shokët e shoqet e mësipërm ishin emëruar në postet drejtuese të kompanive të Batalioneve; komandantë, komisarë e zëvendës si dhe përgjegjës rinie. Po ashtu në Brigadë kishin ardhur edhe të rinj pjesëmarrës në LANÇ, por tani të radhitur në Brigadë si: Shemsi Hoxha, Adil Shehu, Tahir Haxhiymeri, Sinan Osmani, Ahmet Kullaverja, Faik Ashiku, Destan Laçi, Ahmet Shehu, Ahmet Stojku, Hilmi Kuska, Sami Shehu, Nexhmi Melani, Skënder Shehu, Hysen Mata, Izet Vraniçi, Myslym Vraniçi e të tjerë.

Veçanërisht kujtoj takimin përsëri motër e vëlla, Eshref dhe Hibe Palikuqi që me ta kishim një aktivitet të përbashkët me Grupin e të Rinjve në Dibër të Madhe, vajtjen dhe ardhjen si korrier Dibër-Tiranë e kthim dhe tani Hibja në ditën e inaugurimit të Brigadës ishte emëruar z/komisare kompanie në Batalionin IV të Brigadës. Brigada që në fillim, sipas detyrave që kishte marrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇ, nën drejtimin e komandës sonë veproi së bashku me Brigadat e I, IV, e të V Sulmuese për asgjësimin e sulmeve që ndërmerrnin forcat gjermane e bashkëpunëtorët e tyre, si ajo e mësymjes së tyre nga Hilmia, por u shpartalluan dhe më 23 Gusht 1944 u çlirua Peshkopia dhe gjithë Dibra dhe kjo ditë u shpall dita e çlirimit të Dibrës. Pas 30 Gushtit Brigada veproi në luftimet kundra gjermanëve e bashkëpunëtorëve të tyre në Lumë, Kukës e Prizren…

Kukësi u çlirua më 18 Nëntor 1944 dhe së bashku me forcat e Brigadës V-të Sulmuese u çlirua Prizreni më 17 Nëntor 1944. Pas kësaj Brigadës iu caktua detyra për asgjësimin e mbeturinave të mercenarëve dhe bashkëpunëtorëve me okupatorët nazifashistë në zonën Mirditë-Pukë. Për të gjitha këto luftime e aksione të Brigadës është botuar Historiku i Brigadës së 18-të Sulmuese (të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare), 18 Gusht -25 Prill 1945, në vitin 2008.

Megjithatë ruaj me nostalgji:
E para: Pothuajse çdo natë Batalionet e Brigadës zinin pusi në istikamet e improvizuara rreth rrugës Prizren – Kukës, poshtë fshatit Bardhoc e të tjerë deri në afërsi të Kukësit që prisnim autokolonën gjermane të tërhiqeshin nga Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër. Po ashtu kishte javë që në ditë të caktuara për afro dy muaj batalionet me radhë ndërmerrnin aksione kundra forcave gjermane në qytetin e Kukësit. Këto jepnin rezultate në dëmtimet që u bënim si në njerëz e materiale autokolonave gjermane apo atyre të vendosura në qytet. Dhe ne të gjithë partizanët në këtë rast ruajmë pritjen që si para apo pas aksionit të fshatrave të Kukësit që nga Bicaj e Morina ndanin bukën e tyre me ne e çfarë kishin në shtëpi si groshën, dhallë e sidomos turshitë dimërore, sepse po të mos ishte kjo nga do t’i merrnim ne bukën etj. mos kishim magazinat me miell apo të tjerat? Jo, “magazinë” ishte zemra bujare e fshatarësisë si kudo në gjithë popullin shqiptar e sidomos të fshatarësisë edhe në të Dibrës-Krumës-Kukësit-Pukës e Prizrenit.

E Dyta:Ruaj trimërinë e njërit prej partizanëve të Kompanisë sonë të Batalionit të I të Brigadës, atë të Elez Simo Mema prej fshatit Zogjaj të Dibrës. Kishim zënë pusinë dy tre gurë më poshtë fshatit Bardhoc mbi një cep të rrugës automobilistike. Shikojmë autokolonën gjermane, dy-tre qerre, dy automobila e motoçikleta që u paraprinin 2-3 tankeve. Fillojmë të qëllojmë me zjarr të dendur, nga një pozicion mbi ne me mitralozin “Breda” dhe ne me mitralozin dhe automatikët e breshërive të markës angleze e hedhim granata mbi xhade. Gjermanët çorientohen. Disa prej tyre zbresin me shpejtësi nga automjetet e disa hidhen në ujërat e Drinit të Bardhë. Por pak nga ata e marrin veten e të prirë nga një tank i tyre që po vjen drejt pozicionit tonë duke shtënë pa ndërprerje. Në këtë rast shikojmë Elezin me mitralozin ndër duar duke zbritur në xhade drejt tankut gjerman. Vendos dy gurë i shtrirë në xhade dhe duke bërtitur me zërin e fuqishëm “para partizanë” hedh granatat drejt zinxhirit të tankut dhe duke i ndjekur disa gjermanë të tjerë i mbarohej fishekët e mitralozit. E shikojmë që atë e kap breshëria e fishekëve të armëve që pak më larg tij ishin ata. 

Kështu na u vra Elez trimi për të na shpëtuar neve. Dhe trimëria e gjithë partizanëve e veçanërisht e Elezit, sipas komunikatës së Shtabit, gjermanët e paguan shumë shtrenjtë: me 45 gjermanë të vrarë, 15 të tjerë u zunë rob dhe shkatërrim automjetesh, motoçikleta si dhe një tank. Ndërsa për trimin, Elezin, sot e kësaj dite këndohet:

“U hyn dridhma gjithë gjermanëve,
Me mitraloz në dorë
Shoku Elez bie dëshmor.”

(Vijon nesër)
Sigal