Hahn të premten në Kuvendin e Kosovës, pritet normalizim i situatës

452
Situata në Kuvendin e Kosovës pritet të qetësohet në seancën e kësaj të premteje, ku i pranishëm do të jetë edhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë në Bashkimin Evropian, Johanes Hahn. Edhe në këtë seancë, njësoj siç ndodhi edhe javën që shkoi, kur Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, iu drejtua deputetëve, opozita nuk do ta pengojë punën e Kuvendit dhe do të marrë pjesë, kur Hahn do të flasë para deputetëve. “Do ta lejojmë mbajtjen e seancës dhe do të marrim pjesë,” tha zëdhënësi i “Vetëvendosjes” Frashër Krasniqi. 

 Ndërsa sa i përket ndonjë aksioni të mundshëm simbolik, Krasniqi u shpreh se “ende nuk kemi marrë vendim për këtë punë”. Në seancën e së enjtes që shkoi opozita priti Presidentin austriak me dy mbishkrime në gjuhën angleze. “Mjaft me qetësimin e hegjemonisë serbe” dhe “Ruaje shpinën z. President. Gënjeshtarë dhe të korruptuar janë të ulur prapa jush!” Opozita nuk pengoi as seancën e ratifikimit të MSA-së të hënën, kur pasi krerët e grupeve parlamentare të VV-së, AAK-së e Nismës thanë fjalët e tyre, deputetët opozitarë lëshuan sallën e mbledhjeve të Kuvendit. Të premten kur Hahn do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, do të jetë seanca e tretë radhazi që nuk pengohet nga opozita.
Sigal