Hajdutët e CEZ-it po rrjepin shqiptarët

    417
    Sigal

    Vazhdojnë abuzimet ndaj qytetarëve me faturat e energjisë, punonjësit e CEZ shtojnë kilovatët e matësve 

     Zbulohet skandali i mbifaturimeve të energjisë elektrike ndaj konsumatorëve duke lëvizur vetë sahatët e dritave në mënyrë që konsumatorët të paguajnë disa herë më shumë. Në këtë mënyrë banda e manipulatorëve që ka uzurpuar CEZ-in, ka krijuar një gjendje të rëndë për banorët e kryeqytetit, por edhe të gjithë Shqipërisë. Sepse këtu nuk kemi më vjedhje pa dashje, apo nga budallallëku, por grabitje tinzare për të rrjepur xhepat e qytetarëve. Për të tilla mashtrime, drejtuesit e CEZ duhet të dërgohen urgjentisht në gjyq, por në fakt ata po marrin dita-ditës lavdërime nga krerët dhe ankime nga njerëzit e thjeshtë. Sikur të mos mjaftonin hallet e tjera të varfërsisë, apo të papunësisë, CEZ-i ka krijuar në këtë periudhë precedentin më të rëndë për xhepat e qytetarëve duke i grabitur atyre, në mënyrë të dhunshme, qindra miliona lekë.

    Mënyra e vjedhjes

    Punonjësit që shohin sahatët i lëvizin akrepët sipas interesave të CEZ-it për t’u marrë qytetarëve sa më shumë para. Dhe ata nuk kanë as ku të ankohen, sepse kjo grabitje është konstatuar më parë në sahatët e ujit, kur atje ishte drejtor Sait Dollapi. Nga ana e vet, kreu i shoqatës së Konsumatorëve, Islam Cani ka deklaruar se “Ankesa për rritjen e kilovatëve të sahateve nga punonjësit e CEZ kanë mbërritur edhe pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar”. Edhe kreu i ZMK-së Altin Goxhaj ka hedhur një sërë akuzash mbi CEZ-in, duke mbrojtur kështu interesat e qytetarëve.  Çdo ditë e më shumë qytetarët shqiptarë po njihen me metodat të tjera të vjedhjes së energjisë elektrike nga drejtuesit e kompanisë. Përkrah metodave të vjedhjes që njihen tashmë si: mbifaturimet e faturave, apo nxjerrja e faturave të pakonsumuara, apo edhe vendosja e kilovatëve pa u parë fare matësit e energjisë nga punonjësit, tashmë ka dalë edhe një metodë tjetër për vjedhjen e energjisë. Metodë kjo që më parë ka qenë e njohur për qytetarët shqiptarë, por jo në energjinë elektrike, por në sahatët e ujit. Ndërsa tashmë kjo praktikë e vjedhjes së qytetarëve është “transferuar” edhe tek energjia elektrike së bashku me zotin Sait Dollapi, i cili është Administratori i “CEZ Shpërndarje”, në vendin tonë.

