Hajdutët dhe batakçinjtë të “privilegjuarit” e shoqërisë shqiptare

765
Sigal

Shkencëtarët  e Rilindjes janë rrugëve, militantët e PD-së që u përzunë me votën e 23 Qershorit  kapardisen në zyrat e shtetit

Si të gjithë institucionet “e pavarur” të vendit, prej vitesh Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës është bërë vendi, ku janë punësuar me dhjetëra persona, pa asnjë lloj merite. Disa prej tyre madje, përpara se të punësoheshin aty, kanë qenë në institucione te tjera, nga ku janë larguar sepse kanë qenë shumë të përfolur për shpërdorim të detyrës, korrupsion dhe falsifikim dhe për t’u harruar nga opinioni publik kanë gjetur strehë në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, që duhet të jetë shembull i pastërtisë morale, por në fakt është kthyer në një vend, ku janë punësuar ish-zyrtarët e pushtetit të korruptuar të Partisë Demokratike, kundër të cilëve populli votoi masivisht në 23 Qershor 2013. Një prej këtyre ish-zyrtarëve është edhe Kancelarja e këtij universiteti, zonja Laureta Bejkosala, e cila prej më shumë se dy vjetësh është përgjegjëse për mbarëvajtjen administrative-financiare të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës. Po kush është kjo zonjë? Zonja Laureta, në vitin 2005, me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, për merita të  veçanta u emërua Drejtore  e Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Vlorës. Pas disa vitesh e hoqën, sepse “gojët e liga” e akuzuan për korrupsion. Nuk vonoi shumë dhe Partia e emëroi përsëri drejtoreshë, por kësaj here në Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Vlorë, ku e hoqën përsëri nga “gojët e liga”. Por, meqenëse zonja Laureta ishte anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike Vlorë (vazhdon të jetë akoma), ajo duhet patjetër të punonte si drejtoreshë, sepse nuk bënte dot punë tjetër. Dhe zgjidhja u gjet: Drejtoreshë e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Patundshme Vlorë dhe kjo ishte njësoj “si t’i varje ujkut mëlçitë e qengjit”. Pas një viti, pas shumë kërkesave nga qytetarët e Vlorës drejtuar Kryeministrit të asaj kohe, por edhe për shkeljet që kishte bërë, vendosën ta shkarkojnë. Menjëherë njerëzit e prekur nga abuzimet dhe falsifikimet e kësaj zonje ju drejtuan organit të Prokurorisë, duke i çuar dhjetëra kallëzime penale dhe në fakt, zonja ende nuk i ka mbyllur problemet me drejtësinë. Por Partia nuk mund ta linte pa punë anëtaren e Kryesisë dhe kështu u gjet një vend në një institucion “të pavarur”, larg syve të qytetarëve, si kancelare në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, ku vazhdon të punojë e pashqetësuar, edhe sot e kësaj dite, sepse këtu nuk ka punë me qytetarët, por vetëm i duhet të firmosë për tendera, për shpenzime të mëdha nga buxheti stratosferik i universitetit e gjëra të këtij lloji. Ja, ky është një shembull i njerëzve që punojnë në administratën e institucioneve shqiptare, ku edhe pas një viti nga rezultati plebishitar i 23 Qershorit vazhdojnë të jenë të punësuar më të korruptuarit e Partisë Demokratike. Njerëzit votuan Programin e Rilindjes me besimin se fenomene të tilla, si Laureta nuk do të kishin më vend në institucione.  Paska humbur Vlora për të gjetur njerëz të ndershëm dhe të papërfolur për korrupsion?  Për çfarë votuan vlonjatët dhe gjithë shqiptarët më 23 Qershor, që njerëzit e Partisë Demokratike, që e katandisën këtë parti, por edhe shtetin në ditë të hallit, të vazhdojnë të drejtojnë?! Jo, kjo gjendje duhet të ndryshojë! Deputetët e PS në Vlorë, Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet te ndërhyjnë urgjentisht. Nuk mund të vazhdohet më, me të njëjtët njerëz të politizuar, pasi arsimi është i departizuar dhe nuk ka nevojë për militantë. Vendi ka nevojë për figura të reja dhe të papërfolura. Në numrat në vijim do analizojmë skandalet e rektoratit, gradat e mara në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e Këshillit të Ministrave si dhe do të paraqesim fakte të emërimeve të punonjësve, blerjet e vogla dhe prokurimet e tjera, transferimet e studentëve nga njëri fakultet në tjetrin apo edhe më keq nga privatë në shtetërorë. Pagesat jashtë orarit, kontratat e punës, shpërblimet do jenë një tjetër objekt i aktivitetit të Universitetit të Vlorës.