    Punonjësit rrisin me dashje kilovatët e matësit të energjisë elektrike

    Kohët e fundit qytetarët bëjnë të ditur se kanë zbuluar mënyrën tjetër të vjedhjes nga “CEZ Shpërndarje” nga punonjësit e kësaj kompanie. Qytetarët tregojnë për “Telegraf” se: “Punonjësit e energjisë elektrike të shoqëruar edhe nga specialistë të kësaj fushe vijnë edhe rrisin në mënyrë të qëllimshme kilovatët e energjisë elektrike, me qëllim që të paguajmë sa më shumë para”. Alma A. tregon se: “Në pallatin që unë jetoj kemi parë që pasi janë kontrolluar sahatët kanë ardhur përsëri punonjësit dhe kanë hapur matësit e energjisë dhe kanë shtuar kilovatët. Këtë e kemi verifikuar edhe me anë të faturës që na ka ardhur dhe pamë që sahati kishte shkuar shumë kilovatë, por si rasti im kam dëgjuar edhe raste të tjera. Këto mënyra vjedhjeje kaq hapur që po dëgjojmë këtu janë nga më të çuditshmet”. Por ajo që bën më shumë përshtypje në këtë fenomen të ri të vjedhjes së energjisë elektrike është metoda, që nuk është e panjohur për qytetarët shqiptarë. Pasi një metodë e tillë e vjedhjes së qytetarëve më parë është zbatuar tek sahatët e ujësjellësit. Dhe kjo pikërisht sipas qytetarëve është “transferuar” nga ujësjellësi te energjia elektrike. Kjo ka edhe një gjë të përbashkët me vjedhjet që kanë ndodhur te ujësjellësi dhe që është shumë e rëndësishme për t’u theksuar. Kjo metodë vjedhjeje është përdorur tek ujësjellësi në periudhën që në krye të Ujësjellësit ndodhej pikërisht zoti Sait Dollapi, i cili sot është Administrator i “CEZ Shpërndarje”. E pra zoti Dollapi duket se nuk ka hequr ende dorë nga vjedhja e qytetarëve, se pasi vodhi qytetarët nëpërmjet ujësjellësit, tashmë po vazhdon që t’i vjedhë akoma më shumë me metodat e tij që ai po përdor për energjinë elektrike. Qytetarët shprehen se nuk dinë më se çfarë të bëjnë, pasi ankesat sipas tyre nuk marrin ndonjëherë zgjidhje dhe është njësoj si i bën dhe si nuk i bën. Faturat vijnë dyfish apo më shumë të larta, edhe pse ato shprehen se po mundohen që të kursejnë energji në maksimum. Këto janë problemet që i shqetësojnë më shumë qytetarët sot. Por nuk duhet lënë mënjanë edhe fakti që ka zona të tëra që për shkak të defekteve të ndryshme të rrinë me ditë të tëra pa energji elektrike, situata mbetet problematike dhe deklaratat për përmirësimin e situatës përdoren si fasadë për të fshehur problemet. E si përfundim, del që problemet e qytetarëve shqiptarë s’kanë të sosur me energjinë elektrike. Por problemi nuk qëndron vetëm me mungesën e energjisë në disa zona, në të cilat pretendohet se po bëhen rregullime.

    Rishikimi i ankesave, thjesht një premtim

    Një tjetër premtim që është bërë para pak ditësh nga përfaqësuesit e kompanisë është ai për rishikimin e ankesave që kanë të bëjnë me mbifaturimet apo dhe probleme të tjera. Por edhe ky premtim sipas qytetarëve mbetet thjesht premtim si të tjerat, pasi ankesat vetëm sa bëhen dhe ngelen nëpër dosje të punonjësve të kompanisë. Ato ngelen vetëm premtime sipas qytetarëve, sepse ankesat që i përkasin periudhës që ka qenë CEZ-i, apo edhe ankesat që i përkasin periudhës pas largimit të CEZ, duket se nuk po gjejnë asnjë zgjidhje. “Kam bërë dy ankesa për mbifaturime, dhe nuk më kanë dhënë asnjë përgjigje dhe s’kanë ndërmend që të më japin përgjigje me sa shoh. Punonjësit na thonë që bëjini ankesat, por ato ngelen vetëm në dosjet e punonjësve” thotë për “Telegraf” Alban. A. Qytetarët shprehen se s’dinë as ku të kërkojnë zgjidhje, pasi nuk i dëgjon njeri për ankesat e tyre.

    Dollapi nuk fal as faturat e papaguara, as kamatëvonesat

    Ndërkohë që Administratori i “CEZ Shpërndarje”, Sahit Dollapi ka deklaruar dje në media se nuk do të falë as faturat e papaguara, as kamatëvonesat. Këtë lajm ai e bëri të ditur dy ditë pasi u bë e ditur në media që do të bëhej falja për këto kategori. Zoti Dollapi u bëri thirrje qytetarëve të paguajnë energjinë në faturat e prapambetura të energjisë elektrike. Ndërkohë që zoti Dollapi nuk jep shpjegime për problemet që kanë qytetarët shqiptarë me energjinë elektrike në qytete dhe fshatra të ndryshme të vendit. “Kjo është plotësisht e pavërtetë dhe një informacion dashakeq që del në një pjesë të shtypit sa herë ka fushatë elektorale. Nuk ka falje as për faturat e papaguara, as për kamatëvonesat. U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre trillimeve dashakeqe, por të paguajnë në kohë faturën e energjisë. Sa më shumë vonohen, aq më shumë do të paguajnë dhe në rastin më të keq do t’u ndërpritet energjia si debitorë”,- deklaroi Dollapi.

    Qytetarët ankohen se:

    -U digjen pajisjet shtëpiake dhe CEZ nuk i dëmshpërblen

    – Se CEZ në zona të caktuara të Tiranës ul tensionin nga 220V ne 170 V pothuajse çdo natë

    – Shumica e sahatëve janë programuar në mënyrë që të marrin superxhiro sapo ndez qoftë edhe një dush.

    – Se mbifaturohen në mënyrë të qëllimshme

    -Ankesat e tyre ngelen të pazgjidhura

    – Vidhet energjia pasivisht me teknika nga më të ndryshmet